Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë qyteti pati një zhvillim të shpejtë dhe të gjithanshëm social, ekonomik, urban, arsimor dhe kulturor. Pati rritje të kujdesit për mbrojtjen e rehabilitimin e objekteve muzeale të trashëgimisë kulturore dhe të artit të ndërtimit. Me ndërtimet, rikonstruksionet dhe rehabilitimet e realizuara në vitet 1940-90, Gjirokastra mori formën e një qendre të rëndësishme administrative në Jug të vendit. Çdo vit që kalonte krijonte bindjen se tradita e të ndërtuarit, vlerat muzeale të qendrave dhe të ansambleve arkitektonike të zonës historike, që ruheshin me fanatizëm dhe mbroheshin me ligj, i shtonin madhështinë dhe përbënin një pasuri të përbashkët për të gjithë qytetarët e saj. Mirëmbajtja dhe rehabilitimi i tyre kërkonin përkushtim e fondeve, të cilat erdhën duke u rritur nga qytetarët dhe shteti, që ndiqte politika të drejta dhe subvencionuese për trashëgiminë kulturore dhe artin e të ndërtuarit. Ishte arritur një ndërgjegjësim superior për mbrojtjen e tyre nga të gjithë qytetarët e saj. Shumë vlera ruheshin nga frika e ligjit edhe e shtetit, por sidoqoftë opinioni i shëndoshë qytetar dominonte. Të ardhurit që arritën në numër po aq sa vendësit, u ambientuan me traditën qytetare të banorëve të saj të hershëm, me zakonet dhe rregullat e pashkruara të bashkëjetesës në gëzime dhe në hidhërime dhe jetuan në harmoni shembullore, pa patur paragjykime krahinore e fetare. Ata morën gradualisht edukatën dhe kulturën qytetare dhe nuk u bënë shkak për thyerje të ligjit apo të traditës. Megjithëse, një pjesë e tyre u ambientuan vetëm formalisht nën trysninë e zakoneve dhe organizimit shoqëror të vendit, asnjëherë nuk treguan karshillëk e mosbindje publike për zbatimin e etikës qytetare. Kur kujtoj ato vite, që gjendja ishte përkeqësuar nga liria e pakufizuar e njerëzve të paformuar, të ardhurit periferikë e mos respektimi i ligjit, dëshpërohem si qytetar dhe si ndërtues.
Ndërtimet dhe sistemi që lamë pas
Në fund të viteve tetëdhjetë shtrirja gjeografike e qytetit kishte ndryshuar. Ajo ishte zgjeruar në Veri, në Lindje dhe në Jug të saj. Në pjesën Veriore u shtuan dy lagje të reja banimi: “Kodra e Shtufit” në krye, prej Teqesë, deri te Varrezat e Dëshmorëve dhe prej ish Fabrikës së Cigareve deri te spitali madhështor; lagjja e re “Granica”, përbri Palortosë në anën tjetër të përroit të Shamos deri te parcela e Kishës Ortodokse. Në Lindje të qytetit, te lagjja “Varrosh”, është ngritur lagjja e re me emrin “18 Shtatori” (dita e çlirimit të qytetit nga pushtuesit). Me ndërtime të ulëta që të befasojnë me pamjet mbresëlënëse të Palortosë, çdo vizitor i ardhur rishtazi, në hapësirat e përrenjve të Meçitës dhe të Nanzës rrethojnë dhe ngjiten hijshëm në kodrat e Hazmuratit, të Pllakës dhe lagjes “Punëtori”. Blloqe banimi me ndërtime të reja në harmoni me banesat karakteristike të qytetit muze, duke i lënë të gjelbra luginat e tyre nga soditen pamje të bukura të ansambleve muzeale. Gjithashtu, me pak përjashtime, me hapësirë të gjelbër mbeti edhe pjesa nën rrugën nacionale deri në brigjet e lumit Drinos, nga Varrezat e Dëshmorëve deri në post-bllok duke ruajtur pasazhet e bukura të soditjes së qytetit nga fusha, kodra përballë dhe qendrat e reja të banimit. Në anën Jugore të qytetit, nga përroi i Bufamesë deri në kodrat e Kordhocës shtrihet zona e re industriale dhe ekonomike e qytetit. Në pjesën e sipërme të përroit në zonën e Teqesë së Zallit, në zinxhirë dhe në vreshtat e Manalatit, në një hapësirë me orientim dhe pamje të bukur, por edhe me ajër të pastër është vendosur një lagje e re banimi që nuk mori asnjëherë vlerësimin e merituar nga pushteti i vendit. Gjirokastra që u bë si një buqetë e bukur gjatë viteve 1950-90 u dëmtua rëndë në vitet që pasuan, që si për ironi janë vitet e para të sistemit demokratik që dëshiruam.
Ndërtimi
Ndërtimi ishte një nga sektorët që kontribuoi më shumë në përparimin dhe zhvillimin e vendit, megjithëse çdo gjë bëhej me fuqinë e krahut; tezga, karroca, skelat e drurit ishin të vetmet mjete për të kryer punët e rënda të ndërtimit, por një forcë e re i shtynte punët përpara. Ishte besimi i njerëzve te sistemi i ri, për një jetë më të mirë, njëlloj për të gjithë. Pa atë periudhë të vështirë dhe të suksesshme të frymëzuar nga idetë socialiste të solidaritetit, sakrificës dhe bashkëpunimit ndoshta edhe sot nuk do të ishin zhdukur gjurmët e varfërisë, injorancës dhe prapambetjes së thellë në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, në tharjen e kënetave, moçaleve dhe të sëmundjeve shumë shekullore të tyre. Nuk do ishte kryer tërësisht elektrifikimi vendit, dyfishimi, kullimi dhe vaditja e tokave bujqësore, zhdukja e analfabetizmit dhe arsimimi i të gjithë njerëzve falas deri në universit, emancipimi i tërë shoqërisë në qytet dhe në fshat, përparimi shoqëror i gruas dhe zonave të thella dhe të prapambetura.
Ndryshimet demografike
Ndryshimet demografike, me të ardhur nga periferia, papunësia masive, abuzimi me liritë e fituara, nga njerëz të paformuar prishën ekuilibrat e një jete të qetë dhe të kulturuar shoqërore, me respekt reciprok dhe harmoni për njeri-tjetrin, për jetën dhe pasurinë publike të qytetit. Megjithëse në pakicë me veprimet, shantazhin dhe thyerjen masive të rregullit qytetar, ata helmatisën mjedisin, u bënë të padurueshëm, por të pashmangshëm se shteti ishte tretur. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Marrëzia kishte pllakosur gjithë vendin për shumë kohë.
Nuk ka pasur asnjë prishje të ndërtesave pa leje
Gjirokastra e humbi shpejt shkëlqimin e saj, u venit dhe deri në vitin 1997 ra në gjunjë në sytë e një pjese të banorëve të saj, por nuk u gremis siç deshën të dehurit, tribalët dhe i pari i vendit. Megjithatë, ata qeshnin nën buzë dhe mërmërisin. Pushteti vendor dhe universiteti me emrin e birit të ndritur të saj që kishte vite jetë, heshtnin, bënin sikur nuk dëgjonin dhe kuptonin klithmat, brengat e njerëzve të mirë, nuk kishin kohë. Po mësonin rregullat e "Pazarit të Ri", që i pari kishte instaluar dhe merreshin me çmimet e ofertat për një provim, diplomë, leje, autorizim, a vulë duke i bërë një dëm qytetit, që nuk e kishin bërë në 500 vjet otomanët, pushtuesit dhe aq më pak regjimi që lamë pas, i cili jo si për çudi, e mbrojti me fanatizëm. Ne i përkisnim brezit të pasluftës dhe nuk mund të bashkoheshim me të dehurit se, të paktën do të na duhej të mohonim veten, përpjekjet dhe vetëmohimin e një komuniteti të tërë qytet dhe artdashës, që arriti ta bëjë Gjirokastrën një buqetë me lule në moshë të thyer, të mohonim parimet dhe kriteret e vendosura me aq punë e përkushtim 30-vjeçar. Shkurt nuk mund të zhbënim personalitetin e qytetarit të vërtetë. Është realitet që meriton të ketë vlerësim real dhe të admirueshëm, përkushtimi i sistemit që lamë pas, për mbrojtjen e qytetit tonë dhe të gjithë vlerave të traditës në mbarë vendin, që mjerisht nuk po e shohim akoma sa duhet në vitet që jetojmë këtë pseudo demokraci, ku të dehurit, të pangopur pretendojnë t’i marrin shpirtin vendit, pa asnjë detyrim qytetar dhe ligjor për t’u vënë fre apo ndëshkuar.
Vitet e demokracisë u kthyen në vite të zymta për qytetin
Kreditë për rikonstruksione
Jepeshin çdo vit 30-40 kredi bankare me vlerë deri në 50 mijë lekë me interes 0.5% dhe afat shlyerje deri në 20 vjet, për objektet muzeale të kategorisë së parë dhe të dytë. Shtetëzoheshin objektet muzeale të degraduara që nuk mund të rikonstruktoheshin nga të zotët dhe bëheshin përpjekje serioze për rivitalizimin e objekteve të shpallura monument kulture. Shteti mbulonte gjithë shpenzimet suplementare që kërkoheshin nga Instituti Monumenteve në fasadat e objekteve muzeale. Gjashtë festivalet folklorike kombëtare që u zhvilluan, me fondet shtesë rehabilituese, ndihmuan në mirëmbajtjen e objekteve të shpallura monumente kulture, rrugëve, kalldrëmeve, gdhendjeve, dyerve dhe dritareve. Jo vetëm në Pazarin e Vjetër, por në të gjithë zonën muzeale; restaurimet kryheshin nga dega e monumenteve të kulturës, që grumbulloi ajkën e specialistëve të gdhendjes së gurit, drurit, hekurit etj. Askush nuk mendonte që vitet e shpresës dhe të fillimit të demokracisë të ktheheshin në vitet më të zymta për qytetin. Ligji i sakatuar për trashëgiminë kulturore, përshpejtoi rrënimin, shkatërrimin dhe dëmtimin e vlerave. Degët e monumenteve të kulturës u atrofizuan dhe u politizuan. Kishte shpërthyer llumi i injorancës në të gjitha nivelet. Gjirokastra si pjesa më e madhe e qyteteve u gjet e papërgatitur me studime urbanistike për të përballuar lumin e kërkesave për ndërtime. Ajo mbeti akoma më pas, jo vetëm nga vështirësitë dhe fondet, por më shumë nga indiferenca, paaftësia dhe pangopësia e pushtetit vendor që i kishte hapur rrugë një stafi të degjeneruar teknikësh, që deri atëherë ishin të panjohur për qytetin.
Gjirokastra u bë pjesë e trashëgimisë botërore
Gjirokastra u bë pjesë e trashëgimisë botërore, ëndrra 40-vjeçare e qytetarëve të saj, përpjekjet dhe kontributi i institucioneve shtetërore, publike dhe jopublike u realizua. Marrja e qytetit në mbrojtje nga UNESCO është një ndihmesë e madhe për ringritjen dhe mbijetesën e saj, është detyrë e çdo qytetari të saj, e pushtetit vendor në radhë të parë, për ndërgjegjësimin e pronarëve, përdoruesve dhe shfrytëzuesve të objekteve muzeale, administratorëve vendorë të shërbimeve publike dhe jopublike se, Gjirokastra do ringrihet dhe lartësohet me kontributin e të gjithëve. Instituti i Monumenteve të Kulturës Bashkëpunimi dhe bashkërendimi me Institutin e Monumenteve të Kulturës duhet rritur për evidentimin e gjendjes, shkallën e rrënimit të monumenteve dhe masat emergjente nga shteti, kur objektet kanë marrë rrugën e rrënimit nga indiferenca e pronarëve. Shteti duhet të kërkojë korrigjime në legjislacion për të mos copëtuar monumentet e kulturës, për subvencionimin e punimeve restauruese me vlera, për ndërtimin tradicional në fasadat e objekteve, për subvencionimin nga ana e shtetit të interesave të kredive, për rehabilitimin e objekteve muzeale. Për rishikimin e rregullores së qytetit muze në harmoni me rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, social e turistik të qytetit; për një rol të ri dhe më të përgjegjshëm të degës së monumenteve si: mbrojtëse, projektuese, zbatuese dhe mbikëqyrëse e punimeve restauruese në qytet, por edhe përfaqësimin dinjitoz të komunitetit qytetar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve dhe organet e tjera miratuese të Institutit.
Objektet muzeale
Institucionet që mbulojnë veprimtarinë e ndërtimit, duhet të kryejnë një evidentim të plotë dhe të gjithanshëm të objekteve muzeale, të rrënuara brenda ansambleve të rëndësishme arkitektonike dhe të ndërtimeve të reja brenda zonës muzeale të qytetit, për mundësitë e ringritjes dhe për rrugët e përshtatjes a të prishjes së tyre.
Betoni, pa kriter
Gjirokastra ka në gjirin e saj mjaft territore të pashfrytëzuara deri sot, që mund të kthehen në qendra të rëndësishme për banorët e saj dhe të ardhurit si: zona rreth Kalasë, poshtë mullirit të vjetër, në luginat e përrenjve të Bufamesë, Nanzës, Mecitës, Gërhotit, në faqet e kodrave të Cakës, Hazmuratit dhe Kodrës së Shtufit.
Zona historike
Një rrugë e re hyrëse nga Veriu, për në zonën historike të qytetit, duhet të zëvendësojë atë ekzistuese, shformuar me ndërtime shumë të dobëta, që fshehin pamjet e bukura të zonës muzeale dhe ulin entuziazmin e vizitorëve, vendas apo të huaj për vlerat e qytetit. Ajo mund të përqafojë në lartësitë dhe qafat e tyre kodrat e Viroit, Gërhotit dhe të Granicës, duke shkuar në qendrën historike përmes lagjes “Palorto”. Ajo shkurton dhe zbukuron rrugëtimin e qytetarëve të pjesës së sipërme për në Viroin piktoresk. Do të duhet kohë që Gjirokastra jonë të ketë shkëlqimin e viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, veçanërisht qytetarinë e saj.
Bonifikimi dhe vaditja e tokave
Çfarë të keqeje bartnin vepra të tilla madhështore si: bonifikimi e vaditja e tokave, deri në skajet më të largëta të vendit, tarracimet e pemëtoret e famshme të kodrave në bregdet dhe gjithë vendin. Sistemi i elektrifikimit deri në zonat më të thella, uzina dhe fabrika të mirëfillta që u dëmtuan, që vazhdojnë të ngjallin trishtim e imazh lufte, godina e objekte që u grabitën dhe u dogjën, mijëra dhe mijëra hektarë pyje që u shkatërruan dhe u prenë, hekurudha që u shkatërruan dhe shina që përfunduan në skrap.