Gjithe keqkuptimet per princin piroman Neroni

Gjithe keqkuptimet per princin piroman, Neroni
Një mbretërim dhe një epokë

Neroni duhet të ketë mbretëruar rreth katërmbëdhjetë vite. Sigurisht është pak, madje edhe për Romën perandorake, ku, tradicionalisht pushteti nuk mbahej gjatë. I shpallur perandor i Romakëve më 13 tetor të vitit 54, Neroni vdiq më 11 qershor të vitit 68, pas Krishtit. Dhe nuk kishte mbushur akoma tridhjetë e një vjeç kur u detyrua të vrasi veten. Atë që donte të realizonte nuk mundi ta realizojë plotësisht. Nga një gjykim që i bëhet veprimtarisë së tij politike, arrin në një konstatim: le të ketë qenë një monstër apo një vizionar, Neroni zgjodhi një rrugë origjinale. Këtë zgjedhje të tij klasa politike romake nuk pranoi ta bëjë të vetën. Por a mund ta bënte ajo një gjë të tillë? Zhvillimet politike dhe konfliktet e dhunshme të bëjnë të dyshosh për këtë. Dhe konflikti do të kishte si fund vdekjen brutale të protagonistit kryesor.

Shekulli i parë pas Krishtit, ishte një shekull i vërtetë Rilindjeje, i karakterizuar nga një krizë e gjatë e rritjes dhe përshtatjes, në rrugën dredha-dredha. Shekull i Rilindjes, ai i paraprin një shekulli klasik, ashtu si më vonë i XV-ti paralajmëroi të XVI-in. Ashtu si tronditjet e barokut përgatitën ekuilibrat e klasicizmit. Neroni një princ i keq? Ndoshta. Princi i vërtetë i kësaj Rilindjeje? Pa asnjë dyshim. Në fund të fundit, Rilindja e vërtetë, ajo e shekullit të XV, a nuk kishte ajo shumë nga këta “princër të rinj”?

Përtej vetë mbretërimit, epoka e Neronit përbën një sekuencë historike autonome brenda shekullit të parë pas Krishtit: një nënsistem brenda sistemit Julio-Klodian, i cili u karakterizua nga fenomene socio-politike dhe ideologjike të veçanta. Kjo periudhë nis me shfaqjen, rreth Senekës, të një rryme që u konsolidua në oborrin e Klodit, ku sundon Agripina, gruaja e tij e fundit, pra në vitet 50-51 pas Krishtit dhe mbyllet me fundin e luftës civile dhe fitoren e Flavianëve, në vitin 69-70 pas Krishtit. Faqet e mëposhtme do t’i kushtohen një njeriu. Megjithatë ne do të mundohemi ta shohim këtë njeri në kuadrin e mjedisit që e kushtëzoi të paktën pjesërisht: shkurt në epokën e tij.

Një përfytyrim i deformuar?

Në përgjithësi, e ardhmja nuk ka qenë aspak më zemërbutë ndaj perandorit se për ata që e detyruan në qershor të vitit 68 t’u jepte fund ditëve të veta. Pa dyshim, Çezari i fundit i dinastisë Julio-Klodiane ka patur përkrahësit e tij të zjarrtë. Por kur këta nuk jetonin më, me kalimin e viteve imponohet përfytyrimi i një Neroni monstër e kriminel, një gjakatar i çmendur, i cili vrau njerëzit e tij dhe i vuri zjarrin Romës, kryeqytetit të tij, thjesht për kënaqësi. Shpeshherë është thënë madje se Neroni ishte në origjinë të atij zjarri, të ndodhur në vitin 64, të cilin e organizoi kur ishte nën pushtetin e marrëzisë. Sigurisht për këtë të gjithë i referohen burimeve të hershme dhe autorëve të asaj kohe. Megjithatë, përgjegjësia e tij, sado imagjinare të jetë, mbetet pjesa kryesore e dosjes.

Ai vazhdon të shihet si një princ pirroman, një engjëll i rënë nga fuqia, një farë Drakule. Kjo famë është pjesë e një tradite: të tjerë përpara tij e kanë vuajtur, të tjerë pas tij do ta vuajnë. Kaligula ose Gaiusi, ashtu siç quhej në realitet, në këtë kuptim është paradigma e perandorit psikopat. Bashkëkohësit e Neronit, edhe duke i gjykuar me rreptësi, kanë qenë më pak të tronditur nga krimet e perandorit të tyre se brezat që do të vijnë pas tyre. Kjo për shkak se letërsia do ta kapë shumë shpejt si personazh. Për sa u përket dëshmive ekstra letrare: mbishkrimeve, papiruseve ose dokumentave që kanë të bëjnë me aktivitetin administrativ perandorak, ato shërbyen vetëm pjesërisht për ta larushuar këtë përfytyrim negativ i lindur nga një vullnet dënimi pa kthim.

Herë “tiran i universit” (Pseudo-Seneka, Octau, 250), herë “armik i racës njerëzore” (Plini i vjetër, Nat, Hist., 7, 6, 2; 7,6,1;22,46,1) në rastin më të mirë Neroni është vetëm një despot mendjemadh. Stoikët e epokës së Flavianëve, pastaj shkrimtarët e shekullit të Antoninëve do ta vënë theksin tek çekuilibri dhe papërgjegjshmëria e këtij njeriu, që në disa pikëpamje, është i pazakontë. Në periudhën e Suetonit, ky përfytyrim tashmë është kristalizuar: Neroni është bërë një perandor i urryer dhe i mallkuar. Këtej kaloi dhe Taciti. Ai që Rasini më vonë do ta quajë: “piktori më i madh i Antikitetit” në të vërtetë i ka shtuar penelatën e tij portretit, një penelatë që do ta nxijë edhe më shumë modelin.

Në të vërtetë, nën vështrimin e perëndive Neroni do ta vrasë Britanikusin, vëllanë e tij të adoptuar, pa i dhënë as kohë madje të përqafojë motrat e tij, pasi e kishte përdhunuar dhe fëlliqur. Një etapë është kaluar. Prej kësaj kohe, perandori do të bëhet shumë shpejt një monstër, në kuptimin teknik që i japin shenjat kësaj fjale: një krijesë anormale e krijuar nga perënditë me qëllim që të paralajmërojnë njerëzit për rrezikun e madh që i kërcënon.

Antikrisht?

Stafetën e merr legjenda. Mjediset judeje, por veçanërisht qarqet e shkrimtarëve të krishterë, nuk ia falin atij persekutimin që u bëri atyre, ata do ta bëjnë Neronin një figurë të Apokalipsit. Autori pagan Festus e paraqet si perandorin më të urryer që mund të ketë patur shteti romak (Rufius Festus, Sur les victories du peuple romain, 19), shën Augustini thotë se ai arriti kulmin e harbimit dhe mizorisë, ndërsa Joan Krizostomi e shikon atë si simbolin e vesit dhe barbarisë. Të krishterët nuk mund t’ia falnin atij vetëshpalljen si shpëtimtari i botës: për ata, vetëm Krishti e gëzonte këtë cilësi.

Pra nuk është aspak e habitshme që Neroni të mos ketë përfituar nga zemërgjerësia dhe interesi që treguan ata ndaj Senekës, për të cilin ata shkuan deri atje sa fabrikuan një korrespodencë me Shën Palin. Në klimën e armiqësisë së përgjithshme, disa shkuan deri atje sa ta konsideronin perandorin qoftë Antikrisht, qoftë paralajmëruesin e tij. Laktansi, shën Agustini dhe Joan Krizostomi do t’i luftonin këto teza, të cilat gjenden tek Viktorian de Peto, Komodieni dhe Sulpis Severi. Sipas shën Agustinit, disa të krishterë thoshin se Neroni do të ringjallej në formën e Antikrishtit; disa të tjerë mendonin se perandori nuk kishte vdekur, por e kishin rrëmbyer, me qëllim që të besohej se kishte vdekur dhe se e mbanin të fshehur, të gjallë: “rezervë” (reservatus) me qëllim që më vonë ta vendosnin në krye të mbretërisë së tij.

Joan Krizostomi, ashtu si shën Agustini, do t’i hidhte poshtë këto teza, por ishte i mendimit se djali i Agripinës kishte qenë, sa ishte gjallë, një farë pararendës i Antikrishtit, i cili ishte i destinuar të tregonte, me veprat e tij, se cili do të ishte ky, kur të vinte në fundin e kohëve, përpara triumfit të vërtetë të Krishtit (Homelie IV, 1 dhe vijim). Siguria që Neroni ishte pikërisht Antikrishti, ose të paktën si ai, zgjati deri në Mesjetë. Rreth fundit të Antikitetit, autori i panjohur i Apokalipsit do të zhvillojë temën e bishës, numri i të cilës, 666, ishte nxjerrë nga mbledhja e shifrave jo të natyrshme të transkriptimit hebraik të gërmave të emrit Neron Çezar. Duke qenë se askush nuk mund ta tregonte me përpikmëri vendvarrimin e Neronit, me gjithë informacionet e Suetonit, ideja vazhdoi rrugën.

Gjatë gjithë Mesjetës, legjenda nga më të çuditshmet profilohen. Disa e bënin Neronin një qenie monstruoze që pillte një bretkosë, të tjera vetë djallin. Ndërsa të tjerë i merrnin për djajë brirët që fluturonin nga pema që mbinte mbi varrin e marrë me mend të Domitëve. Papa Paskali 11(1099-1118) u detyrua të rrafshojë monumentin dhe në vend të tij të ngrejë një kishë, duke qenë se besimet e kohës donin që këta zogj të jenë një mishërim i shpirtit të Neronit, një shpirt që nuk do të gjente paqe veç pas ardhjes së Krishtit në tokë. Në vitin 1900, në Ankona tregoheshin histori për fanitjet djallëzore të perandorit. Në vitin 1975, një i ri gjerman, duke dashur t’i nënshtrohej një ekzorcizmi, ishte i bindur se kishte dëgjuar zërin e Neronit.

Ende edhe sot, ne vazhdojmë t'i qëndrojmë besnikë kësaj paraqitjeje apokaliptike të një Neroni të shkalluar. Këtë e dëshmon kinemaja, e cila, me disa ndryshime, i ka bërë atij një portret të ngjashëm me atë që ka bërë Zhan Ruzhe: “Neroni është perandori gjysmë i çmendur dhe gjakatar i përshkruar nga Taciti, Suetoni dhe Dion Kasius: vrasësi i gjysmëvëllait, i gruas së tij, i nënës, i mësuesit të tij dhe shumë të tjerëve; i shthururi që shfrytëzonte seksualisht gratë dhe djemtë e rinj, duke i detyruar pastaj të martoheshin me një nga skllevërit e liruar të tij; aktori i keq që dilte në teatër dhe konkurse.”

A duhet të rehabilitohet Neroni?

Në qoftë se disa monografi moderne, që në pjesën më të madhe janë bërë nga njerëz që nuk janë specialistë, i përmbahen këtij përfytyrimi tradicional të Agripiniditit, biografi të tjera gabojnë në kah të kundër: duke e paraqitur Neronin si një shenjt apo një mik të të varfërve. Historianët, duke patur parasysh të gjitha dëshmitë që ne kemi në dorë, përpiqen, t’i larushojnë në një farë mënyre qëndrimet dhe mendimet e tyre. Por punimet e tyre, shpeshherë priren, për të mos thënë e bëjnë, që ta rehabilitojnë perandorin. Me qëllim apo jo. Kështu, duke dashur të tregojnë vazhdimësinë e një administrimi që nuk ka qenë gjithmonë i keq, shpeshherë ata i kalojnë dhe caqet e objektivave fillestarë që i kishin vënë vetes, pa kuptuar rëndësinë e konkluzioneve të tyre të nxjerra në mënyrë të përgjithshme e pa prova. Sigurisht do të ishte e pakuptimtë të mbështetësh idenë se Neroni ishte një perandor kompetent dhe një njeri i ekuilibruar.

Megjithatë duhet të vendoset e vërteta dhe të pastrohet një terren i mbushur me legjenda të shumta dhe tradita të dyshimta. Dhe ne do të përpiqemi pra, të shpjegojmë “dëmet” e Neronit duke eksploruar pastabilitetin e tij psiqik si dhe kontekstin historik që e kushtëzoi. Në qoftë se Neroni vrau nënën e tij, gruan, mësuesin, mbase nuk është po aq fajtor për krimet me të cilat e ngarkojnë. Disa dëshmi antike i kanë paraqitur në mënyrë karikaturale shthurjet dhe teprimet si aktor i keq. Last but not least, ne do të përpiqemi të analizojmë më nga afër programet politike të perandorit si dhe ato të forcave të tjera të mëdha të pranishme në atë epokë. Në të vërtetë, Neroni nuk ka vepruar vazhdimisht vetëm sipas kapriçove të tij.

Ai ishte një strateg dhe takticien, i cili diti të mblidhte rreth vetes miq dhe këshilltarë të dobishëm. Çekuilibri i tij psiqik, nga kjo pikëpamje, nuk mund të ndahet nga modeli i qeverisjes që ai u mundua të imponojë, as “marrëzia” e zgjedhjeve të tij politike. Po ashtu ne duhet të bëjmë të flasin dokumentat dhe dëshmitë që na vijnë nga Antikiteti, duke nxjerrë në dritë strukturat e thella, madje nëntekstet, për të kuptuar më mirë strategjitë dhe programet e Neronit si dhe faktorët politikë dhe kulturalë që kanë ndikuar në vendimmarrjet e tij.

Të mos harrojmë se autorët e lashtë, për të vlerësuar rëndësinë e disa fenomeneve, nuk kishin distancën kohore që kemi ne në dorë. Më shumë për shkak se ishin nën presionin e një regjimi absolutist apo duke u nisur nga interesa partizane, se sa për shkak të kujdesit që duhej të tregonin, ata nuk hezitonin të denatyronin ngjarjet të cilave ua dinin mirë domethënien, duke iu përshtatur humorit, apo zakoneve të njërit personazh apo tjetrit, fakte që zbulonin mirë e bukur një orientim politik. Të jemi të qartë: në qoftë se do t’i njohim Neronit një doktrinë dhe një strategji, ne nuk e shfajësojmë aspak dhe as nuk i justifikojmë krimet e tij apo dështimin e politikës së tij. Për disa, ky dështim është pjesë e krizës që tronditi Perandorinë romake në vitet 68-70 pas Krishtit.

Eugen Cizek

Botimi i “Neronit” nga Eugen Cizek përbën një ngjarje në gjininë e monografive historike, duke marrë parasysh kompetencën e autorit, profesor rumun (1932-2008) i njohur si specialist botëror i perandorit roman dhe i epokës së tij; ky botim është me vlerë sepse Cizek e sheh figurën e Neronit të zhveshur nga paragjykimet që janë konsoliduar në studimet e derivona. Temperamenti i tij pasionant, etja për pushtet, vizionet e tij estetike, admirimi që kishte për botën greko-orientale dhe qytetërim aleksandrin e shtyjnë drejt akteve më ekstreme në kufijtë e marrëzisë. Përtej kësaj, më njërën anë ai instaloi një nga regjimet më absolutiste të historisë romane e më anë tjetër ky njeri kishte ambicien e madhe për të reformuar e revolucionarizuar perandorinë. Për t’ia arritur qëllimi ai nuk do të ndalej përpara asgjëje.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama