Duket sikur teknika është çoroditur ose sikur ke shkruar gabim adresën. “Përdoruesit shpesh nuk e kuptojnë se ç’ndodh. Një nga synimet është me siguri që ata të bëhen të pasigurtë.” Katrin Evers është zëdhënëse e organizatës “Reporterë pa Kufij”, e cila prej vitesh mbledh prova mbi funksionimin e aparatit kinez të censurës. “Ka dhjetëra mijëra policë të internetit, të cilët janë përgjegjës për mekanizimin e filtrimit dhe censurës. Në të angazhohet një numër gjigant personeli dhe bëhen shpenzime shumë të mëdha.” Për të filtruar me sukses përmbajtjet në internet duhet zbërthyer fillimisht parimi i tij bazë. Në fakt rrjeti është një sistem i hapur dhe i decentralizuar që do të thotë se nuk ekziston një shpërndarës qëndror informacionesh por një numër gjigant kompjuterash në mbarë botën të lidhur me njëri-tjetrin dhe çdo informacion e gjen vetë rrugën në pikat e ndryshme ndërlidhëse. Një sistem i tillë është shumë e vështirë të kontrollohet. Për këtë arsye, qeveria kineze ka kufizuar pikat ndërlidhëse, me të cilat rrjeti në Kinë lidhet me atë ndërkombëtar.
Gjithçka që kalon nga një kompjuter në Kinë në një kompjuter tjetër, kudo në botë, duhet të kalojë në këto pika ndërlidhjeje. Parimi është i ngjashëm me mënyrën e funksionimit të një rrjeti firme, e cila me një server të vetin është e lidhur me internetin. Nëse p.sh. një punëdhënës kërkon të ndalojë punonjësit e tij të navigojnë në faqe pornografike gjatë orarit të punës, mund t’i bllokojë ato me një filtër në serverin e firmës. Kështu vepron edhe qeveria kineze, veçse ajo, krahas përmbajtjeve pornografike bllokon edhe ato delikate politike dhe kontrollon postën elektronike. “Jo gjithçka mund të vëzhgohet plotësisht, por mund të ushtrohet shumë kontroll. Nëse unë dërgoj një e-mail në Kinë nga jashtë vendit apo edhe nga Kina, ka shumë mundësi që përmbajtjet delikate të lexohen ose filtrohen.” Një pasojë të sistemit të kontrollit mund t’a konstatojë edhe vetë përdoruesi i internetit: Programi software i kontrollit në pikat e ndërlidhjes e bën internetin në Kinë shumë më të ngadaltë se në vende të tjera. Por kush ka eksperiencë dhe e njeh sistemin mund t’a shmangë lehtë censurën teknike përmes përdorimit të të ashtuquajturve “proxy-server” apo programeve të anonimitetit. Një arsye më shumë kjo për qeverinë kineze që të ushtrojë kontroll direkt mbi firmat e internetit.
(D.W)