-"Dita e Bashkëpunimit Europian", aktivitet në kuadër të Programit Ndërkufitar Shqipëri-Maqedoni, në Korçë-
KORÇE, 10 Tetor/ATSH/-"Dita e Bashkëpunimit Europian", me simbolikën e saj të solidaritetit, diversitetetit , por mbi të gjitha të unitetit brenda familjes së madhe europiane, erdhi ndryshe këtë vit nga qyteti i Korçës, i cili mikpriti organizimin e një aktiviteti artistik me të rinjtë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, Ambasadorja e Bashkimit Europia në Shqipëri, Romana Vlahutin, Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.
"Me anë të ditës së "Bashkëpunimit Europian", ne gjejmë një tjetër urë komunikimi mes brezave dhe shoqërive tona, duke promovuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si një gur themeli për një të ardhme të shëndoshë të secilit prej vendeve tona, brenda familjes së madhe europiane. Me këtë frymë, ne rrëzojmë kufijtë, sepse Europa e Bashkuar nuk i njeh ato", tha Ministrja Gjosha.
Ministrja, shprehu falenderimet për gjithë mbështetjen që Bashkimi Europian na kanë dhënë, duke financuar projekte që kanë nxitur bashkëpunimin mes vendeve tona në shumë fusha si turizmi, përfshirja kulturore dhe mjedisi.
Ky aktivitet organizohet në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Maqedoni, mbështetur nga Bashkimi Europian. Për periudhën 2007-2013, ky program është drejt mbylljes, dhe arritjet e tij qëndrojnë pikërisht në përpjekjet unike të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Përmes këtij programi u mbështetën 47 projekte me rezultate pozitive dhe impakt social. Ky program do të pasohet nga prorami i ri për periudhën 2014-2020, që lidhet me perspektiven financiare te Bashkimit Europian.
Parashikohet që në këtë hark kohor, programi i ri të kontribuojë në promovimin e punësimit të të rinjve, përfshirjes social- kulturore përtej kufijve. Prioritet do të ketë inkurajimi i turizmit, trashëgimia kulturore, rritja e konkurencës dhe mbrojtja e mjedisit./a.g/