Gjermeni Paketa ligjore per legalizimin falas brenda Janarit

Gjermeni: Paketa ligjore per legalizimin falas, brenda Janarit

Çështjet e legalizimeve të banesave , e shembjes së ndërtimeve pa leje dhe planet rregulluese që priten të zbatohen janë fokusi kryesor i intervistës së ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni në emisionin e parë “Të Bësh Ekonomi” për këtë vit. Ministrja i është përgjigjur edhe pyetjeve lidhur me turizmin dhe strategjitë që qeveria do të marrë për zhvillimin e këtij sektori në Shqipëri.

 

Çfarë do të jetë falas në procesin e legalizimeve? 

Në 8 vite nga 293 mijë aplikime për legalizime janë bërë vetëm 22 mijë legalizime. Kjo është një lloj dëshmie se vërtet legalizimet dhe procesi i tyre janë përdorur për fushata elektorale dhe qytetarët kanë hasur vështirësi në dokumentimin e pasurive të tyre.

 

Sa është borxhi i ALUIZNIT?

Nga pagesat e sigurimeve shoqërore dhe nga pagesat e punonjësve që janë marrë me kontratë është mbi 1 miliard lekë. Ky është vetëm një nga treguesit e situatës së dështimit të këtij institucioni. Në zyrat e ALUIZNIT janë mbi 50 mijë dosje dhe kërkesa të cilat kanë ardhur nga qytetarë të cilët kurrë nuk morën përgjigje.

 

Çfarë do të ndodhë tani? 

Ky institucion po reformohet dhe po rikonstrukturohet. Ky institucion duhet të punojë në harmoni me institucionet e tjera. E rëndësishme është marrja në punë e profesionistëve dhe vendosja e një standardi tjetër të punës ku në si institucion shtetëror shkojmë tek qytetarët dhe jemi aty për t’i zgjidhur problemet. Përgjegjshmëria dhe lufta kundër korrupsionit është një detyrim ligjor dhe moral që ne e kemi përballë qytetarëve. Jemi zotuar që procesi i legalizimeve do të jetë falas.

 

Çfarë nënkuptoni me këtë?

Po punohet për një paketë ligjore e cila në janar do të kalojë në Këshillin e Ministrave e më pas në parlament për të gjithë hapat dhe procedurat që ne do të ndjekim përsa i përket procesit të legalizimeve. Ajo për të cilën jemi angazhuar është procesi falas dhe nuk do të ketë hallka të tepërta dhe burokraci për të cilët qytetarët duhet të paguajnë duke filluar që nga roja deri te drejtuesi i institucionit. Brenda 4 -vjeçarit pjesa më e madhe e legalizimive do të ketë përfunduar.

 

Për ta bërë më konkrete për qytetarët nëse dikush ka një banesë për të legalizuar, çfarë do të përfitojë falas dhe çfarë do të paguajë?

E gjitha kjo është paketa që ne po hartojmë dhe që do ta prezantojmë në janar në një event publik. Do prezantohen në mënyrë të detajuar paketën ligjore. Dua të theksoj se i gjithë procesi i legalizimeve do të jetë falas.

 

Pjesa e procedurave do të jetë falas. Po për pjesën e ndërtimit apo për tokën do të paguhet? 

Kjo është pjesë e paketës që ne do të prezantojmë brenda janarit.

 

Po shihen mundësitë që dhe të jetë falas dhe me tarifa të reduktuara?

Do u jepet fund një herë e mirë sorollatjeve të pakuptimeve. Dhënia e certifikatës së pronësisë dhe legalizimeve falas do të jetë siç e kemi premtuar, prandaj dhe jemi të angazhuar.

 

Nga shqyrtimi dosjeve çfarë problematike ka dalë në pah? 

Kemi parë një seri dosjesh dhe do të kemi një audit të thelluar gjatë muajit janar për aluiznin. Kemi vënë re parregullsi të pafundme në procesin e legalizimeve që nga momenti që shumë qytetarë kanë paguar dhe i është zgjatur tej mase procesi dhe nuk janë legalizuar ndërtesat. Qoftë pagesën zyrtare qoftë edhe pagesën nën dorë. Janë bërë legalizime rekord në periudhën para zgjedhjeve por edhe në ditët e parta ardhjes së qeverisë së re duke pasur synime klienteliste. Kemi vënë re që ka pasur legalizime të ndërtesave të palegalizuara. Është sikur të thuash që është legalizuar ajri. Legjislacioni ka pësuar shumë ndryshime gjatë 8 viteve për interesa klienteliste. Ndryshimet në ligj e kanë bërë të paqartë këtë proces dhe duke e bërë procesin të zbatueshëm sipas zgjedhjeve të tyre.

 

Çfarë do të ndodhë me rastet, si atëherë kur ju thatë që është legalizuar ajri si dhe në rastet kur certifikatat e pronësisë janë dhënë në mënyrë klienteliste?

 

Si për zyrtarët që kanë lëshuar një dokument të tillë ashtu edhe për qytetarët të cilët e kanë përfituar.

Një pjesë e mirë e shkeljeve janë denoncuar nga KLSH dhe janë dërguar në institucionet përkatëse të drejtësisë nga ana tjetër edhe ne nëpërmjet auditit të gjitha shkeljet do i dërgojmë në institucionet përkatëse.

 

A do ketë prioritet për rastet e vonuara? 

Dosjet ekzistuese do të jenë prioritare në të gjithë punën tonë ata që kanë bërë pagesat dhe që kanë kohë që dosjet e tyre qëndrojnë aty. Puna ka filluar me evidentimin e rasteve nga stafi i ALUIZNIT.

 

A ka një shifër se sa do të jetë numri i familjeve që do të marrin një certifikatë pronësie në fund të vitit 2014? 

Nuk e them dot me siguri sot, por me paketën ligjore që do të sjellim në janar do të kemi një kalendar tyë qartë se si do të vazhdojë ky proces deri në fund të vitit.

 

Sipas ligjit të ardhurat e legalizimeve duhet të shkojnë për shpronësimin e pronarëve, kanë qenë vërtet këto të ardhura me një destinacion të tillë? 

Në fakt sipas ligjit ashtu duhet të jetë. Shuma e mbledhur nga pagesat është 7 miliardë lekë, nga të cilat 4 miliardë janë përdorur për kompensimin e ish pronarëve dhe 3 miliardë janë përdorur nga qeveria e mëparshme në kundërshtim me ligjin nga ministria e financave në një zë tjetër. Pra nuk janë përdorur për destinacionin e parashikuar nga ligji.

 

Cila është problematika që po haset në procesin e legalizimeve pasi ju e shihni punën në terren jeni dhe duke hartuar paketën e masave. Kush është problematika më emergjente? 

Dhënia e certifikatave është parë si një ëndërr nga shumë qytetarë, të cilët janë treguar vërtet qytetarë të denjë duke kërkuar legalizimin e banesës së tyre, por janë përballur me heshtje, mosdhënie të përgjigjes, mospërfillje dhe për më tepër me abuzim ndaj të drejtave të tyre. Shikoj që iu ka humbur besimi për këtë gjë. Problemi më i madh është që të fitosh besimi e tyre dhe që ata të fitojnë atë çka u takon.

 

Mbi 290 mijë dosje ndodhen në zyrat e ALUIZNI në të gjithë vendin sa i përket procesit të legalizimit. Të gjitha do të shkojnë drejt legalizimit apo ju keni një hartë tuajën me të gjitha ndërtimet që priten të legalizohen në të gjithë vendin. Do të ketë një proces rivlerësimi nga ana juaj? 

Sigurisht që procesi bëhet nga ALUIZNI, e para duke parë dosjet, e dyta në faqen e aluiznit kemi vendosur një seksion ku kërkojmë të denoncohen nga qytetarët problematikat për legalizimet dhe kërkesat në një kohë rekord. I gjithë procesi do të jetë në vazhdimësi dhe ristrukturuar që do të fillojë me ndryshimet ligjore në janar dhe që do të vijojnë me një kalendar ku do të përcaktohet specifikisht se ku dhe si do të vijojë ky proces. Kemi evidentuar problematik në një kohë të shkurtër. Procesi i legalizimeve ka qenë proces i dështuar. Do krijojmë një model tjetër të zhvillimit urban të kontrolluar


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama