Kabineti qeveritar gjerman vendos sot për shpalljen e tre vendeve nga Ballkani, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi si vende të sigurta origjine.
Më pak se një javë pas samitit të Berlinit për refugjatët, kabineti qeveritar gjerman vendos në Berlin për një paketë ligjore që parasheh ndryshime në politikën e azilit dhe të refugjatëve. Me këtë hap derdhet në ligj ujdia e arritur në samitin e para pak ditëve për refugjatët mes federatës dhe landeve, ku ndër të tjera u ra dakord për shpërndarjen e shpenzimeve për sfidën e refugjatëve, si edhe akomodimin dhe kujdesin shëndetësor për ta. Në këtë samit u ra në ujdi edhe për shpalljen e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi si vende të sigurta origjine, gjë që do të shkojë paralelisht me shkurtimin e asistencave për këto grupe refugjatësh.
Për qeverinë gjermane refugjatët që vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi nuk janë të përndjekur politikisht. Por për miratimin e paketës së re ligjore qeveria e Unionit CDU/CSU dhe socialdemokratëve duhet të marrë edhe miratimin e Të Gjelbërve në Këshillin Federal. Dy nga landet e bashkëqeverisura me Të Gjelbrit duhet të thonë së paku Po. Sinjalet janë që kësaj here qeveria do të marrën miratimin e Këshillit Federal për shpalljen e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi si vende të sigurta origjine.