Gjuha Shqipe


Kur në sulm hodhën turqit
Hordhitë e pambaruara,
Kështjellat e sintaksës
S'i muar, që s'i muar.

Në bedena poemash
Popullore mbetën
Kufoma divanesh e
Kufoma bejtesh.

Kur panë se gjuhës
S'i hodhën dot prangat,
Lëshuan drejt saj
Gjithfarë merimangash...

Në përçartje ta kthenin
Në delir në jerm,
Ishin vite të rënda,
Ishin shekuj plot helm.

Të të bënin ty, donin
Shqipëri memece,
Po ja erdhi Naimi,
Si yll mbi ty ecte.

Dorën e zbehtë
Mbi ballë të vuri,
Të të hiqte zjarrllëkun
Prej të sëmuri.

Dhe vdisnin pjesëzat,
Thaheshin merimangat,
Ndriste si perlat
Poezia e madhe.

Kjo gjuhë, që provoi
Akrepët e shkretëtirës,
Ç'do të thotë përçartje
E di, oh, e di mirë.
E di ç'do të thotë

Kllapi hermetizëm,
Qoftë e ardhur nga Roma,
Qoftë e ardhur nga Parisi.

Kjo gjuhë martire,
Lehonë e përjetshme
Që lindi mes dhimbjesh
Art të pavdekshëm.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama