Një gjest i mbushur me një simbolikë të veçantë, që shpreh nderimin dhe dashurinë ndaj një populli dhe dheut ku ky popull jeton. Por, në Shqipëri, ky gjest kishte diçka më shumë se në vende të tjera. Ndoshta kështu na u duk neve, që e shihnim nga ekrani i televizorit. Papa Gjon Pali II u përkul para dhembjes dhe kryqëzimit të një populli për 50 vjet rresht dhe dukej sikur po puthte plagët e këtij populli, me gjithë dashurinë e tij.
Muri i Berlinit sapo kishte rënë, e bashkë me të edhe në Shqipëri kishte filluar demokracia. E para shenjë e ardhjes së demokracisë ishte liria e besimit, si një nga liritë themelore të njeriut, e ndaluar në Shqipëri me Kushtetutë. I vetmi rast në botë! Ndalimi i besimit ishte vetëm maja e ajsbergut e një regjimi absurd. Në ndërgjegjet e shqiptarëve, (ende edhe sot?) dëmtimet e atij regjimi absurd kishin ndikuar thellë dhe ishin të dukshme e të prekshme.
Papa Gjon Pali II, Papa polak, vinte në Shqipëri në emër të Zotit. Janë dy arsyet, për të cilat ai erdhi në Shqipëri. Së pari, ai erdhi të takonte një popull të shumëvuajtur, dhe së dyti, të takonte bashkësinë katolike dhe t‘i rijepte asaj strukturën e nevojshme, me shugurimin e ipeshkvijve të parë pas shumë vitesh.
Ai erdhi të takonte një popull. Informacioni i Papës mbi Shqipërinë ishte i detajuar. Nga fjalimet, që ai ka mbajtur, kjo përftohet mjaft qartë. Nga 22 prilli i atij viti, kur në Vatikan pranoi Letrat Kredenciale të Ambasadorit, Shkëlqesisë së Tij z. Willy Kamsi, ambasadorit të parë të Shqipërisë në Vatikan, e deri më 28 prill, Shqipëria zë vendin kryesor në axhendën e Papës. E meritonte Shqipëria gjithë këtë vëmendje, apo kishte nevojë për gjithë këtë vëmendje? Të dyja bashkë.
Askush më parë nuk i kishte folur dhe askush më pas nuk do t‘i fliste prej asaj dite popullit shqiptar me gjuhën e dashurisë. Askush! Gjon Pali II vinte në emër të Zotit. Kështu ishte shprehur në mesazhin e tij, drejtuar një natë para nisjes, më 24 prill 1993, popullit shqiptar: "Të dashur vëllezër e motra shqiptarë, po vij te ju në emër të Zotit. Po vij, që të lutem me ju dhe për ju, për një të ardhme qetësie dhe paqeje". E në shqip shton: "Mirupafshim nesër! Zoti ju bekoftë!" Fjalët e tij drejtuar shqiptarëve janë fjalët e një njeriu që e di se ç‘është vuajtja e një populli dhe çfarë do të thotë të duash një popull. Nuk mund të harrojmë, se ai vinte nga Polonia komuniste dhe kishte parë me sytë e tij çfarë do të thotë të jesh nën një regjim absurd për një kohë të gjatë.
Mohimi rrënjësor i besimit, i mendimit të lirë dhe shprehjes së lirë kishin rënduar në thelb jetën shqiptare. Papa e bën mirë analizën, sapo mbërrin në Aeroportin e Rinasit. "Ty o popull fisnik shqiptar, përshëndetja ime e ngrohtë dhe e përzemërt! Të gjithë i dinë ngjarjet e trishtueshme që t‘u ka dashur të përballosh, në mënyrë të veçantë në njëzetepesë vitet e fundit. Vite të një mundimi të vërtetë, pasojat e të cilit koha do ta ketë të vështirë t‘i fshijë, e që Evropa dhe bota mbarë nuk duhet t‘i harrojnë. Vite të mohimit të lirisë themelore të personit njerëzor, përfshi ato të shprehjes, grupimit dhe të besimit, që kanë krijuar çarje të mëdha në jetën shoqërore, duke shënjuar në thellësi sjelljet dhe ndërgjegjet".
Rasti i Shqipërisë kishte qenë unik, i padëgjuar dhe i pashoq në historinë e botës. Në sheshin "Skënderbej", mbrëmjen e 25 prillit, pak orë para se të kthehej në Romë, Papa thotë: "Çfarë ka ndodhur në Shqipëri, të dashur vëllezër e motra, nuk është regjistruar kurrë në histori... Këtu shteti është përpjekur të asgjësojë çdolloj shprehjeje besimi në emër të një ateizmi rrënjësor, i ngritur në një sistem universal dhe totalizues". Një kujdesje e veçantë për popullin shqiptar, keqardhje, por, nga ana tjetër, edhe shpresë për të ardhmen e vështirë, që e priste këtë komb dhe njerëzit e tij. Papa inkurajon, jo me fjalë premtimesh ekonomike apo politike, por me fjalët e një njeriu që dashuron e që flet në emër të Zotit. Vetëm njerëzit dhe vetëm me dashuri mund ta rindërtojnë vendin e ta bëjnë atë të jetueshëm për të gjithë. Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet dhe ende është e freskët ajo vizitë, ende është i gjallë shëmbëllimi i asaj dite historike, dite dashurie...!
Nga Gazeta Shqip