Vijnë për ta vizituar më shumë turistë se në Francë. Universitetet më të mira kanë një vlerësim që frikëson çdo kundërshtar në botë. Kryeqyteti është një djep shumëkulturor, i adhuruar nga të rinjtë dhe i pagëzuar si qyteti që nuk fle kurrë. Demokracia e tij, modeli i stabilitetit dhe bashkekzistencës merren si shembull nga Roma në Tokio. Duket se tani i ka zënë vendin plotësisht asaj që dikur Tony Blair e quajti “Cool Britania”. Sot, me plot gojën, mund të themi “Cool Germania”. Vendi më i pëlqyer nga opinioni publik botëror, më i preferuari nga turistët, që ka universitete të lavdishme dhe metropolin më të adhuruar nga intelektualët, nuk është më Londra, por Berlini.
“Cool Germania” është dashuria e momentit. Nuk e besoni? Lexoni raportin e pagabueshëm të BBC. “Annual BBC World Service Country Rating Poll”, një sondazh akademiko-shkencor i bërë në 27 vende, i ka dorëzuar “Palmën e Artë” për vendin që pëlqehet më shumë, gjigandit të zemrës së Europës që dhjetëvjeçarë më parë shihej me dyshim për shkak të luftërave dhe Shoah-ut. Bota ka ndryshuar faqe, tani Britania është në vendin e dytë. Është mundur nga ish-armiku i saj. Prej kohësh, tashmë modeli që Gjermania ofron adhurohet nga të gjithë. Por nuk mjaftojnë sukseset ekonomike: BMW-të apo “Mercedes”-ët përrallorë për të shpjeguar se përse kundrejt ëndrrës amerikane dhe “Cool Britania”, bota ka preferuar deri tani të panjohurën “Cool Germania”. Në çdo çast të mënyrës së të jetuarit – kapitalizmi i moderuar nga solidariteti social, refuzimi instiktiv i çdo “muri kundër murit”, ish-armiqtë e së kaluarës kanë bërë për vete zemrat e imagjinatës kolektive globale. Sidomos tani që – siç shkruan “Financial Times” dhe “Economist” udhëhiqet nga një grua, një gei dhe nga një i paralizuar: përkatësisht Angela Merkel, Guido Westerwelle dhe Wolfgang Schaeuble, ndërsa politikani më popullor, baroni 39-vjeçar, Zu Guttenberg dha dorëheqjen rreth 15 ditë pas akuzës për plagjiaturë në tezën e doktoraturës së tij. “Cool Germania” - e sheh kudo.
E sheh duke shëtitur në kampusin e “Freie Universitat” të Berlinit, ku sheh shumë çifte të përziera, ku ajo mund të jetë japoneze, ndërsa ai afrikanojugor, ai indian ndërsa ajo gjermane. E sheh në të gjitha universitetet publike, që u ofrojnë të rinjve edukim cilësor dhe të barabartë. E ndien teksa del nga metroja në Portat e Brandenburg-ut, ku dëgjohen gjuhët e përziera të botës si në “Knightsbridge” apo në “Times Square”. “Mrekulli, Gjermania që deri pak vite më parë lidhej në kujtesën kolektive vetëm me luftën, është vendi më popullor në botë”, shkruante pak ditë më parë “Daily Telegraph”. Vend shumë i pasur, eksportues i madh i mjeteve teknologjike, ku mekanizmat e mirëqenies sociale funksionojnë për mrekulli, dhe me kapitalizmin që të frikëson shumë herë më pak se në vendet e tjera. Por pyetja që shtrohet është kjo: si ka arritur të bëhet vendi më i preferuar në botë pa pasur gjuhën globale si gjuhë nënë? “Globalscan”, që e ka ndjekur sondazhin bashkë me Universitetin e Maryland-it për BBC-në, i jep arsyet përse.
“Gjatë dhe pas stuhisë së krizës financiare, Gjermania fitoi një profil të lartë të vendit të begatë, demokratik, të qëndrueshëm dhe të hapur ndaj botës”, thonë kërkuesit. Mes njerëzve më entuziastë që e pëlqejnë këtë mënyrë jetese gjermane, pa e njohur dhe e pa e kuptuar janë italianët: 89 për qind e të pyeturve, sipas sondazhit që u bë nga BBC, janë pro “Cool Germania”. Madje më shumë se vetë gjermanët (86 për qind). “Ndoshta gjermanët i pëlqejnë botës, sepse ndoshta kanë gjetur ekuilibrin e brendshëm që e humbën pas largimit të kancelarit të Gjermanisë së bashkuar Otto von Bismark dhe rritjes së nacionalizmit”, thotë profesor Michael Stuermer, ish- këshilltari i Helmut Kohl dhe historian i famshëm. Që atëherë, dy luftëra të humbura botërore dhe frika dhe tmerri i nazizmit e bënë që të binte shumë poshtë.
Kur ra muri dhe Gjermania u bashkua, me të u rizgjuan frikërat në botë: humor i keq në Paris, frikë në Varshavë, kujtimet më të këqija në Izrael. Atëherë ishin ndjesi të rënda, ndërsa sot janë gjëra që i përkasin së kaluarës. Por kurioziteti i atyre që preferojnë të udhëtojnë, flet shumë. Gjermanët, që deri dje cilësoheshin si monotonë e provincialë, e kanë lënën pas Francën: 60 milionë turistë e më shumë. Berlini është magneti i madh, rinor dhe kozmopolit. Por Gjermania ka edhe qytete në pamje të parë shumë të ftohta, si metropoli financiar, Frankfurti, që po sheh rënie të numrit të vizitorëve. Armiku i së shkuarës nuk të ngjall më frikë, përkundrazi të tërheq shumë.
Në Berlin, ish-viktimat e së shkuarës d.m.th, polakët, rusët dhe izraelitët, sipas burimeve nga Ministria e Turizmit dhe autoritetet e emigracionit, janë vizitorët numri i të cilëve po rritet në mënyrë të vazhdueshme. Studentë, arkitektë, dizajnerë, sipërmarrës të mëdhenj e të vegjël: një det njerëzish të kualifikuar, arratisja e trurit nga shumë vende për të gjetur qetësi në Almanya, njëkohësisht toka e premtuar që dy regjisore të reja të talentuara, Yasemin dhe Nsrin Sandrelli kanë përshkruar në filmin e tyre të fundit. Qyteti nuk është më ëndrra e qytetarëve të varfër turq apo të dëshpëruarve të vendeve të Ballkanit, paralajmërojnë kolegët e “Welt” dhe të “Tagesspiegel”: në Berlin tani vijnë për të jetuar dhe punuar edhe shumë VIP-a të kulturës globale. Renzo Piano dhe Sir Norman Foster kanë riprojektuar qytetin pa murin, ndërsa Simon Rattle drejton “Berliner Philharmoniker”.
Po ashtu shumë prej yjeve të Hollywood-it janë transferuar këtu. Brad Pitt dhe Angelina Jolie, Johnny Deep dhe Jeff Bridges bëjnë gjithë atë rrugë për të punuar mes Kalifornisë dhe Prusisë dhe kënaqen duke blerë apartamentet më të bukur në qendër apo në vilat antike të Potstam-it, Versajës së prusianëve. Por nuk janë vetëm VIP-at që vijnë me entuziazëm në vend, tregojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Këtu vijnë edhe mijëra ekspertë interneti indianë, rusë apo nga shtete të tjera të Europës, për të hedhur bazat e një jete të re. Fytyrat e tyre prej kohësh nuk duken më të huaja, prej ngado vend i botës që vijnë të rinjtë sjellin inteligjencë, ide të reja për modën, shije dhe aroma të reja ushqimesh.
Kthesat për sytë e botës nisin me Botërorin e Futbollit në vitin 2006 apo edhe me kombëtaren e fundit në Afrikën e Jugut. Tifozët gjermanë, që kishin vështirësi të madhe për fitore. Vërtet dy Botërorë të humbur, por dy humbje të pranuara me entuziazëm për një kombëtare multietnike si askush tjetër. “Të urryer dhe të lënë pas dore, pas vitit 1945 synuan të bëheshin më të mirët”, shkruajnë mediat angleze. Tani, edhe kur shkojnë në luftë: Nga Ballkani në Afganistan, ushtarët e Bundeswehr hapin shkolla, spitale dhe puse dhe nuk kanë famën e pushtuesve si perëndimorët e tjerë. Edhe kur kthehen në arkivole mbi avionët ushtarakë, “Cool Germaia” i jep përshëndetjen e fundit në heshtje ushtarëve të saj të paqes.