Ditët dhe netët e bardha të UNESCO-s kanë gjallëruar si kurrë ndonjëherë qytetin e Gjirokastrës ku për arsye se guri aty punohet si brumi është pagëzuar edhe si “qyteti “ gurtë”. Nën moton “Unë jam trashëgimi kulturore” me iniciativë të një grupi të rinjsh eurosocialistë të qytetit, në bashkëpunim me bashkinë, me shoqatat dhe fondacionet e fokusuara te ruajtja dhe zhvillimi i trashëgimisë kulturore, të mbështetur edhe nga deputetët socialistë të zgjedhur në këtë qark në zgjedhjet e 23 qershorit, u organizuan një varg aktivitetesh që promovuan vlerat e kësaj trashëgimie dhe sensibilizuan për më shumë vëmendje ndaj tyre.
Qyteti i Gjirokastrës që në këtë mes korrik ka shënuar plot 8 vjet nga pranimi në listën e trashëgimisë botërore kulturore të mbrojtur dhe promovuar nga UNESCO ka përkujtuar këtë moment edhe si mirënjohje edhe si angazhim për ruajtjen të paprekur të pasurisë që mbart për ta kthyer në një produkt për turizmin kulturor. Një program dyditor veprimtarish kulturore si, ekspozita arkitekture, panair artizanati dhe kulinarie, nderim i mjeshtërve të vjetër të përpunimit të gurit dhe promovim i artizanëve të rinj, debate e diskutime të ekspertëve të trashëgimisë, koncerte, vizita në muzetë dhe sitet arkeologjike i dhanë qytetit pamjen e një feste të vërtetë. Për herë të parë Gjirokastra ka festuar dhe përjetuar “natën e bardhë” me një koncert festiv të organizuar nga deputeti Erjon Veliaj, koncert që pati një pjesëmarrje prej përmbi 6 mijë shikues, të cilët festuan deri në agim në kështjellën e lashtë. Fillimisht ishte një ekspozitë me foto arkitekture nga 5 vende të Ballkanit përfshirë edhe Shqipërinë që ka çelur siparin e aktiviteteve në 8-vjetorin e hyrjes së Gjirokastrës në UNESCO.
Eksperti Artan Shkreli, organizator i koleksionimit dhe ekspozimit të imazheve arkitekturore ballkanike tha se Gjirokastra është vendi ideal për të ekspozuar këto vlera. “Vendi i saj gjeografik duhet të ishte patjetër Gjirokastra, nuk kishte ku të ishte tjetër. Bëhet fjalë për një përmbledhje fotografish nga monumente të ndryshme të Ballkanit, ku flitet për godina të cilat janë ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane, qofshin këto xhami, qofshin kështjella, qofshin sinagoga, qofshin kisha katolike ose kisha ortodokse. Ideja e kësaj ekspozite është që popujt e Ballkanit, ka pasur periudha të historisë ku kanë jetuar në harmoni të madhe pavarësisht diversitetit kulturor dhe diversitetit fetar religjioz që kanë pasur”, tha arkitekti Shkreli. Aktivitetet kanë vijuar me një ceremoni që përkujtonte 8-vjetorin e hyrjes në UNESCO. Kreu i bashkisë, Flamur Bime, është shprehur se në 8 vjet Gjirokastra ka bërë përpjekje për të harmonizuar trashëgiminë me turizmin.
Ndërkaq, në oborrin e shtëpisë monument të Zekatëve është organizuar një debat i hapur për gjetjen e rrugëve dhe mundësive të reja për ruajtjen, restaurimin dhe rijetëzimin e monumenteve të Gjirokastrës. Ekspertë të historisë dhe monumenteve vunë theksin te puna e pamjaftueshme për vlerësimin e kësaj pasurie të paçmuar.