Vëllezër shqipëtarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëm' udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.
Shqipëria ka qënë
Edhe po do të jetë,
Po sot në ditët tënë
Të metë të mos ketë.
E ka nderuar zoti
Gjithënjë Shqipërinë,
Ish fort mirë qëmoti,
Do bëhet dhe taninë.
Sa ishte trimëria
N'atë kohë të vjetrë,
Kish emrë Shqipëria,
Sa s'kish nonjë vënt tjetrë.
Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q'i shkruan istoria!
Ajo ish koh' e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.
O burra, shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s'është koh'e parë,
Tani lipsetë dritë.
Të shkruajm' gjuhën tënë,
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç'është e ç'ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.
pa shihni ç'gjuh' e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç'e bukur'edh'e lirë,
Si gjuhë perëndie.
Shum'e bardhë kjo ditë
Për gjithë shqipëtarët,
Do na sjellë një dritë,
Që s'e kishin të parët.
Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t'i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.
Si lum kush zë të mbjellë,
Lum kush vë këtë pemë!
Se kjo ka për të pjellë,
S'mbulohetë me remë.