Gjuha e fshehte Skender Sallakut

Gjuha e fshehtë Skënder Sallakut
"Gjatë periudhës që ishim ushtarë në Estradën e Kufirit, një nga shokët bëri një ankesë për ushqimin. Na mbledh gjenerali dhe na thotë: Keni ndonjë vërejtje? S'fliste asnjeri.


A ju del ushqimi? Jemi shumë në rregull, i thashë, na del dhe na tepron. Po të thoshe atëherë nuk dilte ushqimi!! Po mirë, tha, kur ju tepron çfarë i bëni? E hamë, u përgjigjëm."


Një nga batutat që Skënder Sallaku, e fut mes kujtimeve që e kthejnë pas në kohë, në Skenën e Cirkut, në Estradën e Tiranës, në sheshin e xhirimit të komedive.


Jo më kot i morëm pak orë shëtitjes mëngjesore të bashkëshortëve Sallaku, që nis nga ish Kafe Flora, e bën një ndalesë kuptimplotë në orën 10.00, në Teatrin e Metropolit, dikur ish Estrada e Cirkut.


Dy ditë përpara, Skënder Sallaku ka festuar me të njohurit e vet përvjetorin e 75-të, një mbrëmje ku kanë qeshur, kanë kujtuar, janë ndier mirë. Gjithë gjallëri e të çlirët, në ditën më pas, rrëmojnë në kujtesë gjithçka që mund ta bëjë për vete dëgjuesin, pa u ndjerë asnjë çast të bezdisur nga prania e regjistruesit.


Edhe pse për aktorin Skënder Sallaku kujtimet vërtiten rreth karaktereve të humorit, e për bashkëshorten, në numrat e Cirkut, është e njëjta godinë dhe i njëjti vit që i bën bashkë kujtimet e tyre, Estrada e Tiranës dhe viti 1956.


"Vënia në dukje e të metave të sistemit", ishte subjekti nga ku merrnin frymëzim ata që shkruanin skenarët e komedive, ashtu siç ishin personazhet e kohës, për regjisorët.


"Ky lloj humori pëlqehej më tepër nga spektatorët", tregon Skënderi, duke ilustruar me batuta pa fund, nga njëra anë për përgjegjësit, drejtorët, nëpunësit, dhe nga ana tjetër për ndrojtjen e njerëzve të thjeshtë, nën tutelën e demagogjisë dhe propagandës.
Humoristi këmbëngul të tregojë diçka nga "batutat e xhepit", aty ku grumbulloheshin më pikantet, apo edhe më të "rrezikshmet".


Ja njëra e vitit 1974, në Komitetin Qendror. I lutur nga të pranishmit, ai tregon një fabul konteksti i së cilës lidhej me varfërinë ushqimore. "Pasi mbarova, nuk qeshi "i madhi" (diktatori Hoxha) dhe nuk qeshi e gjithë salla.


Aty u tremba", tregon Sallaku, e në çast merr pozicion duke imituar maskën e portretit të tij në atë moment: mimikë e frikësuar, sytë e zbardhur. I lë disa minuta dëgjuesit sa për t'ju ngjallur kërshërinë dhe të bëhet gati për pyetjen: Po pastaj çfarë ndodhi?.


Ai heq "trukun" e qetësisht thotë: "Në atë kohë qeshi i madhi, si me sustë më pas, gjithë salla në këmbë".


Këto situata janë të shumta në galerinë e tij, e tregojnë për kohën në të cilën punoi. Një nga bashkëkohësit e tij, Pëllumb Kulla, në librin që i ka kushtuar kolegut "Skënder Sallaku, ose si qeshnim në diktaturë" (Arbri 2002) tregon kështu:


"Jo gjithmonë e qeshura është dëshmi e lumturisë. Për dekada të tëra, e qeshura na u bë ne një lëvozhgë, një zhguall i fortë që mbështolli qenien tonë, gjallërinë dhe shpresat tona.


Dhe kishte vërtet aq shumë me se të qeshje: reforma, plane, udhëzime, tufëzime, statistika, shtrembërime, aleanca, festa, fjalime, shefa e vartës, gjykatës e të goditur...Ishin plot gjëra, të cilat me urdhër nga lart, jo vetëm që nuk duhet të merreshin qesharake, por bile duhej të trajtoheshin si të shenjta dhe solemne".


Për këtë arsye, qëllonte shpesh që në vend të ministrit, kritikohej drejtori dhe përgjegjësi, pasi "Ministrin e ka përzgjedhur vetë shteti".


Të shtyrë nga humori i vërtetë që del nga goja e tij, natyrshëm e pyesim:
Po sot përse nuk qeshet si dikur?

"Duhet një punë e madhe profesionale, duhet aftësi për të bërë materiale të bukura", përgjigjet aktori duke iu shmangur komenteve.


Sallaku vlerëson tekstet e pasura të skeçeve dhe komedive, me batuta të zgjedhura, një kontroll ky që dikur e ka ruajtur humorin nga rënia në batakun e vulgaritetit. Më tej ai vijon:


"Kam pasur fatin e madh që kam punuar me regjisorët më të mirë në Shqipëri, Mihallaq Luarasin, Kujtim Spahivoglin, Piro Manin, Gjergj Vlashin, Bujar Kapexhiun.
Ishin pedagogë të shkëlqyer dhe më kanë ndihmuar shumë nga ana profesionale".


Skënder Sallaku ka interpretuar në komeditë në teatër "Borgjezi Fisnik" dhe "Don Kishoti"; në komedinë televizive "Gjuetia e fundit" me regji të Koço Devoles, në filmin komedi "Kur hiqen maskat" me regji të Dhimitër Anagnostit, "Cirku në fshat" i regjisorit Hysen Hakani; në varietenë "Estrada në ekran" i regjisorit Fehmi Oshafi.


Biseda vijon me Cirkun, nga i cili burojnë të tjera kujtime. Mjeshtëria e tij përmblidhet tek: batuta e goditur, plastika, shkathtësia, veti këto që jo vetëm e kanë bërë të dashur për spektatorin, por e kanë ndihmuar shpesh në të papriturat e skenës.


Nuk është mjaftuar vetëm me kllounin, por është prezantuar para publikut që vinte të shtunave në Cirk edhe si pantomimues, xhongler, prestigjator, imitues.


"Cirku ka ankth. Artisti çdo natë ka premierë, sepse çdo natë rrezikon jetën. Duke qenë këto fenomene, spektatori është në tension ashtu siç jemi ne.


Atë ankth e përjeton spektatori. Kllouni shkarkonte ankthin dhe energjinë që ishte në sallë, brenda spektatorit, gjë që e zbukuronte shumë shfaqjen", ndërhyn për ta shpjeguar më saktë, Vitore Sallaku, një fushë që ajo e ndjen më të afërt sesa i shoqi.


Që nga viti 1956 kanë punuar bashkë në Estradë, ajo akrobate, ndërsa Skënderi, kllouni i parë shqiptar, kishte një minutazh të caktuar për t'i argëtuar të pranishmit, gjatë pushimit tek përgatitej për të interpretuar akrobatja Vitore Sallaku. Meritat e nivelit që arritën në cirk ia atribuojnë specializimit në Kinë, në vitin 1960, e tek përmendin emrat e profesorëve kinezë, qeshin sërish.


Të gjitha këto kujtime, Vitorja i ka mbledhur në librin "Një jetë në cirk" (Ilar, 2004).
"Jeta e artistit është një libër që duhet shkruar", pohon gruaja e imët, që e ruan ende bukurinë në sytë e gjallë jeshilë, buzëqeshjen e ngrohtë dhe sjelljen e fisme.


Tek ngul sytë tek portreti i gruas, Skënder Sallaku duket sikur e ka kuptuar pyetjen e radhës. Do më pyesësh për jetën? "E bukur, e gjallë dhe e vështirë", një fjali e kopsitur mbarë e që shmang teprimet.


Kurse, e shoqja, e pyetur për karakterin ndryshe, më tepër "serioz", gjegjet: "plotësojmë njëri-tjetrin".


Sërish nesër do ta pijnë kafenë e mëngjesit afër ish Estradës së Tiranës, vendi ku kanë punuar gjatë, e që sot u mungon. Tek fjalia "shohim të gjitha premierat e Cirkut të Metropolit" dalë nga goja e Vitore Sallakut, dallon keqardhjen, për prishjen e një godine shumë të dashur për ta, ku rrijnë bashkë kujtimet e 30 viteve në Cirkun e Tiranës.

Jorida Pasku : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama