Dokumentet e kompanisë “Bio Gourmet” që zotërohej nga gjyqtari 50 për qind
DOKUMENTET
Kallëzimi - Sipas ILDKPKI-së, gjyqtari Gjin Gjoni ka fshehur një subjekt tregtar në vitin 2010, ku ai dhe bashkëshortja zotërojnë nga 50 për qind të aksioneve
Ekstrakti i QKR-së - Kompania “Bio Gourmet”, aktualisht ka aksionere të vetme zonjën Elona Çaushi, bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni. Në këtë kompani janë bërë disa ndryshime
Dhurimi i kuotave - Kompania ka miratuar dhurimin e aksioneve në fund të vitit 2013. Por në QKR këto ndryshime janë bërë më 18 shkurt 2014, pra rreth dy muaj para se Gjoni dhe Çaushi të denoncoheshin
Gjyqtari Gjin Gjoni, i denoncuar nga ILDKPKI-ja për falsifikim dokumentesh dhe fshehje të të ardhurave, i ka dhuruar bashkëshortes së tij, Elona Çaushi, 50 për qind të aksioneve të një firme. Sipas kallëzimit të inspektoratit, gjyqtari kishte fshehur në vitin 2010 aktivitetin e shoqërisë “Terra Toscana Alimandari” me nipt L02214025H, ku ai dhe bashkëshortja ishin ortakë me 50 për qind të aksioneve. Gazeta “Shqip” ka kërkuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për këtë biznes, ku zoti Gjoni ka qenë aksioner deri para pak javësh. Në fakt, kompania në fjalë ka ndryshuar emrin dhe tashmë quhet “Bio Gourmet”, ndërsa aksionere e plotë është shtetasja Elona Çaushi, pra bashkëshortja e gjyqtarit. Objekti i kompanisë është eksport i ndryshëm ushqimorë dhe industrialë, pije të ndryshme alkoolike kryesisht verëra dhe produkte të gatshme etj. Kompania është hapur në vitin 2010 dhe vetëm një vit më vonë janë bërë edhe ndryshimet e emrit dhe vendit të aktivitetit.
Dhurimi i aksioneve
Sipas dokumenteve të QKR-së, të cilat zotërohen edhe nga gazeta “Shqip”, më 18 shkurt 2014 aksioneri Gjin Gjoni i ka dhuruar bashkëshortes 50 për qind të aksioneve të tij. Kontrata e dhurimit të aksioneve është bërë para noteres Margena Çela, e cila, sipas ILDKPKI-së, është denoncuar në prokurori.
“Z. Gjin Gjoni është ortak dhe zotëron 50 kuota që përbëjnë 50 për qind të kapitalit të shoqërisë ‘Bio Gourmet’ sh.p.k., shoqëri tregtare e së drejtës shqiptare, e regjistruar në QKR më 14.10.2010 me kapital 1.000,00 lekë. Z. Gjin Gjoni dëshiron t’i dhurojë tërësisht kuotat që zotëron në shoqëri në favor të ortakut tjetër ekzistues, znj. Elona Çaushi. Znj. Elona Çaushi deklaron shprehimisht se pranon dhurimin e të gjitha kuotave që z. Gjin Gjoni transferon në pronësi të saj. Asambleja e Përgjithshme e Ortakëve të shoqërisë ‘Bio Gourmet’ sh.p.k., nëpërmjet vendimit të datës 14.11.2013, ka vendosur ndër të tjera, miratimin e dhurimit të kuotave të zotëruara nga z. Gjin Gjoni në favor të znj. Elona Çaushi”, thuhet në dokumentin që është dorëzuar në QKR. Sipas tij, palët me vullnet të lirë dhe të plotë i kërkuan noteres hartimin e kësaj kontrate dhurimi kuotash, me një përmbajtje.
Kontrata
“Qëllimi i kësaj kontrate është transferimi tërësisht i pronësisë të kuotave të kapitalit të shoqërisë të zotëruara nga dhuruesi te pranuesi i dhurimit”, thuhej në nenin 1, ndërsa në lidhje me objektin e kontratës tha se “nëpërmjet kësaj kontrate dhuruese transferon pa shpërblim në favor të pranuesit të dhurimit, znj. Elona Çaushi, të gjitha kuotat që zotëron”. Në nenin 3 thuhet se “dhuruesi i kuotave garanton se është i vetmi titullar i ligjshëm i kuotave që po transferon me këtë kontratë dhe se kuotat janë plotësisht të lira nga çdo barrë, detyrim të drejta reale apo çdo lloj kufizimi tjetër”. Më pas, në nenin katër thuhet se “dhuruesi deklaron nën përgjegjësinë e tij personale se me nënshkrimin e kësaj kontrate, ai heq dorë nga të gjitha të drejtat që i kanë takuar në cilësinë e ortakut në shoqëri apo çdo të drejtë tjetër pa kufizim ku përfshihen të drejta pune, dividenti etj”.
Në nenin 7 thuhet se dhuruesi dhe pranuesi i kuotave angazhohen të bëjnë çdo përpjekje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve apo konfliktet të mundshme që mund të krijohen midis tyre, lidhur me këtë kontratë nëpërmjet negocimeve të drejtpërdrejta. Nëse palët dështojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve apo konflikteve midis tyre, çështja do t’i nënshtrohet juridiksionit gjyqësor, vijon kontrata.
Në fund, gjyqtari Gjin Gjoni, në cilësinë e dhuruesit ka firmosur këtë kontratë, duke i kaluar aksionet e kësaj kompanie, bashkëshortes së tij, Elona Çaushi, ndërsa ndryshimet në QKR janë bërë më 18 shkurt 2014, pra rreth dy muaj para se gjyqtari i Apelit të Tiranës dhe anëtari i KLD-së të kallëzohet penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme. Red.Akt.
Nepotizmi, kunati Gjonit në KLD
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është Pjerin Prendi, kunati i gjyqtarit të shumëpërfolur, Gjin Gjoni. Pjerini është emëruar aty pasi ka punuar disa kohë si inspektor te sektori antikorrupsion në Kryeministri, kur ishte kryeministër Sali Berisha.