Gjermania 50 vite makth ndaj Italise. Tete duelet historike

Gjermania, 50 vite makth ndaj Italisë. Tetë duelet historike

Të gjithë e dinë që Italia është rivali më i frikshëm për Gjermaninë. Në tetë sfida legjendare në Europian dhe Botëror, "pancerat" nuk arritën dot të fitonin asnjëherë. Rivaliteti mes tyre mbart një histori 50-vjeçare që nga 31 maji 1962 deri te "shreku" Baloteli në tapetin e Varshavës më 28 qershor 2012.

1649606_big-lnd

Botërori 1962 në Kili, 31 maj 1962 (0-0)

Ndeshja e parë zyrtare mes Gjermanisë dhe Italisë përfundoi pa gola dhe pa shumë shanse. Të vetmin shans të madh e pati Uve Zeler në minutën e 12-të, por në "Santiago de Kili" e dënoi traversa. Pas fitores ndaj Zvicrës dhe Kili, "pancerat" kaluan grupin, ndërsa Italia u skualifikua si vend i tretë.

germany_italy1970

Botërori 1970 në Meksikë, 17 qershor 1970 (Gjysmëfinale 3-4)

Gjysmëfinalja e shekullit dhe mitike. Në mes të vapës (40 gradë) para 110 mijë spektatorëve në "Aztekenstadion" të Meksikos, Roberto Boninsenja kalon në avantazh Italinë në minutën e 8- të, ndërsa Bekenbauer luan me sup të dëmtuar nga minuta e 65-të. Karl-Hainc Shnelinger barazon dhe ndeshja shkon në shtesë. Gjermania kalon në avantazh (Gerd Myler), Italia barazon (Burgnish). Të kaltrit i përmbysin (Riva), "pancerat" barazojnë (Gerd Myler 110´), ndërsa Xhani Rivera vulos 3-4. Pesë gola për 17 minuta, një gjysmëfinale historike. Italia e humb finalen 1-4 ndaj Brazilit.

imajkge

Botërori 1978 në Argjentinë, 14 qershor 1978 (0-0)

Në mjegullën e Buenos Airesit, Gjermania i falet superformës së portierit Zep Maier. Ekipi i Helmut Shën del me një barazim pa gola kundër Italisë në fazën në grupe. Si ndaj Polonisë dhe Tunizisë, "pancerat" nuk shënuan. Ish-kampionët në fuqi të botës skualifikohen në turin e dytë 2-3 ndaj Austrisë, e cila quhet edhe "Turpi i Kordobës", ndërsa Italia e mbyll turneun në vend të katërt.

tumblr_m6b874Me1d1r6mwuno1_1280

Botërori 1982 në Spanjë, 11 korrik 1982 (Finalja 1- 3)

Pas humbjes në gjysmëfinale 1970, finalja në Madrid ka qenë humbja më dëshpëruese. Ishte finalja e parë mes tyre dhe Italia e fitoi. Pas barazimit pa gola në pjesën e parë, brenda 24 minutave Paolo Rosi (57´), Marko Tardeli (69´) dhe Alesandro Altobeli (81´) i dhanë avantazhin 3-0 "axurrëve". Pol Brajtner shënoi golin e nderit (83´). Italia mundi Argjentinën, Brazilin dhe në finale Gjermaninë duke çuar në Romë kupën e tretë të botës.

06272012_bundesligaclassic_germanyitaly1988_header

Europiani 1988 në Gjermani, 10 qershor 1988 (1-1)

Gjermani-Itali çeli Europianin në Dyseldorf. Trajneri aktual i Interit, Roberto Mançini, i jep avantazhin në minutën e 53-të, ndërsa Andreas Brehme barazon pas 3 minutash nga një goditje dënimi. Ekipi i drejtuar nga Bekenbauer skualifikohet në gjysmë- finale nga Holanda (1-2). Në këtë fazë skualifikohet edhe Italia.

Gianfranco-Zola-of-Italy-003

Europiani 1996 në Angli, 19 qershor 1996 (0-0)

Edhe pse doli barazim pa gola, Gjermania doli nga fusha moralisht fituese. Ishte ndeshja e tretë në grup dhe Andreas Këpke i pret penalltinë Xhanfrako Zolës dhe ndeshja mbyllet pa gola. Gjermania e mbyll e parë grupin, ndërsa Italia shokohet pas barazimit në minutën e fundit mes Rusisë dhe Çekisë, pasi skualifikohet. Këpke shndërrohet në heroin e gjysmëfinales ndaj Anglisë dhe "pancerat" e Berti Fogst fitojnë trofeun e tretë Europian në "Uembli" pas "goldengolit" të Bierhofit ndaj Çekisë.

Botërori 2006 në Gjermani, 4 korrik 2006 në Dortmund (Gjysmëfinale 0- 2)

Në gjysmëfinale, në stadiumin e Dortmundit, Italia u shkatërron gjermanëve ëndrrën për të fituar Botërorin në shtëpi. Në një duel të barabartë pa gola dhe kur të gjithë mendonin se do vulosej nga penalltitë, Fabio Groso (119´) dhe Alesandro Del Piero (120´) shënojnë në dy minutat e fundit të shtesës dhe Balak shpërthen në lot. Pesë ditë më pas fitojnë kupën në mes të Berlinit me penallti ndaj Francës.

Mario-Balotelli-scores-against-Germany

Europiani 2012 në Poloni-Ukrainë, 28 qershor 2012 (Gjysmëfinale 1-2)

Mario Baloteli, tmerri i Gjermanisë. Me dy golat e tij (20´, 36´) vulosi fitoren e Italisë. Në golin e tij të dytë ai pozon si figurë "bodybuilding" duke u treguar muskujt gjermanëve. Goli i Ozilit në minutën e fundit nuk shmangu dot humbjen. Momenti më i hidhur për Lëvin në fushën e Varshavës, të cilën e rikuperon 2 vite më vonë me triumfin në Botëror. Por, në finale, Italia shkatërrohet 0-4 nga Spanja.

Përgatiti: Einar Ibro



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama