Gjosha-Danielsson Reforma ne gjyqesor baze per integrimin

min klaudia gjosha konferenc (5)Tiranë 16 Nëntor /ATSH/ - Reforma në gjyqësor, si pikë kyçe për integrimin europian të vendit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar por edhe për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, ishte në fokus të konferencës së përbashkët për shtyp që dhanë sot në Tiranë ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha dhe Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian.

Gjosha e konsideroi këtë fazë të procesit si shumë të rëndësishme , pasi siç tha ajo, hapi i radhës do të jetë hapja e negociatave për anëtarësim

"Ky është një moment kyç në ecurinë e procesit, pasi hapi i radhës do të jetë hapja e negociatave. E sigurova z.Danielsson se do të analizojmë me kujdes të gjitha rekomandimet për pesë prioritetet, në mënyrë që t'i plotësojmë ato brenda një periudhe të shkurtër", u shpreh Gjosha.

min klaudia gjosha konferenc (3)Ndërsa drejtori për Zgjerim në KE vuri në dukje vendosmërinë e Shqipërisë për të ecur pëpara në përmbushjen e reformave dhe se janë ndërmarrë disa hapa konkretë në këtë drejtim.

"Në disa fusha ka patur progres, si në administratën publike, ligjin për shërbimin civil, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si edhe në sektorin e dekriminalizimit. Gjithashtu është shënuar progres edhe sa i përket lirisë së shprehjes dhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë", evidentoi ai.

Mëgjithatë ai vuri në dukje se ka nevojë për hapa të mëtejshëm në drejtim të përmbushjes së reformave.

"Është me rëndësi thelbësore, ashtu siç u theksua edhe në progres-raport, realizimi i reformës në gjyqësor. Është e rëndësishme dhe thelbësore, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për ecurinë e saj drejt integrimit evropian. Kjo reformë është kyçe sa i përket edhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e po ashtu është e nevojshme për të patur rritje më të madhe dhe të qëndrueshme ekonomike", theksoi Danielsson.

Ndërsa përsëriti gatishmërinë e KE-së për mbështetje ndaj Shqipërisë në këtë proces, ai u shpreh se "mezi presim të shikojmë sa më të shpejt hapa konkretë në reformën në gjyqësor".

Drejtori për Zgjerim përfundoi fjalën e tij duke thënë se "është gjë e mirë kur ekzistojnë strategji, por është me rëndësi zbatimi i tyre"/b.k/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama