Kandidati i pavarur për kryebashkiak thotë se zgjedhja e tij do t’i hapë rrugën thyerjes së modelit aktual të shitjes së interesave të qytetarëve në shkëmbim të financimeve politike duke çliruar energjitë e qytetarëve.
Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë Tiranë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj nëse zgjidheni kryebashkiak?
Problemi më i madh i bashkisë së Tiranë, sikurse i qeverisjes në përgjithësi në vend, është se ajo nuk ka punuar për interesin publik. Ajo u ka shërbyer si interesave klienteliste dhe korruptive të drejtuesve të saj e familjarëve të tyre, ashtu edhe axhendës dhe interesave partiake të tyre. Praktikisht, bashkia ka shërbyer më shumë si zyrë noterie për ndërtuesit apo seli partie për opozitën se sa si institucion ku punohet dhe u shërbehet qytetarëve. Mos harrojmë që prej vitit 2005 posti i kryebashkiakut të Tiranës është mbajtur prej kryetarit të opozitës (me përjashtim të dy vjetëve). Prandaj punonjësit e bashkisë janë përdorur si militantë partiakë për të bërë opozitë dhe axhenda e bashkisë i është nënshtruar axhendës partiake të opozitës.
Financimi i partive politike është një nga shkaqet kryesore të klientelizmit. Politikanët e sigurojnë pushtin përmes votave, parave dhe mbështetjes që atyre u japin bizneset e mëdha dhe individë të fuqishëm ekonomikisht apo mediatikisht. Për këtë arsye, kur janë ne pushtet ata duhet t’u shërbejnë këtyre bizneseve dhe interesave me favore e privilegje që bien ndesh me interesin publik e shpesh edhe me ligjin. Paraja tashme e ka blerë dhe e kontrollon politikën. Në fakt, një grusht i vogël individësh tashmë kontrollojnë pothuajse të gjithë pushtetin politik dhe ekonomik të vendit.
Liria nga këto interesa klineteliste është arsyeja që nuk kemi kërkuar dhe nuk do të kërkojmë mbështetje financiare apo në forma të tjera nga bizneset e mëdha dhe grupet e interesave që bien ndesh me interesin publik. Si kryebashkiak unë nuk do të kem asnjë detyrim, varësi apo lidhje me këto interesa. Unë do të jem i varur vetëm nga qytetarët dhe i motivuar t’u shërbej vetëm qytetarëve.
Nga ana tjetër unë nuk jam dhe nuk do të jem i lidhur me asnjë interes partiak apo axhendë partiake. Gjatë kohës që do të shërbej si kryebashkiak unë nuk do të jem pjesë e asnjë partie. Partia ime do të jenë qytetarët e Tiranës. I vetmi interes dhe motivim i imi do të jenë qytetarët e Tiranës.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë Tiranë?
Projekti kryesor në infrastrukturën rrugore do të jetë vazhdimi i investimit për unazën e madhe të qytetit të Tiranës. Në të njëjtën kohë ne do të riparojmë rrugët që janë dëmtuar dhe kanë nevojë për mirëmbajtje.
Ndërtimi i kopshteve dhe shkollave do jetë prioriteti kryesor i investimeve të bashkisë gjatë katër viteve të ardhshme. Ne do të rrisim buxhetin e investimeve për edukimi dhe arsim me 10-20 për qind. Megjithatë, unë nuk kam ende një kalendar të saktë të realizimit të investimeve, pasi kjo kërkon planifikim më të detajuar sesa mund të bëhet në një fushatë. Për këtë arsye nuk mund të flas me siguri për volumin e saktë të investimeve gjatë vitit të parë.
Nuk mendoj se do të ketë investime në godina shëndetësore gjatë vitit të parë.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Tiranë dhe cilat janë ato?
Sikurse mund të jeni në dijeni, ende nuk është miratuar kuadri nënligjor për funksionimin e pushtetit lokal pas ndarjes së re administrative. Në këto kushte jam i papërgatitur për të pasur një mendim të qartë mbi kriteret administrative të emërimit dhe shkarkimit. Gjithsesi do të garantoj që administratorët dhe të gjithë punonjësit e Bashkisë të jenë njerëz me integritet, të aftë dhe të ndershëm. Asgjë tjetër, përfshi edhe preferencat apo përkatësitë partiake, nuk do të ketë peshë në rekrutimin dhe karrierën e tyre. Unë jam i përgatitur që të punoj me të gjithë stafin aktual të bashkisë që është rekrutuar dhe ka punuar në respekt të ligjit dhe në interes të publikut.
Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?
Bashkia e Tiranës do të jetë bashki e qytetarëve duke filluar me përfshirjen e tyre të vazhdueshme dhe sistematike në vendimmarrje. Ne do të përdorim për herë të parën referendumin lokal në Shqipëri. Referendumin e parë do ta thërresim që ditët e para të punës për të vendosur për ruajtjen e hapësirave të gjelbra dhe hapësirave të tjera publike. Ne mendojmë që të gjitha çështjet strategjike duhet të vendosen me referendum, ndaj do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të mundësuar përdorimin e teknologjisë në referendumet lokale për të minimizuar kostot dhe lehtësuar organizmin dhe pjesëmarrjen në referendume.
Mekanizmi i dytë që ne do të përdorim është ai i votimeve këshilluese online. Edhe pse nuk ka fuqi detyruese ligjore, ne do t’u kërkojmë qytetarëve që të shprehen përmes votës për çështje të rëndësishme në qeverisjen e qytetit duke votuar online përmes një aplikacioni të veçantë duke përdorur kartën e identitetit. Rezultati i votimit do të jetë i detyrueshëm për mua.
Ne do të zbatojmë ligjin që kërkon konsultimin paraprak të komunitetit për çdo ndërtim apo ndërhyrje që ka ndikim në mjedis. Ligj i cili ose është injoruar krejtësisht ose është zbatuar shtrembër deri tani.
Ne do të rrisim gjithashtu transparencën ndaj qytetarëve përmes publikimit në një faqe të veçantë interneti të gjitha vendimet, lejet, kontratat, planet, trasanksionet financiare, etj të bashkisë së Tiranës gjë që nuk është bërë asnjëherë më parë.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për të kufizuar ndërtimet e reja në zonat e gjelbra si Parku i Liqenit apo zonat me densitet të lartë ndërtimi si qendra e qytetit, zona e Gardës së Republikës, ejt?
Sikurse e thashë më herët, do të ftojmë qytetarët në një referendum lokal ku ata do të vendosin nëse duan që ta ruajnë sipërfaqen e parkut dhe një sere hapësirash të tjera publike apo do të lejojnë ndërtimet e planifikuara.
Gjithsesi, në planin e rizhvillimor që tashmë duhet të bëhet për të gjithë territorin e ri të bashkisë, ne do t’i rikthejmë këto zona në zona të gjelbra dhe nuk do të parashikoj më ndërtime në to.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj në lidhje me përmirësimin e kushteve të jetesës së grupeve vulnerabël, si komuniteti rom dhe personat me aftësi të kufizuara?
Mbështetja e grupeve vulnerabël dhe shtresave të varfra do të jetë shumë e rëndësishme për ne. Një komunitet nuk mund të jetë as i mirëqenë as i përparuar nëse nuk kujdeset për më të dobëtit dhe më në nevojë mes tij. Ne do të punojmë për krijimin e kushteve për të garantuar integrimin dhe aksesin e plotë të tyre në të gjitha shërbimet publike. Nga ana tjetër ne do të përpiqemi të japim mbështetje direkte për lehtësimin e problemeve të tyre, brenda mundësive të kufizuara financiare që bashkia.
Në mënyrë të veçantë për komunitetin rom do të ofrohet mbështetje prioritare për strehim dhe për punësim.
Një fokus i veçantë i punës sonë do të jetë organizimi dhe lehtësimi i nismave komunitare në bashkëpunim mes shoqatave bamirëse, organizatave që ofrojnë kujdes apo shërbime sociale dhe individëve për mbështetjen e këtyre grupeve.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për shtimin e korsive për biçikleta në zonat urbane të bashkisë Tiranë?
Çështja e korsive të biçikletave është çështje disi e ndërlikuar pasi Tirana ka përgjithësisht rrugë të ngushta dhe mundësi të kufizuara për korsitë dedikuara biçikletash në shumicën e rrugëve të saj. Krijimi i korsive të shkëputura, pra të pa integruara në një rrjet minimal krijon rreziqe për jetën e çiklistëve, veçanërisht në kryqëzimet ku mbarojnë korsitë. Në planin tone nuk kemi parashikuar ndonjë ndërhyrje për korsi të reja biçikletash. Kjo çështje ka nevojë për një vendim-marrje që kërkon më shumë kohë dhe më shumë burime se sa mund të ketë një fushatë dhe duhet të vendoset më vonë.
Transporti urban në Tiranë gjatë mandatit tuaj do të zhvillohet sipas modelit aktual të partneritetit publik-privat apo do të kthehet në shërbim nën pronësi publike? Çfarë hapash do të ndërmerrni për përmirësimin e shërbimit dhe a do rriten kostos e transportit urban?
Zgjidhja e problemit të trafikut është prioriteti kryesor i planit tonë për Tiranën. Kjo gjë kërkon ndër të tjera përmirësimin e transportit urban. Ne do të reformojmë krejtësisht transportin urban, përmes një sërë ndërhyrjesh përfshi biletën unike, Reformim i transportit publik: biletë unike, shtimin e linjave të reja, integrimin e linjave në një rrjet të ndërlidhur, futjen në shërbim të autobusë elektrikë, shtim e numrit dhe llojit të mjeteve, si dhe monitorimin elektronik të trafikut urban.
Nuk mund të flas në këtë fazë për modelin e ofrimit të shërbimit, nëse duhet të jetë publik apo i kontraktuar tek ofruesit privatë. Vlerësimet tona për efektin në kosto të reformave të planifikuara tregojnë ulje të kostos së transportit që mundëson ruajtjen e çmimit aktual të biletës.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj që Tirana të shpëtojë nga rezervuarët dhe pompat e ujit dhe të mund të furnizohet në mënyrë të rregullt nga ujësjellësi?
Problemi i depozitave individuale dhe pompave të uji të shtëpive është plotësisht i zgjidhshëm përmes ndërtimit të depozitave rajonale që do të zëvendësojnë kështu depozitat individuale. Gjithsesi, këto depozita kërkojnë investime prej disa dhjetëra milionë euro. Në kushtet kur ndërhyrje të tjera janë më prioritare për ne, nuk jam i sigurt nëse gjatë katër vjetëve të ardhshëm do të justifikohet investimi në këtë drejtim. Ndërhyrja për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e rrjetit të ujit do të mbetet, gjithsesi, pjesë e punës së përditshme të bashkisë.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për zgjidhjen e problemit të vazhdueshëm të mungesës së hapësirave në varrezat e qytetit?
Plani jonë është për zhvillimin e një varreze të re jashtë qytetit të Tiranës. Ajo duhet të organizohet e menaxhohet bazuar në praktikat dhe përvojat më të mira botërore.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për nxitjen e blegtorisë dhe bujqësisë në bashkinë Tiranë?
Ne do të hartojmë një plan për zhvillimin ekonomik të bashksië, ku do të zënë vend edhe politikat për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Ndërkohë, ndërhyrjet për të cilat mund të flas me siguri që tani janë ato për përmirësimin e infrastrukturës hyrëse në qytetin e Tiranës, si dhe të përmirësimit të transportit dhe komunikimit të zonave rurale me zonën metropolitan të Tiranës që do lehtësoj në aksesin e tyre në tregun e Tiranës dhe integrimin ekonomik të gjithë bashkisë.