Gjirokastrer hapet tuneli sekret per turistet me 100 dhoma i Enver Hoxhes

Gjirokastrer, hapet tuneli sekret per turistet  me 100 dhoma i Enver Hoxhes
GJIROKASTËR

Një "qytezë" e nëndheshme e ndërtuar në kohën e diktaturës komuniste në zemër të zonës historike të Gjirokastrës, vendlindje kjo e diktatorit Enver Hoxha, ka filluar të "zbulohet" përgjatë këtyre ditëve në tërësinë e mistereve të saj. Ndonëse shumëkush nga banorët e qytetit muze ishin në dijeni të vendstrehimit ose tunelit që përshkon gjithë Qafën e Pazarit, asnjëri prej tyre nuk kishte arritur të hapte portën e tij për të parë atë çfarë mbante brenda. Pas plot 37 vjetësh, Këshilli i Qarkut e Bashkia e Gjirokastrës në bashkëpunim dhe me degën e PAKARD-it, kanë vendosur që të hedhin dritë mbi një copëz historie, që në fakt mund të gjendet dhe sot e kësaj dite në shumë prej qyteteve të vendit tonë. Befasia e së shkuarës komuniste e që ka tërhequr kureshtjen e qytetarëve të të gjitha moshave, por kryesisht të turistëve të huaj, nis tek dyert e dhomave, ku ende duken mesgermat e fundgermat (janë fshirë ndër vite) e emrave të titullarëve komunistë të asaj kohe që do të mund të strehoheshin së bashku me familjet e tyre në tunel në rast të ndonjë agresioni nga superfuqitë e kohës... Ndërsa, gjirokastrit tërhiqen thjeshtë nga "modeli" i një vendstrehimi të kohës së Enverit, të huajt përpiqen të kuptojnë mesa munden, copëzat e së shkuarës, copëzat e mbetura ende "gjallë" nga ish-diktatura më e egër e Europës. Turistë anglezë, gjermanë, kanadezë etj, që këto ditë patën fatin të hynin të parët në tunel, janë mrekulluar e çuditur njëkohësisht. Shumë shpejt dy nga dhomat e vendstrehimit do të kthehen në muze. Aty do të jetë i pranishëm dhe një ciceron që do të shpjegojë atë që nuk mund të rrokin në mendjet e tyre turistët e huaj.

VENDSTREHIMI
Përfund kalldrëmeve të Qafës së Pazarit (nga sheshi "Çerçiz Topulli deri tek godina e Këshillit të Qarkut), në të gjithë gjatësinë e tij, ndodhet tuneli me gati 100 dhoma dhe mjedise të tjera të brendshme. Tuneli i ndërtuar në vitet '70-të ka katër dalje, një prej të cilave nën kala; tjetra në bashtenë e teqesë, ndërsa njëra prej tyre në Këshillin e Qarkut. Me tre degëzime të ndryshme, ai përshkon më shumë se 800 metra për çdo degëzim. Të gjitha dhomat që janë ndërtuar në të dy anët, janë të përmasave 4 me 4 metra apo edhe 4 me 6 metra. Por veç dhomave, në dyert e të cilave janë shënuar emrat e ish-krerëve komunistë që do të strehoheshin në secilën prej tyre, ka edhe dhoma të tjera për ajrosje, tualete, dushe etj. Këto i japin këtij vendstrehimi pamjen e një qyteti nëntokësor. Sadri Petrela, koordinator i PAKARD në Gjirokastër, thotë se janë një numër i konsiderueshëm turistësh të huaj që kanë hyrë në mjediset e vendstrehimit. Këta turistë janë shprehur se Gjirokastra është një qytet që ka vlera të mëdha mbi tokë, por ka po kaq vlera edhe nëntokë, të cilat shumë pak i dinë. Edhe qytetarët autoktonë në Gjirokastër dinë pak ose aspak për këtë vendstrehim të ndërtuar në afërsi të ish-Komitetit të Partisë së Punës, sot Bashkia dhe Prefektura.

RIJETËZIMI
Drejtuesit vendorë në qytetin e Gjirokastrës kanë nisur punën për rijetëzimin e "qytezës së nëndheshme". Nisur nga interesimi i madh i turistëve të huaj, bashkiakët janë hedhur në aksion për lidhjen e sistemit elektrik në dhomat e vendstrehimit; pastrimin e lyerjen e tyre. Mësohet se shumë shpejt do të ngrihet dhe një muze brenda mjediseve të tunelit të ndërtuar në kohën e diktaturës.

Nga Ismail Xhaferri
(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama