Gjergj Bojaxhi Nje flamur shqiptar ne maje te Alaskes

Gjergj Bojaxhi: Nje flamur shqiptar ne maje te Alaskes

Grupi i Alpinistëve shqiptarë që një vit më parë ngjitën Himalajën, këtë verë ka sulmuar Majën Denali (6.194 metra), mali më i lartë i Amerikës së Veriut. Ndërsa Shqipëria kalonte ethet e zgjedhjeve, Bojaxhi dhe kolegët e tij kishin një tjetër sfidë. Si e përjetuan ata këtë ngjitje të vështirë. Ai thotë se projekti i ngjitjes së majave më të larta të globit do të vijojë me kontinentet e tjera


Zoti Bojaxhi, pas Everestit, një tjetër ngjitje "antologjike"; ajo e majës më të lartë të Kontinentit të Amerikës së Veriut. Si shkoi ekspedita? 


Në tërësi ekspedita Denali (apo Mc Kinley) 2013 shkoi shumë mirë dhe do ta konsideroja me kuptimin e plotë të fjales të suksesshme. Të tre anëtarët e ekipit e ngjitën majën dhe sfidat dhe problematikat që dolën gjatë ekspedites ishin brenda pritëshmërisë sonë dhe përgatitjeve që kishim bërë. Arritja e majës u realizua brenda 12 ditëve nga nisja, kjo edhe për shkak të motit të favorshëm që patëm në shumicën e këtyre ditëve, por edhe për shkak të përgatitjes së fortë fizike që kishte ekipi.
 
Çfarë vështirësish paraqiste Mali Denali (McKinley)? Sa e vështirë ishte ngjitja në majën e tij prej 6.194 metrash?


Ngjitja ishte e vështirë por jo më e vështirë se ngjitja e Everestit që e realizuam vitin e shkuar.  Për shkak se kjo ngjitje kryhet plotësisht në terren akullnajor, rreziku i rënies në krevasa (çarje të thella në akull) ishte gjithnjë i lartë dhe për këtë shkak e gjithë ecja nga fillimi i ekspedites deri në fund është bërë në grup dhe i gjithë grupi ishte i lidhur bashkë me litar kolektiv.  Domethënë, ngjitja është bërë në mënyrë kolektive, si pasojë e së cilës anëtari më i dobët në mënyrë të vazhdueshme detyrohej të sforcohej, që të ishte në mesataren e grupit, ndërsa anëtari më i fortë detyrohej të binte tek mesatarja e grupit. 


Shkurtimisht, në këtë ngjitje, kërkohej jo vetëm sacrificë fizike, por edhe gjetja e një harmonie për të mirëkuptuar e toleruar njëri-tjetrin.  Fatmirësisht, harmoninë në këtë ekspeditë e patëm optimale. Ngjitja në majë përfundoi me një sulm/marshim prej 8-9 orësh. Për arsye se sapo arritëm majën, filloi një stuhi e paparë bore, e cila vazhdoi përgjatë gjithë ditës dhe më tej, ne të tre së bashku, bashkë me kohën e kthimit, arritëm në kampin nga u nisëm pas 16 orësh.  Teknikisht ngjitja nuk ishte e një vështirësie të lartë.
 
Ku ndryshonte kjo ngjitje nga ajo e Everestit? Nëse heqim mënjanë faktin që diferenca mes dy majave është jo e vogël, ku ngjasonin ato me njëra-tjetrën?

Matematikisht diferenca në lartësi midis dy majave nuk ndryshon shumë, por në realitet një ndryshim prej 2,600 metra në lartësitë e sipërme, përmban një ndryshim shumë të madh përsa i takon lodhjes fizike (ajri vjen e rrallohet më shumë) dhe ngarkesës psikologjike.  Sidoqoftë, ndryshimi nuk është vetëm tek lartësia por edhe tek metodika e ngjitjes.  Ngjitja e Denalit u bë me metodën Alpine Style Climbing (metoda e ngjitjes alpine).  Kjo metodë, në dallim nga metodat e tjera (si p.sh. metoda e ngjitjeve himalajane), dallohet kryesisht për tempin e lartë në ecje/ngjitje dhe nga fakti se të gjitha pajisjet mbarten nga vetë alpinisti dhe jo nga shoqëruesit/udhërrëfyesit të cilër vihen në kushte të barabarta veprimesh me anëtarët e ekspeditës. Ngarkesa e madhe e pajimeve, ushqimeve, etj., për tu mbartur nga alpinisti dhe shpejtësia e lëvizjes që kërkon stili alpin i ngjitjes e afrojnë vështirësinë e Denalit me atë të Everestit, pavarësisht nga lartësia e tij më e vogël.
 
Na tregoni pak për mjedisin malor që gjetët atje, sa armiqësor ishte ai me alpinistët?

Gjatë natës ekstremisht ftohtë, gjatë ditës shumë nxehtë (për veshjet që duhet të kishim) pasi djelli kur reflekton në një siperfaqe të bardhë (e bardha e Alaskës është e veçantë) pavarësisht se është prej bore/akulli krijon temperaturë relativisht të lartë. Si pasojë e këtyre amplitudave të konsiderueshme të ndryshimit të temperaturave ditë – natë, përveç dy ditëve të fundit të ekspeditës, ecja është bërë gjatë natës pasi avantazhi i të ecurit natën në borë të ngrirë, bënte diferencë pozitive, për lodhje më të vogël. Vlen të shtoj se, për muajin kur ishim në Alaskë, 24 orëshi pothuajse nuk kishte natë, në kuptimin e errësirës që e shoqëron atë në gjerësinë gjeografike ku është vendi ynë.
 
A pati edhe në këtë majë, dyndje alpinistësh, si ajo që vërejtët në Everest? 

Ashtu si edhe në majën Everest, përpjekje alpinistësh për të ngjitur majën Denali ka, por përqindja e suksesit në arritjen e saj ende edhe sot mbetet në raportin nën 50 përqind.
 
Për fat, ekspedita juaj kësaj rradhë përkoi me zgjedhjet në Shqipëri. Ato absorbuan të gjithë vëmendjen e opinionit publik. Çfarë do të thotë të ndodhesh në një realitet kaq të ndryshëm nga ai i Shqipërisë, teksa vendi po kalon një moment kaq delikat, si ai i 23 qershorit? 

Vajtja në mal gjithnjë më ka shërbyer si një mënyrë e mirë për t’u futur në një mjedis të mrekullueshëm, për të reflektuar si në nivel personal, ashtu edhe për ndjesinë time ndaj çeshtjeve publike; më ka shërbyer edhe si një mënyrë eficente për të rifreskuar veten për angazhim publik të mëtejshëm.
 
Si vijon itinerari i majave për grupin e alpinistëve të shoqatës tuaj? Cilat janë planet e afërta në nismën Seven Summits (Shtatë Majat)?

Kjo pyetje ka nevojë për dy sqarime:


Së pari, ne nuk mund të realizojme synimin e ngjitjes së majës më të lartë të çdo kontinenti pa sponsorizime. Ngjitja e majës Denali u realizua në sajë të sponsorizimeve nga Raiffeisen Bank dhe Vodafone Albania. Në këtë moment nuk e dimë se kush do të jenë sponsorizuesit e rradhës.


Së dyti, pasi të sigurohen sponsorizuesit, është Kryesia e Shoqatës ajo që do vendosë për synimin e rradhës.


Personalisht mendoj se maja Aconcagua (6.962 m), që është maja më e larta në Kontinentin e Amerikës së Jugut ose maja Vinson (4.897 m) që është më e larta në Kontinentin e Antarktidës besoj se do jenë në diskutim për vendimmarrje nga Kryesia jonë.

Gjergj Bojaxhi
Anëtar i Shoqatës “Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana”
11 korrik 2013


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama