Gjergj Prevazi Une provokoj sepse dua te ngjall polemika

Gjergj Prevazi: Une provokoj sepse dua te ngjall polemika

Koreografi vjen sonte në Teatrin Kombëtar me shfaqjen “Extreme Makeover-Culture Clash” e stilit danc teatër, që trajton problemet në çift dhe ku publiku do të përballet me skena erotike dhe dhune

Publiku ka krijuar stereotipin e vet për Teatrin Kombëtar, duke e parë atë si skenë të teatrit klasik dhe kjo jo për faj të tij. Teatri alternativ ka qenë i padëshiruar nga bordet drejtuese ndër vite të këtij institucioni. Koreografi Gjergj Prevazi do të përpiqet ta ndryshojë këtë perceptim me serinë e dytë “Extreme Makeover-Culture Clash”, që do të shfaqet sot në orën 19.00 në Teatrin Kombëtar. Shfaqja e stilit danc teatër është një bashkëpunim i koreografit Gjergj Prevazi, me kërcimtaren dhe koreografen gjermane Katharina Maschenka Horn, si dhe kërcimtarin Labinot Rexhepi nga Kosova. Problemet në çift është tema ku është ndalur këtë radhë Prevazi. Dashuri, ndarje, ribashkim…etapat që kalon çdo çift, por akoma më e komplikuar bëhet në këtë rast bashkëjetesa në çift kur ajo është gjermane dhe ai është shqiptar.

“Ne me këtë pjesë luftojmë stereotipet. Unë përpiqem të jem në skenë një grua tipike gjermane, e edukuar me një mënyrë kulture tjetër nga ajo e partnerit tim që është shqiptar. Nuk do të thotë se kultura nga vij unë është më e mirë apo anasjelltas, këto janë klishe”,- thotë Horn.

Një shfaqje ku koreografi Prevazi me siguri do të provokojë publikun me skenat erotike dhe të dhunës. Dhe këtë e bën qëllimisht. “Unë provokoj sepse dua të ngjall polemika”, – thotë ai.

“Extreme Makeover-Culture Clash” vjen në skenën e Teatrit Kombëtar pas shfaqjeve në Tetovë, Prishtinë dhe në Akademinë e Arteve në Tiranë. Reagimet e publikut kanë qenë nga më të ndryshmet, kur Labinot Rexhepi puth plot afsh e zjarr pasioni partneren e tij, Katharina Maschenka Horn, apo kur pasioni duket se është shuar dhe ai e rreh në sy të publikut. “Publiku reagon kur sheh se gjithçka që po ndodh në skenë është e vërtetë, nëse do të ishte lojë, nuk do reagonte aq shpejt”, – thotë koreografja dhe kërcimtarja gjermane Katharina Maschenka Horn. Ndaj asgjë nuk është me sikur në “Extreme Makeover-Culture Clash”. Për koreografin Prevazi, arti duhet të jetë provokativ, sidomos teatri. Dhe Prevazi di të provokojë dhe fort madje, siç ndodhi në edicionin e kaluar të Festivalit Internacional të Dansit Kontemporan, që organizohet prej 8 vitesh nga Gjergj Prevazi, kur trupa e kërcimit nga Zvicra shokoi publikun durrsak ndërsa performoi krejtësisht lakuriq në skenë…

Zoti Prevazi, ju vini me një shfaqje të stilit danc teatër në Teatrin Kombëtar, skenë për të cilën publiku ka krijuar një lloj stereotipi të themi…Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Unë uroj që bashkëpunimi me Teatrin Kombëtar të jetë një frymë në vazhdimësi dhe pjesë e konceptit të ndërtimit të një strategjie. Institucionet publike në Shqipëri kanë nevojë të jenë në konkurrencë dhe askush më mirë se skena indipendente shqiptare apo iniciativa e lirë nuk mund t’i konkurrojë ato.

Dans teatër në Shqipëri nuk është një gjë e panjohur. Ne kemi vite që jemi prezentë me “Albania Dance Meeting” (Festivali Internacional i Dansit Kontemporan). Mendoj se nuk ka pse të krijohen stereotipe. Një nga arsyet që ne jemi këtu është për t’u ikur këtyre stereotipeve. Një nga qëllimet e artit në përgjithësi është t’i tregojë publikut, duke shërbyer si një pasqyrë e publikut për të parë të vërtetën, në këtë rast edhe vetë institucionet edhe vetë publiku sheh një shfaqje që nuk është e zakonshme, le të themi për skenën tonë, por në këtë rast është një prurje e re dhe duke qenë e tillë, është një freski. Kush nuk e do freskinë? Në këtë pikëpamje, publiku apo ata njerëz që e kanë këtë stereotip e kanë të vështirë derisa të vijnë në dyert e Teatrit Kombëtar dhe në momentin që hyjnë në shfaqje, të paktën nga eksperienca e deritanishme, janë ndarë shumë mirë nga kjo shfaqje.

Kjo shfaqje që në thelb ka temën e problemeve në çift, provokon me skena erotike?

Nuk besoj se intimiteti i tejkalon limitet e një sjelljeje normale njerëzore, por sigurisht shfaqja ka puthje të gjatë, që nuk është me sikur, por ndodh realisht. Sigurisht që ato janë elemente provokative.

Ju pse provokoni?

Unë provokoj sepse dua të ngjall polemika. Për mua arti duhet të jetë provokativ në përgjithësi, dhe në veçanti teatri, sepse nëse teatri nuk provokon, ato ndjesi negative që secili nga ne i ka por nuk arrin t’i shpalosë në shoqëri, atëherë çfarë do ishte teatri? Një ilustrim i realitetit, një zbukurim….? Jo, përkundrazi, është një pasqyrë e këtij realiteti, prandaj dhe teatri konsiderohet si politik në kuptimin e ideve që përcjell. Në këtë kuptim, nëse kthejmë kokën mbrapa, një çift nuk puthej në rrugë, ndërsa tani ka ndryshuar ky realitet.

Ju provokoni dhe me skena dhune. A nuk ju duket pak e vështirë për t’u perceptuar nga publiku një burrë që rreh gruan?

Po, ka dhunë reale. Ata rrihen prej 2-3 minutash në skenë. Ne vetë kur e kemi ndërtuar në skenë kemi përqafuar njërit-tjetrin dhe kemi filluar të qajmë sepse ishte e vështirë. Edhe për ne nuk ishte e lehtë.

Si kanë qenë eksperiencat me publikun në shfaqjet e deritanishme në Maqedoni dhe Prishtinë, si ka reaguar ai?

Kemi pasur eksperienca të ndryshme, si me skenat e puthjes, ashtu dhe me ato të dhunës. Premierën e kësaj shfaqjeje e kemi dhënë në Akademinë e Arteve në Tiranë, më pas në Durrës dhe Korçë. Në Tetovë gjithashtu, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit. E pas Tetovës, në Prishtinë. Krejt ndryshe kanë qenë dhe reagimet e publikut. Në Tetovë p.sh, kur burri i gjuan me shpullë gruas, reagimi i publikut ishte i tillë: ah, ky qenka tamam burrë shqiptar. Në Prishtinë ishte një reagim krejt tjetër, në Tiranë gjithashtu. Pra, me këtë dua të them se ka reagime të ndryshme nga audienca të ndryshme. Të shohim si do jetë reagimi i publikut të Teatrit Kombëtar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama