Gjoka Ja kujt ia hapi porten Sopoti kishte komplot

Gjoka: Ja kujt ia hapi portën Sopoti, kishte komplot

Presidenti i Turbinës, Gentian Gjoka, ka reaguar menjëherë pas akuzave të administratorit të Sopotit, Iridion Bahiti, se cërrikasit kishin thurur një skenar për trukimin e rezultatit në ndeshjen me Pogradecin. turbina pogradeci 8-3Sipas kreut të klubit, gjithçka është tërësisht e pabazë, në një kohë që akuzon Sopotin dhe Bahitin se kanë toleruar ndaj Elbasanit apo Luftëtarit. Gjoka "Jam i zhgënjyer nga pretendimet e ngritura nga administratori i librazhdasve, të cilat i konsideroj shpifje.

Madje, i kam dërguar një mesazh zotit Bahiti, ku sigurisht i kam bërë me dije se do ta padisim në prokurori për shpifje, pasi janë akuza të pavërteta që hedh karshi nesh publikisht duke dëmtuar imazhin e klubit dhe të gjithë sportdashësve tanë. Së pari, dua të theksoj se ne kishim një motiv mjaft të fortë për të fituar thellë dhe kjo nuk është çudi të realizohet ndaj një kundërshtari që kishte dalë nga objektivi dhe përfaqësohej kryesisht me të rinj.

Tërbuni mposhti kampionët e Skënderbeut pa asnjë motiv, pse ne nuk mund të fitonim ndaj Pogradecit kur kishim një objektiv madhor si mbijetesa?! Së dyti, që është dhe më qesharakja, ne paskëshim thurur skenar për aktivizimin e një lojtari të pafederuar, nëse do t'i duhej fitorja Pogradecit. Protokolli i ndeshjes dëshmon të kundërtën. Lojtarët e stolit që janë shënuar aty, janë të gjithë futbollistë të federuar që janë aktivizuar më parë edhe si titullarë, sipas preferencave të trajnerit. Së treti, loja ka nisur fiks në orën 17:00 dhe këtë e vërtetojnë edhe zyrtarët e federatës.

Pjesa e dytë realisht mund të ketë startuar 3- 4 minuta me vonesë, por jo për shkakun tonë, por për arsye rrethanore të Pogradecit. Është e turpshme të akuzohesh nga një personazh që të gjithë e dimë që është përfshirë vetë në afera trukimesh. Pse nuk jep shpjegime Bahiti për tolerimin që i bëri Elbasanit duke turpëruar kështu Librazhdin dhe Elbasanin kur një shfaqje e tillë ndodh në stadiumin kombëtar 'Elbasan Arena'? Personalisht më vjen keq për sportdashësit librazhdas që e shohin tashmë Sopotin të rrezikuar për të rënë në Kategorinë e Dytë, por përgjegjës për këtë janë pa dyshim drejtuesit e tyre dhe jo Turbina", shprehet fillimisht Gjoka.

Akuzat

Ai më tej thotë: "Bahiti të sqarojë opinionin si ia hapi portën Elbasanit dhe Gjirokastrës dhe të mos bëhet si 'Robert Çëmçakizi'. Sado gola të bënte Turbina, nuk ndikojnë në asnjë rezultat dhe le ta gjejë lojtarin e pafederuar dhe të shpjegojë të gjithë opinionin për akuzat e bëra.

Le të hapin të gjitha ndeshjet dhe të shohim si ka qenë katërkëndëshi Elbasan-Librazhd-Peqin-Dinamo. Le të shpjegojë Dinamo si ia la Peqinit dhe le të shpjegojë Peqini si ia la Elbasanit. Nëse ka klub që ka luajtur pastër, është Turbina dhe Butrinti duke pasur të gjithë aleancat kundër dhe klubet që bënë daljen kampion të Gjirokastrës".

Përgatiti: FLORENC MANARI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama