Gjermani u hodh nga maja e vincit ne Tirane pasi zbuloi mashtrimin nga e dashura polake

Gjermani u hodh nga maja e vincit ne Tirane, pasi zbuloi mashtrimin nga e dashura polake

Zhgënjimi nga vajza që donte dhe mashtrimi se ajo banonte në Tiranë, ndërkohë që ishte polake dhe nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë dyshohet të jenë shkaku i vetëvrasjes së 25-vjeçarit gjerman, i cili i dha mbrëmë fund jetës duke u hedhur nga maja e vinçit pranë një ndërtese në qendër të Tiranës. 

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, në rrugën “Xhorxh Bush”, pranë Parlamentit, në zonën para ish-selisë së Partisë Demokratike. Viktima, sipas Policisë, është shtetas gjerman, i identifikuar nga e ëma, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes pak minuta pasi i biri ishte hedhur nga lartësia.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se viktima është shtetasi Dimo Dralle, i cili më 5 dhjetor mbushte 25 vjeç. Ai kishte mbërritur në Shqipëri një javë më parë, për të takuar një vajzë që e kishte njohur në rrjetet sociale. Vajza, e cila në realitet është shtetase polake, i kishte thënë atij se ishte shqiptare dhe jetonte në Tiranë dhe për këtë arsye ai kishte udhëtuar drejt vendit tonë, ku më pas ka zbuluar të vërtetën, pasi ka folur me vajzën, që ai e konsideronte të dashur.

Ky moment, kur ai zbuloi se vajza e kishte gënjyer, dyshohet ta ketë shtyrë atë drejt vetëvrasjes. I veshur vetëm me një palë pantallona të shkurtra, ai ka marrë me vete fotografinë e vajzës nga Polonia, një kukull që e kishte blerë për t’ia dhuruar asaj dhe ka dalë nga hoteli ku ishte akomoduar për të gjetur vendin që do t’i jepte fund jetës.

Ai ka arritur të futet brenda një kantieri ndërtimi, në rrugën “Xhorxh Bush”, në qendër të Tiranës, pa u diktuar nga roja i objektit dhe është ngjitur në vinç. Ka qëndruar aty për gati 10 minuta dhe ky moment është parë nga dhjetëra dëshmitarë që ndodheshin duke pirë kafe në lokalet përballë vendit të ngjarjes.

NGJARJA


Dëshmitarët thanë dje se i riu ka qëndruar mbi vinç, në rreth 30 metra lartësi dhe fillimisht askush nuk e ka menduar seriozisht se ai mund të hidhej. Megjithatë, disa persona kanë lajmëruar Policinë, duke kërkuar shërbimet në vendin ku kishte hipur personi që sipas tyre thërriste me zë të lartë, por nuk kuptohej qartë se çfarë thoshte, pasi fliste në gjuhën angleze.

Shërbimet e Policisë të Komisariatit nr.1 kanë mbërritur menjëherë në vendin ku ishte dhënë njoftimi, por pak minuta më pas 25-vjeçari është hedhur duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje kanë mbërritur oficerë e ekspertë kriminalistë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, që kanë bërë këqyrjen paraprake të viktimës dhe vendit të ngjarjes.

Burimet thanë se fillimisht ka qenë i vështirë identifikimi, pasi 25-vjeçari kishte veshur vetëm një palë pantallona të shkurtra dhe në xhep kishte një celular, të thyer nga përplasja, e asnjë dokument identifikimi. Ka qenë nëna e tij, që sapo ka para lajmet në televizione ka shkuar pranë vendit të ngjarjes dhe ka bërë identifikimin e të birit.

Më pas disa zjarrfikës kanë hipur në vinçin nga ku u hodh i riu, ku kanë gjetur fotografinë e një vajze dhe një kukull. Burimet thanë se është shoqëruar për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes roja i objektit në ndërtim, i cili kishte si detyrë parësore të mos lejonte persona të paautorizuar të futeshin aty.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama