Shërbimi Federal sekret i Gjermanisë ka spiunuar Shqipërinë prej disa vitesh për të mbajtur nën kontroll “krimin e organizuar”, fakt ky që është publikuar nga vetë revista gjermane “Der Spiegel”.
Në një raport të përjavshmes thuhet se Shqipëria ka qenë pjesë e vendeve të rëndësishme për t’u monitoruar edhe para se t’i bashkohej NATO-s në vitin 2009. Raporti, u botua vetëm një javë pasi e njëjta revistë, “Der Spiegel”, zbuloi se Inteligjenca gjermane kishte përgjuar një bisedë telefonike të bërë nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, si edhe kishte spiunuar gjatë dhe Turqinë. Zbulimet e reja kanë derivuar debate të forta mes shtetesh, sidomos mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë janë rritur së tepërmi tensionet. Ndërkaq, dhe në Ankara janë shfaqur shenja zemërimi, dhe ambasadori gjerman është thirrur nga përfaqësues të qeverisë për të dhënë shpjegim brenda kësaj jave. Gjermania është tronditur nga skandali i madh i spiunazhit dhe për shkak të tyre qeveria mori masën e largimit të shefit të stacionit të CIA-s në Gjermani nga posti i tij, pas presionit të madh ndërkombëtar si edhe për të ruajtur sovranitetin kombëtar.
Një sërë akuzash duket të jenë lëshuar ndaj Gjermanisë, kohët e fundit, në lidhje me përgjimet, kur më herët qeveria e Berlinit ankohej se Uashingtoni kishte kryer operacione intensive spiunazh në Gjermani, duke përfshirë dhe përgjimi të celularit të Kancelares Angela Merkel. Emrat e Shqipërisë dhe Turqisë u shfaqën në një listë që bashkëpunëtori i Shërbimit Informativ Gjerman dhe njëkohësisht spiuni i CIA -s, Markus R. ua kishte dhënë klientëve të tij. Bëhet fjalë për rreth 1 mijë faqe informacion, ku kishte edhe dokumente që klasifikoheshin si “delikatë”. Por cili do të jetë tashmë reagimi i qeverisë së Tiranës pas publikimit nga mediat gjermane të këtij lajmi? Gazeta “Frankfurter Allgemeiner Zeitung” shkruan se një zbulim i tillë vjen në një moment vërtet delikat, pasi Kryeministri Rama do të vizitojë Gjermaninë në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, një samit i thirrur nga Kancelarja Merkel. Nga ana e saj, Ankaraja zyrtare, e zemëruar nga ky lajm, thirri për shpjegime, ambasadorin gjerman.
2009
Shërbimi Federal Sekret i Gjermanisë ka përgjuar Shqipërinë që prej vitit 2009, nga koha kur u anëtarësuam në NATO