Doruntina e vogël po rritej. Adriani, fëmija I dytë I Gresës, I vetmi që s’dinte asgjë nga ato që kishin ndodhur, ende nuk kishte lindur. Romani im I fundit, Një grua nga Tirana, pas botimit në Francë të Stock dhe në Holandë, kishte dalë ndërkaq edhe në Athinë. Ndërkaq, kontrata me shtëpinë botuese Plavi Jahac të Beogradit, për arsye që merren me mend, – acarimi I marrëdhënieve shqiptaro-serbe, mbeti pezull.
Kam folur fare pak dhe kalimthi për librat e mi, jo për t’u treguar modeste, as sepse e kam quajtur letërsinë si diçka anësore në jetën time, por për një tjetër arsye. Duke e dashur letërsinë qysh nga fëmijëria me një përkushtim të rrallë, pasioni im për të shkruar, gjatë viteve pësoi një tërheqje, apo më saktë, një frenim të vetëdijshëm. Dhe shkaku merret me mend: prania zotëruese e Is. Mendoj se ky pasion u realizua tek unë jo vetëm duke u marrë gjithnjë, edhe pse kursyeshëm, me krijimtari letrare, por duke u bërë ditë pas dite një ndihmëse e tij në përgatitjen e tekstit letrar. Një rol vendimtar për këtë angazhim luajti edhe qëndrimi në Francë, ku ai vazhdonte të shkruante si përherë vetëm me dorë. Në këto rrethana u detyrova të merrja përsipër shtypjen e dorëshkrimeve në kompjuter, gjatë gjithë kësaj kohe, kisha qenë pjesëmarrëse në gëzimet dhe hidhërimet e tij, një pjesë të të cilave i kishim përjetuar ngushtësisht bashkë, për të mos thënë se kishte raste që unë kisha qenë më e ndjeshme se ai. Ishin vajzat ato, veçanërisht Gresa, e cila me mënyrat e saj, me takt, por mbi të gjitha me shumë dashuri, ma kujtonte këtë “mënjanim të vetvetes”.
Jo rallë herë, në intervistat që më janë kërkuar (I kam kufizuar sa kam mundur edhe ato, pa mundur t’iu largohem të gjithave),qëllonte që pyetja e parë të lidhej pikërisht me ndikimin e mirë apo të keq të Is në këtë fushë. Shumica e intervistuesve, duke më përmendur prodhimtarinë e vrullshme të viteve të rinisë, nuk e fshihnin mendimin se unë isha sfumuar nga hija e rëndë e Is, duke më perifrazuar aq shpesh proverbin e njohur të pemëve të rritura nën hijen e lisit të madh etj.,etj., si këto, sa kohë që shumë të tjerë ma thoshin hapur mendimin se unë isha sakrifikuar për hir të tij.
Mendoj se kjo nuk ka qenë në thelb e vërtetë. Ndikimi tek unë ka qenë i padiskutueshëm natyrisht, por nuk mund të them kurrsesi se kjo më ka penguar. Ai më ka bërë keq vetëm në qoftë se bërja keq mund të quhet vetëpërmbajtje. Vetëpërmbajtja për të mos shkruar gjëra që s’duhej ose më saktë, s’ka qenë nevoja të shkruheshin.
Is ka qenë shumë serioz ndaj pasionit tim të kahershëm ndaj letërsisë dhe nuk ka abuzuar asnjëherë me pozicionin e tij superior ndaj meje, si “dishepulle” e tij. Kjo ka ndodhur vetëm një herë, atëherë kur më dërgoi letrën e famshme nga Moska, të cilën, siç e kam shpjeguar, e ka pranuar në çast se e kishte bërë pa sinqeritet dhe i shtyrë nga motive jashtëletrare. Mirëpo kjo nuk ishte përsëritur më kurrë.
Ai nuk kishte ndonjë “mahnitje” apo, të themi, ndonjë pëlqim të tepruar për ato që unë shkruaja. I shihte me dashamirësi, por pa munguar kurrë të ma thoshte atë që mendonte. Kjo ishte dhe arsyeja që, siç e kam thënë edhe më lart, ia pranoja vërejtjet pa ndonjë acarim apo qejfmbetje, ngaqë kisha besim të palëkundur në gjykimin e tij. Një gjë, për të cilën i kam qenë mirënjohëse përherë. Ka qenë fakti se ai, i shquar për humor, disa herë të rëndë, nuk më ka plagosur kurrë, duke bërë qoftë edhe aludimin më të vogël nënvleftësues për ato që unë shkruaja.
Kam qenë jashtëzakonisht e vëmendshme në këtë pikë dhe, në çaste acarimi mes nesh thosha me vete: prite tani kur të fyejë për shkrimet. Kjo nuk ndodhi kurrë. Madje ka qëlluar që, në konkurse të ndryshme letrare, kemi marrë që të dy çmime dhe, kur dikush nga rrethi ynë ka dashur të na “ngacmojë” për këtë “përkim”, ka qenë ai i pari që i ka çuar gjërat në vend, natyrisht me stilin e tij të njohur pikant.
Siç më tha njëherë, shkrimet që bëja ai i merrte seriozisht, ashtu siç merrte seriozisht dëshirat e mia si grua, pasionin për të dekoruar shtëpinë, për t’u veshur bukur, për të bërë festa e gjëra të këtij lloji. E vetmja gjë që nuk e ka çmuar asnjëherë, ishte dëshira ime për t’u marrë me përkthime. I gjithë ky proces i dukej kohë e humbur, ndërkohë që, siç thoshte, kisha kaq shumë gjëra të tjera, ku e ku më të rëndësishme për t’u bërë.
Ndryshe nga ç’mendonte ai, marrja e kohëpaskohshme me përkthime përbënte për mua një kënaqësi, madje edhe një lloj çlodhjeje, që ai nuk e kuptonte dot. Së pari, librin që merrja për ta përkthyer, e zgjidhja sipas shijeve të mia, pra një libër që e doja. Nga ana tjetër vetë procesi i përkthimit, loja e gjetjes së fjalëve, e stilit që t’i përshtatej origjinalit, më është dukur përherë një gjë mjaft zbavitëse. Kështu të gjithë librat e përkthyer, jam përpjekur t’i bëj jashtë syve dhe vëmendjes së tij, së shumti, kur ai mungonte. Një ditë, kur Gresa hyri papritur në dhomën ku punoja dhe unë instinktivisht bëra lëvizjen e fshehjes së librit që kisha ndër duar, ajo më tha duke qeshur: po punon në të zezë?
Helena Kadare mbi tradhtinë
“Një ditë, duke marrë këmishët e Is për t’i futur në makinën larëse, ndjeva një aromë të njohur, por të veçantë për të. Mezi u kujtova: ishte një krem për t’u bronzuar. Ishte muaji shkurt dhe u habita ç’donte ajo erë kremi në këmishën e tij! E pyeta dhe më pohoi se kishte një javë që bënte seanca nxirjeje në një qendër Solaire, jo larg shtëpisë sonë, në avenue Emile Zola. Edhe pse e hutuar nga kjo e papritur, atë çast, krejt në mënyrë mekanike, e ndoshta idioteske, mendja më shkoi te një personazh gruaje, që e kisha lexuar diku, e cila, nga një detaj i tillë tek i shoqi kishte zbuluar një lidhje të tij me një grua. Kështu pra, në mënyrën që s’e prisja, zbulova tërheqjen e tij të fundit ndaj një tjetër gruaje.
Ishte një situatë e ngjashme me të tjerat, por jo aq sa të prishte ekuilibrin e jetës sonë. Ishte kjo pyetja e parë që në raste të tilla vetvetiu ia bëja vetes: A e rrezikonte harmoninë gruaja e re që kishte hyrë papritur në jetën e tij, në tonën? Nga një hetim i sjelljes së tij, me intuitë e ndjeva se midis nesh nuk kishte ndryshuar ndonjë gjë. Në sfondin e saj ngjarja e re m’u duk jo aq me peshë sa ç’e mora në fillim.
Nuk kisha qenë as fanatike, por aq libertine. Bashkëjetesa me të më kishte bindur se kishte qenë e vetmja mënyrë që lidhja jonë të ishte e vijueshme. Isha mësuar natyrshëm me besnikërinë e tij relative dhe e dija ndërkaq, që s’kisha pse të kërkoja më shumë.”
Dy Helenat
Helena Kadare vjen me kujtimet në shqip “Koha e pamjaftueshme”, Botimet Onufri, 2011. Në 700 faqe kujtime të shkruara përgjatë 15 viteve të fundit, Helena Kadare tregon jetën që fillon dhe mbyllet me Ismail Kadarenë alias Is (kështu e quan gjatë gjithë kujtimeve ajo) por që ka në qendër një grua.
Libri është hedhur në qarkullim dje dhe ka përpara ditët e panairit të librit të Tiranës për t’u prezantuar. Autorja ia kushton këtë vepër nipërve Doruntina e Adrian. Me këtë titull, “Koha e pamjaftueshme” (Le temps qui manqué, në frëngjisht, gjuha ku u botuan së pari kujtimet nga Botime Fayard, 2010) Ismail Kadare kishte shkruar një vjershë:
I munduar gjer në çast të fundit,
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do t’ik, e cila u lexua si testament i shkrimtarit për lexuesin para se të linte Shqipërinë e të kërkonte azil politik në Francë më 1990.
Ngaqë ishte e letrave, ajo u bë mikesha dhe bashkëpunëtorja, e ngaqë e pranoi besnikërinë e tij relative, ajo ishte gruaja e jetës së një njeriu me të cilin kishte jetuar më shumë se tri dekada. Një njeri “i lexueshëm qysh në takimin e parë, po aq sa ç’ishte i ndërlikuar. Herë i butë e herë i ashpër, i drejtë dhe i padrejtë, aty shpërfillës e gjakftohtë, e befas i papërballueshëm e plot trille të rrezikshme. Më bënte që të ndihesha e çorientuar”.
Dy fragmentet që Shekulli ka zgjedhur për këtë prezantim të parë përfaqësojnë dimensionet e dy Helenave: shkrimtarja për të cilën është thënë se u sfumua nga emri i shkrimtarit Kadare dhe, bashkëshortja që ka pranuar një koncept mbi besnikërinë relative të shkrimtarit kandidat konstant i Nobelit. Në këtë mënyrë, ajo nuk e fsheh se nëpërmjet kujtimeve për një burrë, po flet për një botë të gruas dhe mbi gruan.
Libri përmban 40 faqe me foto nga jeta e Ismail dhe Helena Kadare, një pjesë e të cilave botohen për herë të parë.