Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka shpër thyer pas ndeshjes së djeshme kundër Rudarit.
Në një prononcim ekskluziv për "Panorama Sport", kreu i klubit i ka cilësuar mosmirënjohës lojtarët, në një kohë që ka folur edhe për emra konkretë.
Sipas Gjicit, skuadra duhet ta mbyllte kualifikimin që në ndeshjen e parë. Presidenti paralajmëron masa ekstreme në rast eliminimi. "Jam shumë i zhgënjyer nga rezultati dhe për më tepër me mbrojtjen dhe sulmin e skuadrës.
Do të ketë penalitete të mëdha nëse nuk kalojnë turin. Duhet të ishte mbyllur kualifikimi që në pjesën e parë me dy raste që humbi Dvornekoviç.
Bashkë me Eminin, ishin shumë dobët", ka thënë fillimisht Gjici, për të vazhduar më pas me kritikat ndaj ekipit dhe veçanërisht për lojën në 45 minutat e dyta.
Gjici vendos si kusht kualifikimin. "Pjesa e dytë ishte shumë e dobët. Këta lojtarë, jo vetëm e kanë detyrim kalimin e turit të parë, por kishin edhe superpremio. Faji është i imi që mbaj në ekip disa lojtarë që nuk japin më për Kukësin.
Testi i tyre është kualifikimi, ndërsa në rast të kundërt, do ta merrni vesh se kush do të qëndrojë te Kukësi. Këta po tallen me djersën time, duke u dhënë pagat në mënyrë korrekte dhe premio.
E përsëris, jam shumë i zhgënjyer nga loja në pjesën e dytë", u shpreh i dëshpëruar kreu i klubit, duke iu kujtuar lojtarëve se duhet të jenë të përgjegjshëm.
Penalltia - Në fund presidenti foli edhe për penalltinë. "Më ka befasuar shumë penalltia e Micit, ishte e paimagjinueshme.
Nuk e kuptoj çfarë mosmirënjohës janë këta lojtarë që ndëshkojnë ekipin në këtë formë, edhe pse ua kam plotësuar të gjithë kushtet. Haram!", përfundoi i nervozuar deklaratën për gazetën presidenti kuksian.
SKERDILAID SULOZEQI