Gjermania bllokon azilin per Shqiperine dhe Kosoven

Gjermania bllokon azilin per Shqiperine dhe Kosoven

Gjermania të hënën shpalli që Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi do të klasifikohen si "shtete të sigurta". Kjo do të thotë që njerëzit që vijnë në Gjermani nga këto vende do të rikthehen më shpejt, dhe shumë pak do të fitojnë statusin e azilit.

Me fjalë të tjera, diçka e tillë do ta bënte refuzimin e azilit një proces thuajse automatik për shtetasit e këtyre vendeve.

Gjermania tashmë i ka vendosur të gjitha shtetet e BE-së si dhe Ganën, Senegalin, Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjën si “shtete të sigurta”, që do të thotë që kërkesat për azil nga shtetasit e këtyre vendeve kanë më shumë gjasa të refuzohen.

Ky vendim erdhi pasi që Gjermania të hënën zbuloi planin e parë se si do të merren me influksin e rritur të refugjatëve që po hyjnë në këtë vend.

Plani, i prezantuar nga Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe zëvendës-kancelari Sigmar Gabriel, në Berlin, përfshin rritjen e buxhetit dhe resurseve për pranimin e refugjatëve, si dhe marrjen e masave për përshpejtimin e procesit të aplikacioneve për azil.

Merkel tha që Gjermania do të shtojë 3 miliardë euro në buxhetin e 2016 dhe do ti japë edhe 3 miliardë euro për shtetet dhe bashkitë gjermane për të trajtuar numrin rekord të kandidatëve për azil.

Në këtë plan, kandidatët për azil nga shtetet e Ballkanit Perëndimor do të qëndrojnë në qendra pritjeje fillestare, ku autoritetet do të ndihmojnë në vendosjen e akomodimeve dimërore për 150,000 njerëz.

Koha e qëndrimit maksimale për refugjatët aty është zgjatur nga tre në gjashtë muaj. Refugjatët duhet të qëndrojnë në këto qendra për këtë periudhë.
Kandidatët që iu është refuzuar kërkesa do të rikthehen në shtetet e tyre të lindjes më shpejt se në të kaluarën.
“Kushdo që nuk është i përshtatshëm për banim të përhershëm duhet të largohet nga vendi,” tha Merkel, duke shtuar që përfitimet sociale për ata që do të rikthehen do të zvogëlohen.

Qeveria gjithashtu po planifikon një mini-ligj imigracioni që do të ndihmonte njerëzit nga Ballkani, sidoqoftë.
"Njerëzit nga këto shtete që mund të dorëzojnë prova të punësimit ose pozicioneve të trajnimit do të lejohen të punojnë këtu", tha kancelarja.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies së Gjermanisë, Andrea Nahles, tha që në pesë vitet e ardhshme Gjermania duhet të jap 20 mijë leje pune për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, pa marrë parasysh kualifikimet e njerëzve.

Në një intervistë me Der Spiegel javën e kaluar, Nahles tha që kandidatura për anëtarësim në Bashkimin Evropian e vendeve si Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, nuk mund të diskutohet ndërkohë që njerëzit nga këto shtete vijnë në Gjermani për azil.

Sipas të dhënave zyrtare, gati 40% e të gjithë kandidatëve për azil në Gjermani vijnë nga Ballkani.

Në gusht, liderët e Kosovës dhe Malit të Zi thanë që besojnë që Gjermania duhet t’i vendos shtetet e tyre si "shtete të sigurta".

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe homologu i tij malazez, Milo Dukanovic, i shprehën dëshirat e tyre në letra drejt Parlamentit Evropian.

"Ne jemi në pajtim që Kosova të klasifikohet nën ligjin gjerman si shtet i sigurt", shkroi Mustafa, duke shtuar që persekutimi politik ose tortura nuk ekzistojnë në këtë shtet ballkanik.

Letra e Dukanovic kishte të njëjta nuanca: "Mali i Zi i përmbush të gjitha kushtet për t’u klasifikuar si një shtet i sigurt nën ligjin gjerman", shkroi Dukanovic. Ai shtoi që nuk shihte asnjë arsye pse ndonjë qytetar malazez "duhet të kërkojë azil në ndonjë shtet Evropian apo tjetër".


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama