Gjigandet e rrokut injorojne Shqiperine

Gjigandet e rrokut injorojne Shqiperine
Na ishin njëherë tranzistorët (radiot e dorës me bateri) e stacionet “ilegale” jugosllave, antenat e larta, letrat e varakut dhe zhurmuesi i kudondodhur. Pastaj erdhën bobinat me shirit, pasuar nga kasetat e magnetofonët e rrallë. Ishte gjithmonë etja dhe pasioni për muzikën, atë që për shumë vjet në komunizëm u emërtua “e huaj” dhe dekadente. Është edhe tani, në kohën e luksit të Ipod-it, kur të gjitha sa më sipër, kujtohen nga brezat e asaj kohe si një nostalgji postmoderne, me buzagazin e dikurshëm, por jo fare pa ironi.

Ndoshta askush nuk i mban mend detajet e imëta të këtij “evolucioni” muzikor, që shtynte me bërryla për të krijuar pak hapësirë në Shqipërinë e mbyllur të komunizmit, por ajo që shqiptarët s’kanë për ta harruar kurrë është koncerti i Albanos dhe Rominës në Tiranë, në 17 shtator të vitit 1989. Fiks një vit përpara rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës dhe shënimit të fillimit të demokracisë shqiptare.

Ishte hera e parë që një këngëtar i huaj shkelte skenën shqiptare, në një koncert madhështor në Stadiumin “Qemal Stafa”, duke përcjellë emocione të papërsëritshme për ata mijëra të rinj që u dukej sikur po preknin një ëndërr. “Liberta”..., dhe gjithçka u zhvillua nën kujdesin e presidentit të asaj kohe, Ramiz Alia. Tregojnë që atë mbrëmje, gjatë koncertit, shumë të rinj kanë djegur e valëvitur këmishat që mbanin veshur, e nga fillimi në fund kanë kënduar njëzëri me çiftin e famshëm italian, që deri atëhere e dëgjonin dhe e admironin fshehurazi.

Deri në një moment të dytë të ngjashëm, do të kalonte shumë kohë; deri sa në verën e vitit 1996, Vehbi Alimuça, presidenti i firmës “Vefa Holding”, asokohe superfuqi financiare, do të sillte në Tiranë grupin “La Bousche”, fiks një vit pas “boom-it” të tyre në tregun perëndimor të muzikës. Ishte me të vërtetë një “Sweet Dreams”, për të gjithë shqiptarët, që zor se do të kenë më adrenalinën e atyre viteve të etur. Thonë se solistët Melani Therton dhe Lani McRay, iu dhuruan atëherë plot 4 mijë fansave shqiptarë 100 minuta koncert në stadiumin “Qemal Stafa”, kundrejt asnjë përfitimi për ata vetë. Jo vetëm kaq. Pak vite më vonë vetë këngëtarja do të vdiste tragjikisht teksa avioni i saj ulej keq në aeroportin e Zyrihut.

Historia e Tiranës së rokut dhe pop-it vazhdon. Në qershor të vitit 2001, nën kujdesin e Bashkisë Tiranë, shqiptarët, të ardhur nga i gjithë vendi mundën të ndiqnin “live” në stadiumin “Selman Stermasi”, legjendarët “Scorpions” dhe nën tingujt e pavdekshëm të “Wind oh change”, u duk se vërtet një erë e re ndryshimi kishte prekur tashmë fushën e artit, muzikës dhe koncerteve të mëdha. Një polemikë me sfond politik e ngritur nga opozita, rreth shpenzimeve të koncertit, s’do e prishte atmosferën që ai la pas. Por a do të vazhdonte kështu edhe më vonë? A do të mund të vinin ndonjë ditë Metallica-t, dashuria e madhe e shqiptarëve të të gjitha moshave? A do të mund të shihnin ndonjëherë live në stadiumet tona Madonën, Rolling Stones apo Pink Floyd? Po niste një traditë e koncerteve të mëdha, apo e gjitha ishte një flakë kashte?.

Në fakt, nuk pasoi siç pritej. Kjo, deri në vitin 2007, kur me iniciativën e drejtuesve dhe menaxherëve të Living Room Club u krijua agjencia “Livin Room Show”, promotori i parë dhe i vetëm deri tani i organizimit të koncerteve live në Shqipëri.

“Ideja jonë ishte të hapnim tregun dhe të bënim të mundur të promovonim grupe në Shqipëri, si në të gjithë botën, brenda kushteve dhe mundsësive të vendit, sepse një grup ka një target të caktuar dhe kjo vlen është njësoj si për Shqipërinë, si për Anglinë, si për Francën”, -shpjegon Blendi Bombaj, menaxheri i “Living Room Show”.

Kjo nismë, stratoi po atë vit, me ardhjen e të famshmëve “EUROPE”, yjeve suedezë të rokut të viteve ’80. Tashmë jo më me pamjen që kundronim në posterat e grisur nga revistat, jo më me flokët e gufuar dhe baluket e shkujdesura, pak më antikë, por gjithmonë ata, në një performancë live në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në 14 janar 2007. U dëgjua se pjesëmarrja nuk qe ajo që sollën Scorpions-at, por duhej të ishte me të vëretë një fillim i mbarë dhe optimist për organizatorët vetë dhe për publikun, sepse në 4 mars të po atij viti do të vinin “Deep Purple”, për ta shndërruar skenën e Pallatit të Kongreseve në një arenë me të vërtetë shpërthyese nën ritmin e hiteve të tyre më të mira. Ishte dhe është ngjarja më e madhe rock e tranzicionit shqiptar. Grupi legjendë i viteve ’70 –’80, i njohur për publikun shqiptar me këngët “Soldier Of Fortune” apo “Smoke on the Water”, performuan live për më shumë se 90 minuta, mes një deliri fansash deri diku në moshë.

Pas “EUROPE” dhe “Deep Purple”, një tjetër këngëtar i madh do të trondiste Tiranën. Në vijim të turit të tij botëror të emërtuar “Fly”, si vetë albumi që promovonte, këngëtari i mirënjohur italian Zucchero, fluturoi drejt Tiranës për të ndezur një atmosferë të papërsëritshme tek fansat e tij të shumtë, në një koncert madhështor në stadiumin “Selman Stermasi”. Koncerti zgjati plot 90 minuta, ndërsa lista e atyre që kishin rezervuar biletat për të parë nga afër këngëtarin ishte shumë e gjatë.

Vetëm një javë më pas, më 19 qershor 2007, në skenën e ngritur në stadiumin “Selman Stermasi”, Irlanda do të sillte ikonën e saj të rokut, solisten e grupit “The Cranberries”, Dolores O’Riordan, e cila, me gjithë finesën e pamjes së saj, do ta ngrinte peshë publikun e gjerë me hitet e saj të pavdekshme “Zombie”, “Linger”, “Ordinary day”, etj. Biletat kishin filluar të shiteshin javë më parë. Njësoj si për koncertin e Zucchero-s, edhe për Dolores, ato kushtonin 20 mijë lekë të vjetra. Një ofertë e bërë nga oranizatorët e “Living Room Show”, u krijoi mundësinë fansave që nëqoftëse do të blinin bileta për të dy koncertet, çmimi i ta dyjave shkonte 35 mijë lekë të vjetra.

Por 2007-a nuk mbyllej me kaq, përsa u takonte koncerteve. Në 30 qershor, në skenën e ngritur në “Selman Stërmasi” do të ngjitej Schiller, këngëtari i njohur i muzikës POP & Elektronik, me hitet e tij “I feel You”, “Dream of you”, etj, i shoqëruar nga i ftuari special, këngëtari ynë Alban Skënderaj.

Korriku i asaj vere erdhi, gjithashtu, i nxehtë për skenat e stadiumeve tona. Fill njëri pas tjetrit, në datat 4 dhe 5 korrik shqiptarët shijuan ritmet orientale të turkut me famë botërore Mustafa Sandal dhe yllit të muzikës R&B, Sean Paul.

Surprizat e vitit 2007 vazhduan deri në vjeshtë, kur në skenën e Pallatit të Kongreseve do të ngjiteshin për herë të parë për publikun shqiptar belgët e “Vaya Con Dios”. Tingujt e muzikës gipsy zgjatën deri në mesnatën e 12 tetorit, nën ritmet e hiteve të tyre më të njohur si, “Neh, nah, nah, nah”, “Don’t cry for Loui”, “Puertorico”, etj.

Përfaqësuesi i agjencisë “Living Room Show” e kujton 2007-n si një vit të artë dhe vë në dukje interesin më të madh që patën koncertet e asaj kohe krahasuar mesa do të vinte më vonë, por, sipas tij, kjo shpjegohet edhe me entuziazmin e fillimit. Duke pranuar se pritshmëritë nuk janë më ato të dikurshmet, ai thotë se progresi i programit të tyre të koncerteve varet drejtpërdrejt, jo vetëm nga tregu i vogël dhe i varfër në Shqipëri, por edhe nga cilësia e jetesës këtu, nga ajo frymë dhe kulturë për dëshirën dhe dashurinë e vërtetë për gjithë artin në përgjithësi, e cila për fat të keq iu mungon shqiptarëve.

“Duke pasur një treg shumë të vogël, detyrohemi të marrim grupe, të cilat kanë një nivel të caktuar pagese. Kjo do të thotë që ne nuk mund të marrim U2 që bëjnë 2 milionë e gjysmë euro, ose nuk mund të marrim dot Madonën që bën 3 milionë euro, nuk mund të marrim Byonsen, se bën një milion euro”. Kjo pa diskutim që mbi të gjitha, mbetet çështje kostoje. Të ardhurat nga shitja e biletave me zor mund të mbulojnë kosto të vogla të transportit të artistëve e marrjes me qira të veglave dhe mjeteve që nevojiten për koncertin, por sigurisht, ardhja e tyre do të ishte e pamundur nëse nuk do të hynin në lojë sponsorët.

Të gjithë mund të thonë se pse nuk vijnë Metallica-t në Shqipëri. Kjo është një nga retorikat që ai has më rëndom. Por Metallica-t kushtojnë, njësoj si gjithë legjendat e tjera, ndërkohë që ne jemi pak dhe të varfër. “Që të vijnë Metallica-t në Shqipëri, duhet t’i ndjekin minimalisht 30 mijë vetë, me një biletë prej 60 eurosh, siç ndodh në të gjithë botën. Por shqiptarët nuk janë brumosur me këtë pasion, e jo vetëm kaq, por ende mund të thuhet se jemi në hapat e para. Sepse, nëqoftëse në botë kanë 50 vjet që bëjnë koncerte, tek ne kjo traditë ka vetëm pak vjet”.

Jo pak ndokush mund të aludojë se përveç kostos së biletave, ajo që vihet në diskutim është edhe shija, për artin në përgjithësi e për muzikën në veçanti. Sa shqiptarë do të zgjidhnin të shpenzonin për një biletë në një koncert live përpara se këtë shumë ta shpenzonin për një formë tjetër argëtimi...? Nga eksperienca e punës së tij tre vjeçare, Bombaj thotë se maksimumi i atyre që mbushin sallat e koncerteve, në rastin më të mirë arrin në 3 mijë vetë. “Mendoj se ne ende nuk kemi arritur standardin e duhur, e nëse diskutohen shijet, nuk besoj se bëhet fjalë për shijet muzikore, sepse ne kemi sjellë grupe rrok të vjetra, kemi sellë grupe rrok të reja, kanë ardhur DJ të mëdhenj në Shqipëri, kanë ardhur grupe të njohura të R&B, siç është Akon, apo Tiesto, apo

Paul Van Dyk, që ishte sivjet. Ato që vihen në diskutim janë shijet drejt artit. Fatkeqësisht në Shqipëri nuk është kjo traditë.”. Duke lënë mënjanë çmimet e shtrenjta, paralelizmi është i thjeshtë. Në momentin që në Tiranë vjen të luajë një skuadër e madhe futbolli, një shqiptar do t’i gjej patjetër 6 mijë lekë për të blerë biletën e për ta ndjekur nga afër. Por nuk ndodh e njëjta gjë me koncertet. Për to interesi është shumë më i ulët. Sepse futbolli mbetet një sport masash, ndërkohë që koncerti i muzikës live nuk është një argëtim masiv. Një indiferentizëm të tillë, Bombaj e krahason vetëm me Kazakistanin dhe Azerbajxhanin.

Një tjetër vështirësi që haset në kontraktimin e sjelljes së grupeve muzikore në Shqipëri, është edhe pozicioni gjeografik, ose më saktë infrastruktura jonë rrugore. Prandaj, të gjitha herët është krijuar mundësia e ardhjes në momentin që ata kanë qenë duke zhvilluar turet e ture të koncerteve në vendet fqinje apo ato të rajonit. “Zakonisht funksionon kështu: Gjatë koncerteve nëpër disa vende, grupet dhe artistët performojnë dy ditë dhe bëjnë një ditë pushim. Shpesh, kjo një ditë pushimi nuk i përkon kohës që mund t’iu duhet për të kapërcyer kufirin shqiptar e për të ardhur në Tiranë ose më keq akoma, kjo nuk i konvenon axhendës së tyre. Infrastruktura jonë rrugore dhe trafiku i rënduar lë shumë për të dëshiruar.

Vërtet artistët vijnë në rrugë ajrore, por pjesa tjetër e stafit dhe veglat duhet t’i arrijnë me makina. Të gjitha herët që është krijuar mundësia, ata kanë qenë në Greqi, në Maqedoni, në Serbi, apo në Bullgari, e më pas kanë kaluar në Tiranë për të vazhduar më tej udhëtimin”, - shpjegon Blendi Bombaj.

Por të gjitha këto vështirësi nuk e kanë demotivuar asnjëherë. “Edhe pse me vështirësi shumë të mëdha, ne kemi ngritur tashmë një grup të mirëfilltë pune, kemi vazhduar dhe do të vazhdojmë gjithmonë me organizimin e koncerteve për çdo vit”, -thotë ai, me shpresën se një ditë, ata 3 mijë vetë që mbushin stadiumet në koncerte, do të bëhen 5 mijë e më vonë 10 mijë, e pse jo, atëherë mund të sjellim në Shqipëri lavdinë e Metallica-ve.

Dhe realisht, menjëherë pas 2007-s së artë, viti 2008, përmes agjencisë së “Living Room” solli në skenë, për gjithë shqiptarët, zërat legjendarë të “White Snake”, “Def Leppard”, James Blunt, Akon, etj. Tradita vazhdoi më pas në 2009, me Reamon, Jiusi Giusy Ferrero dhe DJ Tiesto, një koncert i hapur në Plazhin e Dhërmiut që mblodhi si rrallëherë më parë të rinjtë nga e gjithë Shqipëria e Diaspora nën tingujt që zgjatën deri pas mesnate. Jo më pak të shumëpritur ishin “Rainbow”, kitaristi i famshëm i “Scorpions”, Uli Jon Roth, rrokerët italianë të “Planet Funk”, dhe “One Repulic”, të sjellë të gjithë sëbashku në netët e 5 dhe 8 qershorit 2010, në festivalin “Rock in Tirana”.

Dhe 2010-a nuk mbaron me kaq. Për gjithë të rinjtë që zgjodhën ta kishin hitin e pranverës që sapo kaloi, në datën 5 dhjetor, në një koncert live vjen Melany Fiona dhe “Monday Morning”. Programi i “Living Room Show” do të vazhdojë më tej në datat 27 dhe 28 dhjetor me musikalin kuban “Pasion de Buona Vista”, një bandë e hareshme prej rreth 30 vetësh, muzikantë, këngëtarë e balerinë.
Ndërkaq, ende një tratativë, por jo e parealizueshme, mbetet ardhja e “3 Doors Down” në verën e vitit të ardhshëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama