Gjithcka do te falja por tradhtine jo

Gjithçka do të falja, por tradhtinë jo
Tradhtia në mes çifteve në vitet e fundit është një fenomen gjithnjë e më i pranishëm në shoqërinë tonë. Dikur ky fenomen konsiderohej se ka ndodhur vetëm tek meshkujt, kurse tash hasen raste edhe tek gjinia e bukur. Arsyet e tradhtisë janë nga më të ndryshmet, duke u nisur nga raportet jo të mira mes partnerëve, për shkak të hakmarrjes, për pasuri, për shkak të monotonisë, nga kureshtja për ta njohur dikë tjetër e shumë arsye të tjera.

Megjithatë, askush deri më tani nuk ka dhënë ndonjë definicion të prerë pse tradhtojnë çiftet. Andaj, edhe vetë fenomeni si i tillë nuk mund të kuptohet drejt apriori, nëse nuk i perceptojmë faktorët esencialë të një “sihariqi” të tillë, siç quhet bukur shpesh në popull. Është edhe një thënie e vjetër, që pas disa vjetësh që rrinë së bashku, femra arrin të kuptojë se nuk është më e lumtur dhe e kërkon qetësinë e saj në një lidhje të re. Për këtë arsye, ajo nuk e ndalon veten të hidhet në krahët e dikujt tjetër.

Ndarja pas katër vjetësh martesë

Por, sa tradhtojnë femrat dhe meshkujt në realitet, asnjëra gjini nuk jep shumë informacion lidhur më këtë temë, por, sido që të jetë, duke e parë shumë realitetin më sy, mund të kuptosh që praktikat e tilla janë shumë aktuale. Edhe pse të rinjtë tanë e dinë që tradhtia nuk është aspak e mirë, ata prapë provojnë një të tillë, duke mos i menduar shumë pasojat. Kjo ka bërë që nga viti në vit edhe rastet e divorceve të jenë në rritje e sipër.

SH. N, një grua nga rrethi i Ferizajt, pas katër vjetësh martesë, është ndarë nga burri i saj mu për shkak të tradhtisë.“Pas katër vjetësh jam ndarë nga burri, pikërisht se ai më ka tradhtuar. Nuk ju kam besuar fjalëve të hallkut deri sa e kam zënë vet duke folur në telefon. Gjithçka do të falja, por tradhtinë jo, andaj vendosa të ndahem”, është shprehur ajo. Arsyeja pse atë e ka tradhtuar burri i saj është se thjesht e ka gjetur një tjetër të punësuar dhe me pare. Sociologët fenomenin e tradhtisë e konceptojnë si thikë me dy tehe, ngase, sipas tyre, është një proces që nuk shkon mbarë, megjithatë në kohën e sotme është e pashmangshme një gjë e tillë.

Fenomen në rritje

“Tradhtia bashkëshortore është fenomen që kohëve të fundit është mjaft e shprehur edhe tek ne, dhe ndodh tek dy gjinitë, por me e shprehur është tek meshkujt, të cilët janë më të prirë të tradhtojnë sesa femrat”, është shprehur sociologu Ilir Rexha. Sipas tij, janë disa faktorë që shpijnë tek tradhtia, por pikë se pari është mungesa e harmonisë bashkëshortore dhe mosgjetja e prehjes dhe e lumturisë tek çiftet, pastaj mungesa e besimit tek ndonjëri prej çifteve, apo e kundërta, besimi i kundërt te njëri-tjetri, rënia e interesimit për të pasur marrëdhënie intime mes bashkëshorteve dhe disa faktorë të tjerë. Në këtë aspekt po ashtu mund të ndikojë edhe mungesa e shpeshtë e kontakteve mes bashkëshorteve, pasi që ndonjëri nga ta mund të jetë jashtë gjirit familjar, gjë që krijon mundësi të theksuara që të humbet besimi tek njëri-tjetri dhe të lindë tradhtia.

Prishtinë:

Brenda vitit, 117 shkurorëzime
Në bazë të dhënave të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, mësohet se rastet e shkurorëzimeve nga dita në ditë po shënojnë ngritje. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 janë shkurorëzuar 59 çifte, ndërsa në vitin 2007 janë shënuar 53 shkurorëzime, çka do të thotë se viti 2008 shënoi numër më të madh të ndarjes së çifteve.“Në vitin 2003, sipas aktvendimeve, kemi pasur 32 raste të shkurorëzimeve, në vitin 2004 - 38 raste, në vitin 2005 - 75 shkurorëzime, ndërsa në vitin 2006 janë regjistruar 117 raste të shkurorëzimeve”, kanë bërë të ditur burime zyrtare të KK të Prishtinës.
Po sipas këtyre burimeve, mësohet se që në vitin që lamë pas numri i rasteve që kanë kërkuar divorc është rritur në krahasim me vitet paraprake. Por, në rast se edhe gjatë këtij do të jetë i njëjti ritmi i divorceve, atëherë ky numër do të jetë edhe më i madh. Arsyet e shkurorëzimeve janë nga më të ndryshmet, si mosmarrëveshjet në mes të çiftit, martesat e hershme, kur partnerët hyjnë të papërgatitur në jetën bashkëshortore, tradhtia, gjendja e vështirë ekonomike e shumë të tjera.

Në krahët e tjetrit

Rastet e tradhtisë së çifteve ndodhin edhe kur ata kalojnë jetë të mirë, por tradhtojnë duke menduar që nuk do të zbulohen shumë. Iks raste ka kur si gruaja ashtu edhe burri e kanë tradhtuar njëri-tjetrin dhe sapo e kanë zbuluar janë ndarë. “Unë jam ndarë nga gruaja ime pasi që kam dyshuar se po më tradhton. Në shumë raste kur i kam telefonuar ajo ka qenë në punë dhe nuk më është lajmëruar. Kurrë nuk më ka shkuar mendja se do të më tradhtojë, por ajo më ka gënjyer disa herë se është në punë dhe e kam zbuluar që nuk është. Po ashtu, edhe shoqëria më kanë thënë se e kanë parë me të njëjtin person disa herë në restorante”, është shprehur N. R., nga rrethi i Prishtinës. Sipas tij, të gjitha gabimet ka qenë në gjendje t’ia falë gruas, por tradhtinë në asnjë mënyrë.

“Pasi e kam zbuluar, ajo është penduar shumë dhe ka kërkuar t’ia fali, por nuk kam mundur, i kam besuar shumë dhe asnjëherë nuk kam menduar se do të më ndodh një gjë e tillë”, thotë ai.Në anën tjetër, një e re nga rrethi i Gjilanit, G. H., ka pohuar se ajo kurrë nuk e ka tradhtuar të dashurinë e saj dhe as ai nuk e ka tradhtuar. Unë kurrë nuk e kam tradhtuar të dashurin tim dhe po të më ndodhte një gjë e tillë nuk do t’ia falja kurrë. Të gjitha falen, por tradhtia në asnjë mënyrë”, është shprehur ajo. Ajo ndihet e habitur se si në vitet e fundit tradhtia është bërë një dukuri e zakonshme dhe madje për shumicën e rasteve krejt normale.“Unë mendoj që periudha e tranzicionit ka ndikuar shumë negativisht në shoqërinë tonë, pasi që në të shumtën e rasteve i kemi marrë gjërat negative”, ka thënë ajo.


Kosovasot

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama