Gjermania E ardhmja e sigurt e Shqiperise eshte BE-ja

Gjermania: E ardhmja e sigurt e Shqiperise eshte BE-ja

Gjermania garanton Shqipërinë për mbështetjen në rrugën e integrimit për në BE. Në kuadër të vizitës së tij në Gjermani, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati u prit në një takim dhe zhvilloi bisedime me Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwelle. Ministri gjerman vlerësoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke u shprehur se, e ardhmja e sigurt e vendit është BE-ja. Ai siguroi vazhdimësinë e mbështetjes së Gjermanisë dhe inkurajoi përmbushjen e mëtejshme të reformave, veçanërisht për sa i përket shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë takim, ministri Bushati e informoi homologun e tij mbi avancimin e Shqipërisë në axhendën e saj evropiane, rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat, si dhe zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

Nga të dyja palët, u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, si dhe u shpreh vullneti i përbashkët për ngritjen në nivele më të larta të bashkëpunimit, me fokus të veçantë në fushën ekonomike dhe kulturore. Të dy ministrat biseduan dhe mbi zhvillimet me të fundit në arenën ndërkombëtare. Ministri Bushati prezantoi prioritetet e qeverisë në planin e brendshëm dhe në atë të politikës së jashtme të Shqipërisë. Ai siguroi për angazhimin e plotë të qeverisë për përmbushjen e të gjitha reformave të nevojshme të evidentuara nga Komisioni Evropian dhe të përfshira në planin e veprimit të miratuar nga qeveria. Gjithashtu, ministri Bushati, vuri theksin në politikën konstruktive të Shqipërisë në rajon, bazuar në konceptin e gjithëpërfshirjes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama