Gjici jep 100 mije euro premio Tani kalojme edhe austriaket

Gjici jep 100 mijë euro premio: Tani kalojmë edhe austriakët

Edhe pse pas barazimit në ndeshjen e parë, presidenti Safet Gjici u pa shumë i irrituar me lojtarët dhe stafin teknik të skuadrës së tij, ai sërish ka vendosur premio për futbollistët. Shpërblimi në këtë rast nuk ishte i vogël, pasi skuadra do të përfitojë plot 100 mijë euro pas kualifikimit të djeshëm.

gjici

Presidenti i Kukësit, në një intervistë për "Panorama Sport" pas triumfit me Rudarin, shprehet i kënaqur nga ajo që skuadra e tij ka dhënë në fushën e lojës, megjithatë tani kërkon një tjetër triumf, ndaj Austrisë së Vjenës që do të jetë shumë i vështirë.

Duket se Kukësi ua ka marrë dorën Kupave të Europës, por sa i kënaqur jeni me fitoren dhe kualifikimin?

Natyrisht që jam shumë i kënaqur, pasi ishte një ndeshje mjaft e vështirë, por edhe që kishte stres brenda, për shkak të rezultatit që arritëm në sfidën e parë. Edhe pse shënuam të parët në "Elbasan Arena", në fund nuk fituam dot.

Në pjesën e dytë në takimin e parë, ekipi bëri disa gabime nga të cilat edhe u ndëshkua. Trajneri Lika deklaroi se ekipi do të punonte për t'i rikuperuar ato dhe kjo ndodhi. A ishte kjo arsyeja e fitores?

Bëmë disa gabime në ndeshjen e parë, por në këtë takim ishim më të kujdesshëm, edhe pse kemi ende për të rregulluar disa gjëra në lojën tonë. Sot (dje) ishim shumë më të mobilizuar, lojtarët e donin këtë fitore morali, e cila vlen shumë për të gjithë klubin sepse Kukësi është skuadër që tashmë i ka traditë Kupat e Europës.

13522002_1040353859394875_44724371596901287_n

Mund ta kishit mbyllur kualifikimin që në ndeshjen e parë, por sfida përfundoi në barazim. I keni humbur ndonjëherë shpresat për kalimin e turit?

Absolutisht që jo. Edhe pse barazuam ndeshjen e parë, unë isha shumë optimist për takimin e dytë, pasi Kukësi ka shpirt gare dhe grupi është arma më e fortë. Natyrisht që kemi për të përmirësuar akoma, por që besoj se do të ecim larg.

Mos ndoshta ishte premio e madhe që keni vendosur ajo që ndikoi tek arritja e triumfit?

Sa për premion, keq të japësh e keq të mos japësh, por nuk besoj se ishte kjo, ishte thjesht ngërç psikologjik që lojtarët kishin, pasi ai gol që erdhi nga penalltia nuk duhet të jepej. Nga bisedat që kam pasur me lojtarët më kanë thënë që pas golit të parë se synonin të shënonin të dytin dhe ta mbyllnin takimin, por penalltia na i rrëzoi të gjitha. Por tani që flasim jemi në situatë tjetër, jemi fitues dhe kush fiton nuk gjykohet.

Përpara do të luani ndaj një skuadre si Austria e Vjenës. Si e shihni këtë përballje?

Kukësi do të bëjë lojën e tij. Edhe pse kemi përballë një kundërshtar si Austria e Vjenës, nuk do të stepemi, përkundrazi do luftojmë ta kalojmë këtë tur dhe sa më shumë të tillë. Rivali është një kundërshtar i fortë, por jo i pamundur. Kukësi e ka treguar gjithmonë që kur kalon turin e parë kalon edhe të dytin. Ne do ecim përpara, pasi luajmë futboll të pastër dhe shikojmë vetëm punët tona. Në turin e dytë lojtarët zhvishen nga emocionet, nuk kanë aq presion psikologjik dhe emocional sa në turin e parë. Por dhe trajneri duhet të përmirësojë disa gjëra brenda skuadrës për ta përballuar siç duhet rivalin.

SKERDILAID SULOZEQI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama