Ka përfunduar studimi i rrezikut sizmik të qendrës historike të Gjirokastrës, që shënon hapin e dytë të rëndësishëm për qytetin e përfshirë në vëmendje të UNESKO-s për vlerat e veta të veçanta të trashëgimisë kulturore botërore, pas planit të rikuperimit të qendrës historike të prezantuar qysh në maj 2006. Projekti arriti të realizojë dhe përshtatë të dhënat e hartografisë ekzistuese me skedat moderne të rilevimit për përcaktimin në terren të rrezikut sizmik për 1200 ndërtesa të qendrës historike. Grupet e studiuesve të përfshirë në këtë projekt, kanë organizuar fillimisht kurse trajnimi për teknikët e zyrave urbanistike për të gjithë partnerët shqiptarë dhe italianë të projektit. Tematika kryesore e trajnimeve ka qenë e lidhur me nevojat e rikuperimin dhe valorizimin e pasurisë kulturore dhe arkitektonike-historike të Gjirokastrës. "Rezultati kryesor i projektit ishte përgatitja e një studimi për përcaktimin e rrezikut sizmik të qendrës historike të Gjirokastrës dhe renditja e një varg rekomandimesh për shmangien e këtij rreziku në zhvillimet e ardhshme urbane", thotë arkitekti italian, Fabrico Torrezi.
Ndërsa inxhinieri Ivano Pignolon, drejtues i sektorit të urbanistikës në provincën italiane Ascoli Piceno, angazhuar maksimalisht në realizimin e studimit, nënvizon se na paraqet rëndësi të veçantë kalimi nga plani i rikuperimit të Gjirokastrës historike te plani i reduktimit të rrezikut sizmik nëpërmjet një bashkëpunimi për zhvillim, bazuar te shkëmbimet dhe administrimi i territorit. "E reja dhe më e rëndësishmja gjë e këtij projekti, vazhdon ai, është fakti që do të punohet me dy financime të bashkërenduara nga programi ndërkomunitar INTERREG, i menaxhuar nga Bashkia e Grottamares dhe programi CARDS, me vlerën prej 50000 eurosh i menaxhuar nga Bashkia e Gjirokastrës, e cila pas kësaj do të ketë mundësinë të fillojë punën për të pasur në dispozicion instrumentin më të rëndësishëm të menaxhimit të territorit, Planin e Përgjithshëm Rregullator.
Në përfundim të këtij projekti është zhvilluar në Gjirokastër edhe një konferencë ndërkombëtare për promovimin e vlerave të projektit transizmik të inkuadruar në projektet e programit. Ky projekti, i filluar në maj të vitit 2006, është finalizuar me prezantimin e studimit për reduktimin e rrezikut sizmik në qendrën historike të qytetit të Gjirokastrës. "Në themel të këtij studimi dyvjeçar qëndron realizimi i një hartografie të re, e cila pasqyron analizat e reduktimit të rrezikut sizmik për 1200 objekte në zonat e cilësuara të mbrojtura të Gjirokastrës, ku më e rëndësishmja pa dyshim është qendra muzeore e Qafës se Pazarit", nënvizon drejtori i DRM, Spartak Drasa.
Ndërhyrjet restauruese në Gjirokastër do të kenë tani një element më shumë, i cili do të përcaktojë edhe mënyrën restauruese të objektit për t‘i rezistuar më shumë kohës, ndërkohë që restaurimet e deritanishme kanë pasur si kriter thjesht kthimin e tij në gjendjen e mëparshme. Sigurisht, ndërhyrjet do të respektojnë teknikat tradicionale të ndërtimit. Organizatorë të konferencës ishin Bashkia Gjirokastër, Bashkia Grotamare, provinca Askoli Piçeno dhe rajoni i Markeve.
Nga : Gazeta Shqip