Gjika Berisha po perpiqet te ringjalle 97-en

Gjika: Berisha po perpiqet te ringjalle '97-en

Kryetari i bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika ka hedhur poshtë deklaratat e bëra disa ditë më parë nga prefekti Besnik Dervishi, duke theksuar se nuk është pjese e asnjë klani kriminal. Në një konferencë për shtyp, Gjika ka theksuar se dikush po përpiqet ta hedhë në erë investimin që  është bërë për ta çliruar Vlorën nga imazhi i keq.

“Nuk jam pjesë e asnjë klani për të cilin më akuzon. Nuk kam lidhje me asnjë klan okultesh mafioze ashtu siç nuk ke as ti. Nuk jam as hajdut, as kriminel, mos hidh akuza në erë qe më inkriminojnë” -i është drejtuar Gjika prefektit Dervishi.

 Fjala e plotë e Gjikës:

Të nderuar bashkëqytetarë,

Dëshiroj të ndaj sot me ju dy fjalë, pas një periudhe jo të shkurtër reflektimi.

Kjo deklaratë e sotme ka lidhje me situatën më të fundit të krijuar në qytetin tonë pas arrestimeve të bujshme e të suksesshme nga ana e Policisë së Shtetit, të disa bashkëqytetarëve tanë, pjesëtarë të dyshuar të asaj që po quhet "banda e tritolit".

Nuk mund të ketë qytetare e qytetarë vlonjate që të mos e përshëndesë e të mos e inkurajojë këtë sukses më të fundit të qeverisë socialiste të Edi Ramës, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të zotit Saimir Tahiri, si ministër, dhe të vetë Policisë së Shtetit. Çdokush nga ne e kupton se këto janë përpëlitjet e fundit të një krimi monstruoz, që po ia merrte frymën Vlorës e po e terrorizonte atë.

Sepse deri para 23 qershorit, organet e specializuara, madje dhe prokuroria, paskan qenë shumë të zëna me Shpëtim Gjikën dhe i kanë mbyllur sytë para këtyre formave tepër të rrezikshme të krimit të organizuar, deri terrorist. Por sot nuk dua të flas për pozitën time në raport me ligjin, të cilën, siç jua kam premtuar juve dhe do ta mbaj atë premtim, ia kam lënë drejtësisë shqiptare të thotë fjalën e vet, me besimin ende të palëkundur se e drejta dhe e vërteta zhytet, por nuk mbytet.

Edhe pse pa lidhje të drejtpërdrejtë me pozitën time ligjore, këto arrestime e këto hetime më bëjnë të jem optimist, se ato dëshmojnë që shteti është ashtu siç e donim, në këmbë, se policia po vepron, se krimi po humbet dita-ditës terrenin që kishte fituar padrejtësisht në kurriz të qytetit e tuajin, të dashur bashkëqytetarë. Shqetësimi im si kryetar i bashkisë dhe si i zgjedhuri juaj tre herë me radhë, me një plebishit votash, lidhet me investimin e përbashkët që kemi bërë përgjatë tërë këtyre viteve për ta çliruar Vlorën nga imazhi dhe nga pasojat negative, të frikshme, të vitit 1997.

Mund të krenohemi se ia kemi dalë mbanë ta kthejmë Vlorën nga kryeqyteti fajdeve, i skafeve, i krimit dhe i drogës, në një qytet normal, që përballet me sfida normale të zhvillimit e të përparimit. Por, fatkeqësisht, dikush po përpiqet ta hedhë në erë këtë investim, dikush po u fryn zjarreve dhe kërkon të ringjallë nga hiri, hijet e errëta të 97-s. Po e bën këtë gjë, sipas mendimit tim dhe opinionit qytetar, me shumë mendjelehtësi, edhe opozita politike parlamentare dhe sidomos njeriu që e ka fort të lidhur emrin me 97-n, Sali Berisha.

Dhe po e merr përgjigjen politikisht. Por ajo që nuk e prisja as unë dhe as ju është që, për fat të keq, po jep një dorë për këtë, me ca deklarime "absurde", njeriu që është i dërguari i qeverisë në qark, mëkëmbësi i saj në qytet. Po, e kam fjalën për prefektin e qarkut. Dhe, që të kuptohem drejt, nuk kam parasysh z. Besnik Dervishi si person, për të cilin nuk kam veçse keqardhje dhe solidaritet për çka i ndodhi, meqë edhe vetë, siç e dini, i kam pasur ca siklete të ngjashme nga një "dorë bujare", nga këto që të godasin pas shpine e në pabesi.

E kam fjalën për institucionin e prefektit që sot ai përfaqëson e nga i cili ai ka bërë, para pak ditësh, një deklaratë shumë të rëndë, me ca aludime shumë të errëta e shumë të rrezikshme. Në një dalje publike, z. prefekt ka aluduar për një "klan" që ndodhet pas tentativës për goditjen e tij e të cilin, po sipas tij, "e gjithë Vlora e njeh". Dëshiroj t'i kujtoj z. prefekt, madje po të dojë, edhe nga pozita e zyrtarit që e ka mbajtur para tij atë post, se ai, si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë në qarkun e Vlorës dhe në qytetin e Vlorës, duke qenë se për shkak të detyrës duhet të ketë të gjithë informacionin e nevojshëm e të klasifikuar, nuk mund të flasë me opinione e me llafe rruge, e ca më pak t'i amplifikojë thashethemet e ligësitë, duke i humbur rrugën e duke ia ngatërruar pistat hetimeve që po kryhen.

Pra, z. Prefekt ose e ka këtë informacion për këtë "klan që vepruaka në qytet" (dhe nëse e ka, nuk i takon ta dekonspirojë para mikrofonave të gazetarëve dhe telefonave të opinionbërësve, por ta çojë atje ku ligji e detyron atë dhe çdo qytetar), ose nuk e ka dhe flet me mllefe personale dhe e kthen hatërmbetjen personale në "kauzë shtetërore", duke bërë kështu sërish një shkelje, më së paku të etikës së nëpunësit të shtetit. E sa për "klanin" që ju, z. prefekt e aludoni si "klanin tuaj kundërshtar dhe të drejtuar nga unë vetë" dhe si të tillë e keni hedhur për konsum tavolinash, ju siguroj se i vetmi klan, të cilit unë i përkas është "klani" i qytetarëve vlonjatë që punojnë me zemër e me mendje për Vlorën, i përkas "klanit" socialist që ka vendosur mes një mijë vështirësive ta rilindë Vlorën dhe Shqipërinë.

Dhe ti, mesa di, je pjesë e të njëjtit "klan". Unë dhe ti, sikurse çdo qytetar i ndershëm vlonjat, s'kemi asnjë lidhje okulte me klane mafioze e me celula vrasësish gjakftohtë, qofshin këta edhe "të penduar".

Z. Prefekt, me deklaratat e tua të papërgjegjshme politikisht e ligjërisht, ti mund "t'ua pasosh topin" ca pseudo-gazetarëve dhe pseudo-opinionistëve, që në ajër e pritën "pasimin" tënd, por si nëpunës shteti e si pjesë e politikës, për aq sa je, ti nuk duhej "të kishe bërë gol në portën tonë". E për sa më takon mua, e di tërë Vlora, e dinë të gjithë vlonjatët, ata që më duan e ata që nuk më kanë dashur kurrë, se Shpëtim Gjika nuk është as hajdut, as kriminel. Po, jam sot në dyert e gjykatave, por edhe ti e di besoj, së paku si jurist, se për cilat arsye. Nuk mund të duroj as ty, Besnik Dervishi, as ty Fatos Lubonja e as këdo tjetër që gjoja në emër të opinioneve personale, të lëshoni akuza në erë që të më inkriminojnë në veprimtari të tilla, tipikisht mafioze. Jo, kurrësesi, jo!

Keni shkuar shumë larg, po aq larg sa ç'shkonin akuzuesit e Lubonjës, në një kohë tashmë të harruar, kur i atribuonin atij të pabëra e të pathëna. Prandaj jam sot këtu, para jush, të nderuar qytetarë. Nga njëra anë që t'ju siguroj edhe një herë se Shpëtim Gjika është po ai që ka qenë deri më sot, po ai që do jetë edhe kur të mos jetë më kryetar i Bashkisë suaj, një qytetar i Vlorës, pa biznese të fshehura, pa asnjë ambicie për ta bërë politikën biznes e ca më pak biznes kriminal. Nga ana tjetër, dhe kjo ka shumë më tepër rëndësi për të gjithë, t'ju siguroj edhe një herë, në emër të qeverisë socialiste që ju e keni votuar e së cilës jo vetëm politikisht, por me mish e me shpirt i përkas,

• se gjithçka do të sqarohet e do të qartësohet,

• se qeveria ka vullnetin e hekurt ta zbërthejë deri në ingranazhin më të fundit çdo qelizë kriminale e çdo tentativë për të detonuar arritjet e saj, të sotme apo të nesërme.

Në emër të këtij qëllimi do të punojmë të gjithë, unë si kryetar i Bashkisë, ju si qytetarë, zoti Prefekt po ashtu, e kushdo tjetër që e dëshiron Vlorën në pararojë të zhvillimit të të gjithë vendit, ashtu si deputeti i parë i Vlorës, kryetari i Partisë Socialiste, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka premtuar.

Ju faleminderit!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama