Gjosha Qeveria eshte e angazhuar per te afruar Shqiperine me BE-ne

Gjosha: Qeveria eshte e angazhuar per te afruar Shqiperine me BE-ne

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha ndodhet për vizitë zyrtare në Bruksel. Në Konferencën “Shteti i së drejtës dhe procesi i reformave në Shqipëri”, organizuar nga Fondacioni ‘Hanns Seidel’, Gjosha theksoi se, Shqipëria është e vendosur të ecë përpara, për të realizuar aspiratën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Qeveria e re që pas marrjes së mandatit është angazhuar maksimalisht, për të afruar Shqipërinë me Bashkimin Evropian, duke ndërmarrë një sërë masash për forcimin e shtetit të së drejtës”, - u shpreh ministrja.

Duke u ndalur te ‘Road Map’ për zbatimin e 5 prioriteteve të lëna nga Komisioni Evropian, Gjosha nënvizoi se “udhërrëfyesi i hartuar nga qeveria përmban masa ambicioze, të cilat do të sjellin rezultate në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, krijimin e një administrate publike eficiente, reformimin e sistemit gjyqësor, duke sjellë demokratizimin e mëtejshëm të vendit.

“Vetëm duke krijuar një shtet ligjor ku respektohen të drejtat e secilit prej nesh,ne do të mund të ofrojmë siguri se meritojmë të jemi pjesë e kësaj familjeje të madhe jo vetëm gjeografikisht”, - tha ministrja Gjosha.

Lidhur me punën e bërë për secilin nga 5 prioritetet, Gjosha u shpreh se, çdo hapi i hedhur drejt BE-së është një nxitje më shumë për t’u ofruar qytetarëve standarde të njëjta si ato të vendeve të Bashkimit Evropian.

 “Për ne çdo hap i hedhur drejt Bashkimit Evropian është një nxitje më shumë për të mos u ndalur në përpjekjen e përditshme, për t’u ofruar qytetarëve tanë të njëjtat standarde si ato të vendeve të BE-së”, - deklaroi Gjosha.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe shefi i Njësisë për Shqipërinë në Komisionin Evropian Vassilis Maragos, i cili u shpreh se vërehet përkushtim nga pala shqiptare në lidhje me reformat që duhen ndërmarrë, duke theksuar se Komisioni do të ofrojë gjithë asistencën e nevojshme në funksion të procesit të integrimit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama