Shtëpia e Hadërajve, monument kulture i kategorisë së parë filloi të shembet sot përmes një aksioni të forcave zjarrfikëse, policisë dhe ndihmës së bisneseve lokale. Godina gati 250-vjeçare kishte filluar degradimin vite me parë, duke shembur pjese të saj që janë rrezuar kërcënueshëm mbi rrugë dhe përbri banesave përreth. Rreziku që prezantonte kjo banesë për objektet përreth ka qenë mjaft i lartë dhe aksioni që do të relizohet brenda dy ditëve synon pikërisht evitimin e rrezikut të mëtejshëm.
Komiteti i Emergjencave Civile, i mbledhur pak ditë më parë, kur edhe shtëpia shembi pjesën e saj perëndimore prej degradimit vendosi shembjen përfundimtare të kësaj pjese për të larguar rrezikun e mëtejshëm. Aksioni sipas forcave që po marrin pjesë në shembjen e saj ka qenë mjaft i vështirë, për shkak të strukturës së madhe të banesës me një sipërfaqe të çatisë së dikurshme prej 516 metra katrorë. Banesa humbi çdo shpresë restaurimi pas zjarrit që e përfshiu atë gjatë Prillit të kaluar.
Që prej asaj periudhe masive të tëra të saj janë shembur në vijimësi duke krijuar një situatë emergjenve për të gjithë banorët e lagjes dhe kalimtarët. Gjirokastra, për vlerat e saj të veçanta është përfshirë në listën e pasurive të njerëzimit nga UNESCO dhe shërben si një qendër e tërheqjes kulturore e turistike në Shqipëri.