Shqipja është gjuhë e folur dhe e shkruar. Ajo përdor tingujt (gjuha e folur) dhe shkronjat (gjuha e shkruar), fjalët dhe rregullat gramatikore me anë të të cilave fjalët lidhen në fjali dhe marrin një kuptim të caktuar. Fjalët dhe rregullat e kombinimit të tyre formojnë një sistem, çdo pjesë e të cilit është e lidhur me pjesët e tjera. Tërësia e rregullave të lidhjeve të fjalëve formon strukturën e këtij sistemi.
Gjuha shqipe i përket familjes së gjuhëve indoevropiane. Shqipja formon një degë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane, pra nuk ka lidhje birësie me asnjërën nga gjuhët e sotme idoevropiane.
Gjuha shqipe sot flitet në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj në Kosovë, në territorin ndëmjet Shkupit, Gostivarit, Tetovës dhe Dibrës, në Preshevë, në Bujanovë dhe në Medvegjë, në Krajë, në Ulqin me rrethina deri në Tivar dhe në Camëri. Shqipja, pra flitet në viset perëndimore të Ballkanit, aty ku kryqëzohen rrugët që lidhin Lindjen me Perëndimin, pikërisht në atë rajon që ka qenë djepi i qytetërimit antik evropian.
Rreth dy mijë fjalë të shqipes janë me origjinë indoevropiane: kokë, ditë, natë, dimër, ujë, ha, pi, jam, kam, zog, dem, elb etj.
Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve dhe gjuha shqipe pasardhëse e ilirishtes. Nga kjo gjuhë na kanë mbetur veçse pak fjalë të cilat mund të shpjegohen me gjuhën shqipe: sika=thika, peli=pleq, aspetos=i shpejtë. Dhe disa emra gjeografikë dhe emra personash Ilirë mund të shpjegohen me fjalë të shqipes. Kështu p.sh. Dardania është shpjeguar me fjalën shqipe dardhë, Dalmatia me shqipen del me, dele, Ulkin me shqipen ulk, ujk, Dimalum me shqipen di mal, dy male, Bardhul me shqipen i bardhë, Daz me shqipen dash.
Në vitin 168 para erës sonë, Iliria u pushtua nga romakët. Filloi kështu një periudhë që zgjati për më shumë se pesë shekuj. Në shekullin e VII Shqipëria u pushtua nga sllavët, kurse në shekullin XV nga turqit otomanë. Pushtimi otoman vazhdoi pesë shekuj deri më 28 nëntor 1912.
Gjatë kësaj periudhe të gjatë pushtimi, gjuha dhe kultura shqiptare kanë qenë nën ndikimin e gjuhës dhe kulturës latine, greko-bizantine, sllave e turke. Gjenden në shqipe fjalë me origjinë nga greqishtja e vjetër latinishtja, greqishtja bizantine, sllavishtja, turqishtja etj. Nga greqishtja e vjetër kanë hyrë fjalë të tilla si: drapër, lakër, qershi, shpellë; nga latinishtja: arë, kalë, mbret, furkë, ungj; nga greqishtja bizantine: fis, ikonë, kollogjer, manastir; nga sllavishtja: gjobë, lopatë, pushkë, opingë, rob, si dhe toponime: Berat (bel+grad), Dropull (Drino+polje), Konispol (kon+polje), Velipojë (velike+polje), Zadrimë (za+Drin), Zagori (za+gor); nga turqishtja: tepsi, pazar, cohë, bahçe, oxhak, sobë, jastëk, ilaç etj.
është e vërtetë që shqipja ka pësuar ndikime nga gjuhët e huaja sidomos në leksik, po është po kaq e vërtetë që ajo ka shfaqur aftësi për ti asimiluar dhe ndryshuar sipas modelit të vet huazimet, duke treguar forcën dhe gjallërinë e saj. Kështu fjalët e greqishtes së vjetër drapanon, kerasia, spileon, në shqip dalin drapër, qershi, shpellë; në latinisht arvum, vicinium, impertorem në shqip arë, fqinj, mbret; në sllavisht glob, opanak, ravnica në shqip gjobë, opingë, rrafshë.
Gjithsesi gjatë periudhës që vendi ynë, kultura jonë, gjuha jonë, ishin nën influencën e kulturës e të gjuhës latine, greko-bizantine, sllave, turke,gjuha shqipe ka ruajtur origjinalitetin e vet si gjuhë indoevropiane me strukturë fonetike, gramatikore e leksikore të veçantë.
Në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve Rilindja shqiptare (XIX-XX) zë një vend të veçantë. Gjatë kësaj periudhe, problemet e gjuhës u bënë pjesë përbërëse e programit të Rilindjes shqiptare, e cila, me alfabetin e Shoqërisë së Stambollit (1878) hodhi bazat për zgjidhjen e problemit të alfabetit të gjuhës shqipe, i cili përfundimisht u zgjidh në Kongresin e Manastirit më 1908. Në bazë të alfabetit të gjuhës shqipe është alfabeti latin.
Dokumentet e para të shkruara të shqipes i përkasin shekullit XIV. Libri i parë i shkruar është "Meshari" i Gjon Buzukut që i përket gjysmës së dytë të shekullit XVI(1555). Ka mundësi që tradita e shkrimit të shqipes të ketë qenë më e vjetër. Shqipja është shkruar në dy dialekte kryesore, në gegërisht dhe në toskërisht. Vepra e parë toskërisht është "E mbësuame e krieshterë", shkruar nga Lukë Matrënga dhe botuar në Romë më 1592. Shqipja ka vazhduar të shkruhet në dy dilekte deri më 1972, kur toskërishtja letrare u shpall gjuhë letrare kombëtare ose gjuhë letrare e njësuar ose më mirë gjuhë standarte.
Në këtë rubrikë të faqes sonë do të merremi kryesisht me trajtimin e MORFOLOGJISë dhe të DREJTSHKRIMIT të shqipes pasi mendojmë se janë kollonat kryesore të gjuhës. Pjesët e tjera që marrin pjesë në strukturën e gjuhës si Fonetika që merret me studimin e veçorive të artikulimit të tingujve, Leksikologjia që merret me studimin e fjalëve dhe lidhjeve që ato kanë ndërmjet tyre. Semantika që merret me kuptimin e fjalëve dhe kuptimin e thënieve që rrjedh nga përdorimi i këtyre fjalëve dhe nga ndërtimi i tyre sintaksor. Sintaksa që merret me studimin e funksioneve dhe strukturave.
Për pregatitjen e këtyre materialeve jemi bazuar më tepër në leksionet e profesor Bahri Beci dhe të profesor Rahmi Memushaj.