Gati 1200 persona kanë thënë që do shkojnë. Është e konfirmuar në Facebook, jo zyrtare, por për “Koncert në gur” nuk ka diçka tjetër më zyrtare se kaq. Një grup personash në më pak se 10 ditë kanë ngritur një axhendë të detajuar për një ditë-natë festive në qytetin e Gjirokastrës. Është konceptuar si një varg eventesh kulturore, tradicionale, muzikore dhe argëtuese që do të zhvillohen gjatë ditës së sotshme në qytetin e Gjirokastrës, në kuadrin e 8-vjetorit të hyrjes së qytetit të gurtë në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO.
“Në datën 15 korrik, në Gjirokastër do të ketë një numër aktivitetesh që do zhvillohen gjatë gjithë ditës”, thotë Magdalena Margariti nga sektori i Kulturës dhe Turizmit në Bashkinë e Gjirokastrës. Aktivitetet do të nisin që në orën 10:00 të paradites dhe priten të vijojnë edhe gjatë natës me atë që është pagëzuar “Nata e Bardhë”, çka do të thotë që do e mbajë zgjuar qytetin deri në orët e para të datës 16.
Me ç’kuptohet nga postimet në Facebook, deputeti i ri i Partisë Socialiste në Gjirokastër, Erion Veliaj dhe grupi që punoi me të në fushatë, ku bie në sy kontributi i Ajola Xoxës dhe Leart Kolës, janë ndër promotorët kryesorë në këtë nismë të mbështetur edhe nga Bashkia Gjirokastër dhe sponsorizues të ndryshëm.
Trafiku në zonën e ‘Qafës së Pazarit’ gjatë ditë së sotme do të ndalet për automjetet, çka do të mundësojë qarkullimin e lirshëm të këmbësorëve dhe shfrytëzimin e hapësirës së rrugës për argëtim. Klubet dhe kafenetë që ndodhen në këtë zonë do të inkurajohen që të nxjerrin karrige dhe tavolina në rrugë. Në hyrje të rrugës dhe në kryqëzimin e “Qafës së Pazarit” do të ketë ansamble që luajnë muzikë popullore live për të mbajtur gjallë atmosferën. Rrugës për në kalanë e qytetit do të ketë dhe një panair libri, ku kalimtarët do mund të shohin botime të shtëpive botuese prestigjioze.
Gjatë ditës, banda muzikore e qytetit do të ekzekutojë pjesë festive, do të ketë panair librash mbi historinë e qytetit në ‘Pazarin e Vjetër’; në sheshin “Çerçiz Topulli” do të përurohet fillimi i punimeve për restaurimin e trotuarit, si dhe do të hapet një ekspozitë fotografish. Një varg aktivitetesh do të vijojnë në “Pazarin e Vjetër” me ekspozita dhe panaire, ku vizitorët do kenë mundësi të shijojnë kulinarinë gjirokastrite, por dhe artizanatin e qytetit, si dhe ekspozita fotografish. Më pas do të ketë një takim në shtëpinë e Zaketëve, ku do të flitet për trashëgiminë kulturore dhe arkitekturën e qytetit.
Mbrëmja do të ketë ngjyra të tjera dhe tinguj folk, rrok dhe etno, që janë konceptuar si një kolonë e përshtatshme zanore për pamjen e qytetit dhe qëllimin e aktivitetit. Janë ftuar grupet OffChestra që luajnë folk-rok dhe Gipsy Groove, si dhe këngëtarja Kamela Islamaj. Për ta mbajtur natën të bardhë, festa do të vazhdojë me muzikën e miksuar nga DJ e thirrur për këtë aktivitet. Gjatë gjithë këtyre ditëve organizatorët kanë postuar programin e plotë të aktiviteteve në Gjirokastër, bashkë me shumë informacione për hotelet dhe pikat tërheqëse që të panjohurit me qytetin dhe zonat përreth nuk duhet të humbasin, duke krijuar një guidë të mirëfilltë për turistë shqiptarë e të huaj.
Është një aktivitet në kuadër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore si një e drejtë e qyteteve dhe banorëve të tyre, theksuar gjatë fushatës zgjedhore të forcës fituese politike, i cili ka arritur të promovohet fuqishëm në mediat sociale, me video në You tube dhe posterat përkatës, në kontrast me heshtjen që pati pesëvjetori i anëtarësimit të Beratit në UNESCO në 8 korrik.
Qyteti i Gjirokastrës, për shkak dhe të anëtarësimit në UNESCO, është një nga qytetet më të vizituara nga turistët. Ky do të jetë një rast për ta prezantuar edhe më mirë qytetin e gurtë të shumë figurave të njohura, ndër ta Ismail Kadare, i cili është përmendur nga organizatorët që në emërtimin që ka marrë kjo ditë “Koncert në gur”, që të kujton të famshmin roman dedikuar Gjirokastrës, “Kronikë në gur”.
Gjirokastra është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2005, si një nga pak shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit otomano-bizantin.
Programi i plotë
10:00 sheshi “Çerçiz Topulli”
Banda muzikore e qytetit ekzekuton pjesë festive.
10:00 “Pazari i Vjetër” i qytetit
Hapja e stendave të librave mbi historinë e Shqipërisë, turizmin, kulturën e letërsinë.
10.30 sheshi “Çerçiz Topulli”
Përurimi i fillimit të punimeve për rikonstruksionin e trotuarit të sheshit “Çerçiz Topulli” dhe të zyrës së Informimit Turistik.
11:00 sheshi “Çerçiz Topulli”
Çelja e ekspozitës fotografike “Rrëfenjë Ballkanase”, mbi arkitekturën në periudhën otomane në Ballkan.
11:30 “Pazari i Vjetër” i qytetit
Çelja e panairit artizanal dhe dhënia e titujve të nderit.
Tregtim i kulinarisë gjirokastrite në rrugët e pazarit të vjetër.
Paraqitje e punimeve etnografike nga Muzeu Etnografik.
Telajo nga nxënësit e shkollës artistike të qytetit.
Ekspozitë fotografike e Drejtorisë së Monumenteve.
Punime qëndistarie, punime druri, punime qilimash.
17:00 sheshi “Çerçiz Topulli”
Përurim i hartës së qytetit.
Vizitë e ekspozitës “Rrëfenjë Ballkanase” nga të ftuarit.
Pjesë nga Ansambli Polifonik i qytetit.
19:00 Shtëpia e Zekatëve
Takim-bisedë mbi trashëgiminë kulturore dhe arkitekturën gjirokastrite “Histori në gur” me personalitete të arkitekturës, historisë e fjalës.
21:00 Kalaja e Gjirokastrës
Koncert festiv me praninë e grupit folk-rock OffChestra, këngëtares Kamela Islamaj dhe grupit të saj, si edhe grupit folk-rock Gipsy Groove.
Pas mesnate festimet vazhdojnë në praninë e DJ.
Për të gjithë ata që planifikojnë të qëndrojnë gjatë natës së datës 15 KORRIK në Gjirokastër dhe ditës së nesërme, nëse dëshirojnë të vizitojnë Qendrën Historike, një listë me destinacionet më të vizituara në qytet:
Kalaja dhe Muzeu i Armëve
Çfarë mund të shihni në Kala:
Kulla e sahatit dhe kisha.
Shkëmbi i Princeshës Argjiro
Tyrbja e Bektashinjve
Muzeu Kombëtar i Armëve & Galeria e topave
Galeria “Gjin Zenebishi”
Burgu i Kalasë
Avioni amerikan
Skena e festivaleve.
Qafa e Pazarit, një muze i gjallë arkitekturor në natyrë, stili otoman shekulli XII, me dyqanet karakteristike dhe rrugët e shtruara me kalldrëm
Banesa e Zekateve
Muzeu Etnografik i Gjirokastrës
Banesa e Skendulatëve
Shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare dhe “Sokaku i të Marrëve”
Shtëpia e diplomatit të famshëm, Rauf Fico&kompleksi Ficatëve!
Banesa e Angonatëve.
Obelisku dhe Shkolla e pare shqipe.
Ura e Ali Pashës.
Liceu i Gjirokastrës
Lagjia “Meçite” dhe “7 krojet”
Xhamia e qytetit (1754)
Mitropolia në “Pazarin e Vjetër”.
Atraksione rreth e rrotull Gjirokastrës
Liqeni i Viroit
Antigonea
Libohovë: Rrapi 600 –vjeçar dhe uji i Glinës,
Kisha e Labovës se Kryqit
Teqeja e Melanit
Siti arkeologjik i Adrianopolit.
Parku Kombëtar i Sotirës.
Krahina piktoreske e Zagorisë në Çajup