Gjosha Projekti Europian i paplotesuar pa Ballkanin Perendimor

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Studime Europiane "Perspektivat e Integrimit në Bashkimin Europian: Ballkani"

TIRANË 6 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ -Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, mori pjesë sot në Konferencën Ndërkombëtare për Studime Europiane "Perspektivat e Integrimit në Bashkimin Europian: Ballkani".

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja Gjosha theksoi se zhvillimet e dy viteve të fundit, kanë kthyer vëmendjen tek Ballkani Perëndimor , duke nxitur një frymë të re bashkëpunimi, duke krijuar kushtet e një ripërtërimi të ardhshëm e mbi të gjitha duke forcuar themelet e progresit të nevojshëm për aspiratën e njëjtë të integrimit në BE.

"Këtë e mundësoi procesi i Berlinit, i cili besoj se tashmë ka krijuar momentin më pozitiv dhe të favorshëm që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të punojnë të ndërlidhur e të unifikuar për të shkurtuar kohën që do ti duhet rajonit për të qenë pjesë e familjes evropiane", tha Ministrja Gjosha.

12193452_1268420439850547_5478120437528986719_nMinistrja nënvizoi se zhvillimi ekonomik, duhet të jetë kryefjalë e procesit të integrimit. Pasi pa ekzistencën e një ekonomie tregu funksionale dhe aftësinë për të ndërvepruar me presionet dhe forcat e tregut brendapërbrenda BE-së, nuk mund të jemi të përgatitur për të qenë pjesë e saj.

"Natyrisht që sa më shumë forcohen dhe sa më shumë të lidhura janë vendet e Ballkanit Perëndimor, aq më shumë siguri ka i gjithë rajoni ynë dhe vetë Europa. Nga ana tjetër projekti europian do të quhej i paplotësuar pa Ballkanin. Ne kemi sot nevojë për Europën, por Europa gjithashtu ka nevojë për atë që ofron secili nga vendet tona, pasi ne kemi vërtet për të ofruar", tha Ministrja Gjosha.

12189703_1268420446517213_646190974631321244_nMinistrja Gjosha, bëri një përmbledhje të arritjeve të dy viteve të fundit në lidhje me procesin e integrimit duke u ndalur që me marrjen e statusit të vendit kandidat, udhërrëfyesin për 5 prioritetet, si dhe listoi disa nga sfidat që vendi ynë ka përpara deri në fazën e radhës që është hapja e negociatave.

"Për ne sigurisht që më shumë se datat, ka rëndësi cilësia e procesit, por nga ana tjetër, unë jam e bindur se Shqipëria meriton të kalojë shpejt në fazën e radhës, pasi nuk kemi më kohë për të humbur, dhe vetëm kështu mund të avancojmë më mirë deri në përmbushjen e plotë të gjithë detyrimeve tona", tha Ministrja Gjosha.

Ministrja Gjosha, u shpreh gjithashtu se sa më pranë familjes europiane të jetë Shqipëria dhe vendet e tjera aspirante, aq më shpejt do të zgjidhen problemet e mbartura të sistemit e nga ana tjetër do të motivohen qytetarët të cilët janë mbështetësit më të mëdhenj të këtij procesi, duke i motivuar e duke u bërë të qartë, se Shqipërinë në BE do ta çojnë ata dhe vetëm ata.

/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama