Mbrojtësi i majtë Jonas Hektor ishte njeriu që vulosi fatin e penalltive 5- 4.
"Është e vështirë ta përshkruaj me fjalë. Nuk kisha shumë njerëz përpara. I shtrëngova dhëmbët fort dhe me dorë në zemër doja me patjetër ta çoja në rrjetë.
Jam shumë i lumtur që fati nuk na dënoi", nënvizoi Hektor për penalltinë duke shtuar më pas për ndeshjen: "Ishte një ndeshje shumë e ashpër. "Luftë" për 120 minuta.
Natyrisht që na ndihmoi edhe fati, për më tepër që Manuel Nojer është një armë e fuqishme për ne. Luajtëm me intensitet të lartë, por edhe me shumë kujdes nga kundërsulmet e Italisë.
Mbrojtja bëri një punë të shkëlqyer. Në sulm nuk ishim shumë të qartë në koncept si në ndeshjet e fundit. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me sistemin e luajtur dhe kujdesin e madh për të mos u dhënë zemër italianëve.
Të gjithë punuam shumë për repartin mbrojtës dhe ia dolëm. Jemi të çliruar, por rrugëtimi vazhdon".