Gjermania Shqiperia dhe Kosova te shpallen vende te sigurta

Gjermania: Shqiperia dhe Kosova te shpallen vende te sigurta

Zyrtarët gjermanë kërkojnë rritjen e masave për trajtimin e numrit në rritje të azilkërkuesve nga Ballkani, duke përfshirë rivendosjen e vizave, apo duke i deklaruar vendet e origjinës së emigrantëve, si vende të sigurta.

BBC raporton se në këto ditë ndjehet një presion i madh mes zyrtarëve në Gjermani, për shkak të një rritje të madhe të kërkesave për azil të këtij viti, apo dhe incidenteve lidhur me këtë fenomen. Jo më larg se dje, në periferi në Drezden, makina e këshilltarit Michael Richter, i cili kishte ndihmuar refugjatët, u hodh në erë.

Në këtë mënyrë, zyrtarët gjermane kërkojnë që Shqipëria, Kosova dhe Mal të Zi të shpallen vende të sigurta. Propozimet vijnë pasi që kur Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia u shpallën "vende të sigurta" në dhjetor, rritja e azilkërkuesve nga këto vende ishte vetëm 12%, bëri me dije Zyra Federale e Gjermanisë për Migrim dhe Refugjatë (BAMF). Ndërsa numri i azilkërkuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi ka shkuar më shumë se 500%, sipas BAMF.

Çfarë do të thotë një vend i sigurt

Një klasifikim i një vendi si  "i sigurt", e bën më të lehtë për autoritetet gjermane që të dërgojnë përsëri azilkërkuesit në vendet e tyre, për shkak se vetëm në këtë mënyrë, mund të vërtetohet që azilkërkuesit nuk janë viktima të persekutimit mbi baza politike, fetare ose etnike në vendin e tyre.

Një zëdhënës i BAMF, i cituar nga mediat gjermane, ka thënë se rivendosja e kërkesave për viza mund të ndihmojë në frenimin e fluksit nga Ballkani. Gjermania u ndesh me një rritje të numrit të azilkërkuesve nga Bosnje-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia, pasi kërkesat për viza u hoqën për këto vende, raportoi BAMF.

Megjithatë, shumica e vendeve të BE-së, duke përfshirë edhe Gjermaninë, iu përmbahen rregullave Shengen të BE-së, të cilat lejojnë udhëtimin e pakufizuar në Evropë. Kufizime të tjera për viza në Gjermani, kërkojnë një vendim të marrë në nivel të BE-së, me votim me shumicë të cilësuar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama