“DigitAlb” dha premierën e dokumentarit “Rexhep Qosja, Rilindësi i kohës sonë”, realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga. 78 vitet e një akademiku, lindur në Bjeshkët e Nemuna e i rritur në Rrafshin e Kosovës...
“Sigurisht që e kam admiruar gjithmonë për një sens shumë të qartë të lidhjes së atyre që thotë me ato që mendon, edhe pavarësisht se dikush mund të jetë dakord, dikush mund të mos jetë dakord, por ka një lidhje shumë të qartë gjithmonë të Rexhep Qoses midis asaj që thotë dhe asaj që mendon dhe atë që mendon e thotë në një mënyrë shumë të respektueshme për nga forca dhe për nga mënyra sesi e gdhend fjalën shqipe, ndër të rrallët, pa llogaritur faktin se përveçse një kontributor i shqipes si lëvrues sqimatar i saj, është dhe një nga mbajtësit në këmbë dhe mbështetësit me gjithë zemër të gjuhës që kemi, një gjuhë e kërcënuar sot nga gjysminjorantë e gjysmë të ditur, që nuk arrijnë dot të gjejnë paqe me gjysmën e tyre dhe kërkojnë të përgjysmojnë përsëri gjuhën tonë, që është një bashkim dy gjysmash të pandashme më, shpresoj, dhe që parathotë atë që për Rexhep Qosen ka qenë gjithmonë një obsesion, bashkimin kombëtar”, – tha Kryeministri Edi Rama.
“Sot i kam mbushur 78 vjet. 78 vjet janë shumë për t’u numëruar e lëre më për t’u jetuar: për t’u jetuar nga një i lindur në Bjeshkët e Nemuna e i rritur në Rrafshin e Kosovës. 78 vjet, për shkak se janë aq shumë, pashmangshëm më kanë sjellë shumë përjetime, shumë mendime e shumë ndjenja në jetë – të gjithfarëllojshme”. Me këto fjalë, akademiku i njohur Rexhep Qosja iu drejtua të pranishmëve, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, pak para se në ekranin e madh të shfaqej dokumentari “Rexhep Qose, Rilindësi i kohës sonë”, i gazetares Rudina Xhunga, nën kujdesin e “DigitAlb” dhe Institutit të Librit “Toena”. Personazhe të njohur të jetës kulturore dhe politike, mes të cilëve dhe Kryeministri Edi Rama ishin aty, për të nderuar një prej figurave më të çmuara të mendimit shqip. Duke mos fshehur emocionet, Qose ka treguar me pak fjalë rrugëtimin e këtyre 78 viteve. “Gjatë këtyre vjetëve më ka takuar të përjetoj një luftë botërore – Luftën e Dytë Botërore; rënien e një rendi politik e shoqëror – që i thonë komunist dhe ngritjen e një rendi tjetër politik e shoqëror dhe kushtetues e juridik – që i thonë demokratik; shkatërrimin e një shteti federativ që i thoshin Jugosllavi dhe krijimin prej tij të shtatë shteteve të reja kombëtare. Në fillimet e pleqërisë më ka takuar të përjetoj edhe një luftë: Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit të Serbisë, ndërhyrjen në këtë luftë të Forcave të NATO-s dhe krijimin e shtetit ku jetoj – të shtetit të Kosovës, të cilit i kam dhuruar shumë përkushtim mendor dhe ndjenjor, sidomos para se të krijohej.
Të gjitha këto ngjarje, të quajtura historike, i kanë lëvizur fort mendimet dhe ndjenjat e mia: i kanë lëvizur duke i bërë kur të gëzuara e kur të dëshpëruara”, ka thënë Qose, duke shprehur mirënjohje për ata që bënë të mundur realizimin e këtij dokumentari. “Dhe, ky nderim, nuk është nderimi i parë, sado mund të jetë i fundit, që po më bëhet prej Shqipërisë – prej Shqipërisë, që sot po rilind në pikëpamje politike, ekonomike, arsimore, kulturore, juridike dhe etike, duke frymëzuar, madje, edhe ndjenjat me rëndësi historike të qytetarëve të saj dhe të shqiptarëve në përgjithësi, që të jenë çka ishin ftuar të jenë në kohën e Rilindjes sonë të madhe kombëtare të Pashko Vasës, të Jani Vretos e të Naim Frashërit: që të jenë të gjithë njëkohësisht edhe katolikë, edhe ortodoksë, edhe myslimanë”, tha Qose, duke e mbyllur fjalën, duke perifrazuar fjalinë që Xhon Kenedi, tha për Amerikën. “Nuk kam menduar kurrë çka do të bëjë Shqipëria për mua, por kam menduar çka mund të bëj dhe çka di të bëj unë për të. Dhe, kam bërë me mendje e me zemër çka kam mundur e çka kam ditur për historinë, për kulturën dhe për të përtashmen e saj. E Shqipëria më ka shpërblyer për këto të bëra: më ka shpërblyer me çmime e nderime dhe me ndjenja të vazhdueshme. Mendja dhe zemra ime, as në vitet e dhunës më të madhe ndaj shqiptarëve në Jugosllavi kurrë nuk i kanë ndarë Kosovën dhe Shqipërinë. Në mendjen e në zemrën time ishte e përjetshme bindja se ato që janë dhunshëm të ndara, ato doemos vullnetshëm do të bashkohen”, – tha akademiku Qose.
Për Kryeministrin Edi Rama, njohja me Rexhep Qosen është shumë e hershme dhe i përket një periudhe të ndaluar. “Në atë kohë, unë isha në Liceun Artistik, edhe përpiqeshim që të hapnim sa të mundnim dritaren krejtësisht të mbyllur të passhtëpisë, sepse dritarja e hapur në katër anët e shtëpisë ishte dritarja e propagandës së përditshme dhe në atë kohë me ra në dorë libri ‘Anatomia e Kulturës’, shkruar nga Rexhep Qosja. Libër i ardhur në Bibliotekën Kombëtare, por që kishte një qarkullim shumë të kufizuar dhe nuk ishte një libër i konsumit të përgjithshëm dhe e kam lexuar disa herë atë libër, sepse në atë kohë tingëllonte si diçka absolutisht tjetër nga daullet e estetikës dhe të kohës dhe prej atij momenti, e kam admiruar Rexhep Qosen për faktin se solli një gjë të re në jetën time”, tha Kryeministri Rama, duke vazhduar se gjithnjë e ka admiruar akademikun për ato çfarë thotë.
“Sigurisht që e kam admiruar gjithmonë për një sens shumë të qartë të lidhjes së atyre që thotë me ato që mendon, edhe pavarësisht se dikush mund të jetë dakord, dikush mund të mos jetë dakord, por ka një lidhje shumë të qartë gjithmonë të Rexhep Qoses midis asaj që thotë dhe asaj që mendon dhe atë që mendon e thotë në një mënyrë shumë të respektueshme për nga forca, dhe për nga mënyra sesi e gdhend fjalën shqipe, ndër të rrallët, pa llogaritur faktin se përveçse një kontributor i shqipes si lëvrues sqimatar i saj, është dhe një nga mbajtësit në këmbë dhe mbështetësit me gjithë zemër të gjuhës që kemi, një gjuhë e kërcënuar sot nga gjysminjorantë e gjysmë të ditur, që nuk arrijnë dot të gjejnë paqe me gjysmën e tyre dhe kërkojnë të përgjysmojnë përsëri gjuhën tonë, që është një bashkim dy gjysmash të pandashme më, shpresoj, dhe që parathotë atë që për Rexhep Qosen ka qenë gjithmonë një obsesion, bashkimin kombëtar”, tha Kryeministri Edi Rama. Gazetarja Xhunga u shpreh e lumtur që kishte mundur të sillte në një dokumentar jetën e akademikut. “Është kënaqësi që të shohësh kaq shumë njerëz që e duan profesor Rexhep Qosen, që e lexojnë, që admirojnë, që e besojnë, që i referohen, që orientohen prej tij. Në emër tuaj dhe shumë të tjerëve që nuk janë sot, sepse kaq vend ka salla, unë realizova këtë dokumentar.
Që profesori të mund të fliste një herë të vetme për vete. Jam e lumtur, jam krenare dhe jam mirënjohëse që profesor Qosja i tha po projektit të përbashkët me ‘DigitAlb’ për të realizuar këtë dokumentar dhe për të promovuar sot në ditën e lindjes bashkë me shtëpinë e tij botuese, ‘Toena’”, tha Xhunga. Realizuar me dashuri, dokumentari i Xhungës solli në ekran jetën e një njeriu që është moshuar aq fisshëm, dhe jeta e të cilit është libri më i mirë, përmes të cilit mund të lexosh historinë e Kosovës.