Gjirokaster celet zyra e re e punes

Gjirokaster, celet zyra e re e punes

Gjirokastra do të ketë vëmendjen e qeverisë, përsa u përket investimeve në zonë. Ky është zotimi i Ministrit të Mirëqenies dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë inaugurimit të zyrës së re të punësimit në qytetin e gurtë. Po ashtu, Veliaj u konsultua me të rinjtë e universitetit "Eqerem Çabej", lidhur me strategjinë për rininë.

Ministri ka premtuar në Gjirokastër se qytetit do t’i kthehet vëmendja përmes investimeve dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Meqënëse në këtë qark ushtrojnë aktivitete një numër i madh biznesesh të mëdha, zyrat e pajisura me një sistem modern dhe me fondin e nxitjes së punësimit do ta bëjnë më të lehtë rekrutimin e fuqisë punëtore. Pritet që në fund të muajit të publikohet një raport përfundimtar për të punësuarit.

Në kuadër të hartimit të Strategjisë për Rininë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, është ndalur në Universitetin e Gjirokastrës, ku ka zhvilluar një takim me studentë të këtij institucioni. Duke iu përgjigjur interesit të shumë studentëve për të qenë pjesë e hartimit të kësaj strategjie, Veliaj ka pohuar se investimi duhet bërë në ato profile për të cilat ka më tepër nevojë tregu i punës.

Si pjesë e UNESKOS, turizmi duhet parë me prioritet për Gjirokastrën, po ashtu edhe çelja e degëve profesionale, kurseve kualifikuese dhe shtimi i punonjësve socialë, ka thënë më tej ministri Veliaj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama