Rreth 1 mijë personave në Gjermani u është refuzuar kërkesa për azil, ndërkohë që autoritetet kanë dhënë një afat prej 7 ditësh për të lënë territorin gjerman.
Autoritetet në Prishtinë deklarojnë se nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve që kanë emigruar në mënyrë të paligjshme këto dy muajt e fundit, por flitet për mijëra persona që kanë emigruar ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, në kërkim të një jete më të mirë.
Në muajin shkurt nga landi i Bavarisë së Gjermanisë, u kthyen 30 azilkërkues kosovarë, pas refuzimit të kërkesës së tyre për azil. Në dokumentet e publikuara nga mediet kosovare, shkruhet:
“Bundesamt (Zyra Federale) ka refuzuar aplikimin tuaj/përsëritjen e aplikimit për azil, dhe kërkohet që ju ta lëshoni Republikën Federale të Gjermanisë brenda periudhës së caktuar kohore”, thuhet në letër.
Vetëm gjatë ditëve të para të shkurtit, në Gjermani kanë hyrë 3400 refugjatë kosovarë, prej të cilëve 800 vetëm në Bavari. “Eksodi nga Kosova dhe abuzimi me të drejtën gjermane të azilit duhet të ndërpriten menjëherë dhe në mënyrë efektive”, ka thënë ministri bavarez i Punëve të Brendshme, Joachim Herrmann.