Kukësi nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në ndeshjen e parë të Europa Ligës ndaj Rudarit, që u luajt të mërkurën në "Elbasan Arena", duke bërë që kundërshtari të ketë më shumë shanse për kualifikimin në ndeshjen e kthimit. Një rezultat i tillë nuk i ka pëlqyer aspak presidentit Gjici, i cili menjëherë pas ndeshjes në një prononcim për "Panorama Sport" ka paralajmëruar masa për lojtarët e tij, në rast se nuk arrihet kualifikimi në ndeshjen e kthimit. Por, Gjici nuk e ka lënë me kaq, pasi mëngjesin e djeshëm ka zhvilluar një mbledhje më drejtuesit.
Mbledhja
Drejtori Dervishi, trajneri Lika dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të Kukësit kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e zhvilluar në zyrat e klubit. Gjatë fjalës së tij, numri një i verilindorëve ka thënë: "Ju thirra në këtë mbledhje për shkak të asaj ndeshjeje që ne duhet ta kishim fituar me patjetër. Jam shumë i zhgënjyer nga lojtarët, pastaj nga rezultati. Ishte e turpshme për mënyrën sesi ne u paraqitëm pjesën e dytë.
Nuk arrij t'i kuptoj këta lojtarë që kanë marrë gjithçka te Kukësi. Nuk u kam kursyer asgjë. Kanë një trajtim që gjithkush në Shqipëri do ta kishte zili dhe kur vjen puna ne arrijmë që të rrezikojmë kualifikimin. Po ju them që merrini masat mirë sepse, nëse nuk kualifikohemi të gjithë, do të keni përgjegjësi. Lojtarët që nuk do të japin aq sa duhet për Kukësin, nuk do të kenë më vend në këtë skuadër. Do ketë shumë spastrime, ndaj po ju them që duhet ta tregojnë veten këtë herë.
Ju kërkoj që të jeni vigjilentë, të arrijmë fitoren dhe kualifikimin atje se ndryshe nuk do kursej më njeri. Me djersën time nuk tallet dot njeri", mësohet të kenë qenë fjalët e Gjicit drejtuar bashkëpunëtorëve të tij. Pas tij ka folur pak drejtori Dervishi dhe trajneri Lika, i cili i ka bërë një përmbledhje teknike ndeshjes, duke u ndalur tek arsyet e barazimit që, sipas tij, erdhën si shkak i gjendjes jo të mirë fizike. Megjithatë, tekniku ka shprehur bindjen e tij se kualifikimi do të arrihet në ndeshjen e kthimit.