Varreza e lashtë është monumenti i fundit që është shkatërruar nga plaçkitësit në kërkim të arit dhe artefakteve – të cilët po shkretojnë monumentet arkeologjike të Shqipërisë nën hundët e autoriteteve. Plaçkitësit e varreve erdhën të përgatitur mirë javën e kaluar kur ia mësynë një varreze monumentale me blloqe të mëdha guri që gjendej pranë rrugës që dikur lidhte qytetin e lashtë Finiq me zonat e rrethinës. Me ndihmën e një gërmuesi të rëndë ndërtimor, plaçkitësit gropuan një hendek disa metra të thellë bri shpatit, duke i shpartalluar blloqet e gurit të varrezës me një lopatë të fuqishme.
Varreza monumentale, që besohet se daton që nga periudha Helene, nga mesi i shekullit të dytë dhe të tretë para erës sonë, e cila gjendet në luginën e Palasës në rajonin e Delvinës në jug të Shqipërisë, është vetëm disa metra nga një vendndodhje e rëndësishme arkeologjike e Epokës së Bronzit të vonë, e njohur si kodra Bajkaj.
“Ky monument është shkatërruar në mes të ditës me anë të një ekskavatori, nën vëzhgimin e të gjitha institucioneve kulturore dhe tështetit, të cilat kanë për obligim mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore,” theksoi historiani Auron Tare, i cili ishte i pari që alarmoi për plaçkitjen e monumentit. Shkatërrimi i varrezës monumentale, fatkeqësisht, nuk është incident i izoluar në Shqipëri.
Arkeologët dhe aktivistët theksojnë se monumentet shqiptare vazhdimisht shënjestrohen nga plaçkitësit, të cilët gjatë dy dekadave të fundit kanë sjellë dëme të tmerrshme në trashëgiminë historike të vendit. Vjedhja e punimeve antike u shfrenua në Shqipëri në vitet e 90-ta, kur vendi kalonte nëpër një periudhë të anarkisë dhe kaosit pas rënies së regjimit autoritar komunist. Ndonëse që nga ajo kohë situata është përmirësuar, ekspertët thonë se vjedhjet në vendet arkeologjike vazhdojnë të jenë problem. Këto grabitje shpeshherë bëhen nën hundët e autoriteteve vendore, të cilët, sipas ekspertëve, duhet të japin llogari kur plaçkiten monumentet e trashëgimisë.
“Rastet sikur ky janë shumë të përhapur në Shqipëri,” thotë Lorenc Bejko, profesor i arkeologjisë në Universitetin e Tiranës.
Sipas Bjekos, plaçkitja vazhdon në luginën e Shkumbinit në Shqipërinë qendrore, në rajonin e Korçës në jug dhe në Shkodër në veri.
“Kemi indikacione se madje plaçkitja bëhet edhe në vendet e mbrojtura siç janë nekropoli [parku arkeologjik] i Apollonisë,” tha Bejko.
“Në çdo cep, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim, plaçkitësit kërkojnë thesare të gropuara dhe artefakte dhe dëmet që i shkaktojnë janë shumë të mëdha,” shtoi ai.
Sipas Bejkos, 75 për qind e monumenteve arkeologjike që i ka vizituar viteve të fundit kanë përjetuar plaçkitje nga gjuetarët e thesarit, ndonëse shkalla e saktë e këtij problemi është gati e pamundur për t’u matur.
E vendosur në mes të dy civilizimeve të rëndësishme të lashta, asaj greke dhe romake, në një tokë që dikur zotërohej nga fiset ilire, Shqipëria është përplot monumentesh arkeologjike që datojnë që nga kohët parahistorike. Kolonitë mbresëlënëse helene dhe romake, siç janë Butrinti dhe Apollonia, janë të pasura me tempuj dhe vila të ruajtura, të cilat japin pasqyrë të çmueshme të botës së lashtë mesdhetare.
Këto monumente kanë nxitur interesimin e gjuetarëve të thesarit, të cilët, sipas ekspertëve, po bëhen gjithnjë e më të sofistikuar në tregtimin e tyre të jashtëligjshëm, gjersa autoritetet vazhdojnë të mbesin një hap prapa. Sipas organizatës Trashëgimia Pa Kufij, konsorcium ky prej 12 grupesh i angazhuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Ballkan, Shqipëria duhet t’i forcojë ligjet e saj për të luftuar kontrabandën në rritje të artefakteve.
Në një konferencë në Tiranë në gusht të vitit 2011, kjo organizatë i bëri thirrje autoriteteve që të ndryshojnë ligjin për trashëgiminë kulturore për të siguruar monitorim më të mirë dhe për të shtuar sigurinë pranë monumenteve kulturore. Gjithashtu, kjo organizatë bëri thirrje për një ndarje më të mirë të kompetencave ndërmjet institucioneve publike, të cilat shpeshherë nuk kanë bashkëpunim në nivel të dëshirueshëm.
Bejko shpjegon se monumentet arkeologjike të Shqipërisë monitorohen nga agjenci vendore të ndara sipas ndarjeve administrative dhe komunave, monumentet e të cilave bien nën juridiksionin e tyre. Megjithatë, agjencitë rajonale përgjegjëse për të mbrojtur monumentet dhe komunat nuk bashkëpunojnë si duhet, gjersa zyrtarët nuk japin llogari kur monumentet dëmtohen apo shkatërrohen nga plaçkitësit.
“Nëse kërkojmë llogari nga kryebashkiakët për kanabisin e kultivuar në territorin e tyre, pse nuk duhet ta bëjmë të njëjtën kur monumentet kulturore shkatërrohen me makineri të rëndë që të gjithë e shohin?” shtoi Bejko. Edhe Tare, ish drejtor i Parkut Arkeologjik të Butrintit, pajtohet me këtë, duke shtuar se ndonëse plaçkitja është problem edhe në vende tjera, qeveritë e huaja bëjnë punë më të mirë në hetime, duke i sjellë përgjegjësit para drejtësisë.
“Monumentet kulturore të Shqipërisë po përballen me një valë të paparë të shkatërrimit nga njerëzit që gërmojnë për të gjetur artefakte,” tha Tare.
“Institucionet kulturore duken të jenë të ngathëta në marrjen e veprimeve ligjore për të ndalur plaçkitjen dhe këto monumente duken se janë lënë në mëshirë të fatit,” shtoi ai. Ky artikull është financuar në kuadër të projektit BICCED, me mbështetje të Programit Zviceran për Kulturë.