Gjuha e trupit

Gjuha e trupit
Rrëfimi i Laura Jones-it, 27-vjeçarja që interpretoi mbi një karrige me rrota, dhe apeli i koreografit Gjergj Prevazi për vëmendje ndaj dancit bashkëkohor


Tre net më parë, balerinë të kompanisë angleze "StopGap Dance" dhe shqiptarë nga "Albanian Dance Theatre" interpretuan tri pjesë koreografike në sallën e mbushur plot të Akademisë së Arteve.


Kjo shfaqje, dhe dy të tjera në Durrës dhe Vlorë, si dhe master-class-et me studentë të Akademisë së Arteve, janë pjesë e fushatës për të drejtat dhe integrimin në shoqëri të personave me aftësi të kufizuara, që British Council dhe Fondacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar (SHDPAK), zhvillojnë këto ditë në Tiranë.


Për një orë e gjysmë, grupi anglez i balerinëve e bëri për vete publikun me lëvizjet, gjuhën e trupit, emocionin e çliruar gjatë interpretimit të "Within" të Thomas Noone-it, "The apple" të Nathalie Pernette-it dhe një pjesë nga Rob Tannion-i. Në pjesën e parë të baletit, interpretuan 4 balerinët shqiptarë Elton Çefa, Sueda Hoxha, Aledia Kondaj dhe Mateo Lushi.


Nga "Stop Gap Dance" interpretuan Sophie Brown, Lucy Bennett, David Wildridge dhe Chris Pavia. Laura Jones, balerina 27-vjeçe, na bëri kuriozë jo vetëm me interpretimin e saj, energjinë, ndjesitë, por edhe për një fakt tjetër që u bë i qartë në fund të mbrëmjes: Jones nuk mund të ecte.


Në moshën 16-vjeçare ajo pësoi një dëmtim në shtyllën kurrizore që e mbërtheu përgjithmonë në një karrige më rrota. Por edhe pas kësaj, Laura nuk e braktisi dancing. Dy vjet më vonë, u bë anëtare e një kompanie profesionale kërcimi në Angli, siç është "StopGap Dance".


Çdo ditë, nga ora 8.00 deri në 17.00, interpreton, jep mësime kërcimi, është pjesë e workshop-eve që kompania zhvillon në shkolla të ndryshme fillore, të mesme, e të larta në qytete të ndryshme dhe jashtë vendit. "Është punë, nuk është hobby", shpjegon Jones.


Ajo është ndjerë mirë nga përvoja shqiptare, me angazhimin e studentëve në Akademinë e Arteve dhe ka besimin që "diçka ka ngelur", ata do t'i vazhdojnë t'i praktikojë leksionet që u ka dhënë mbi kërcimin dhe gjuhën e trupit.


Në vështrimin e saj, në mënyrën sesi flet për dancin, për pjesët e interpretuara tre net më parë, kuptojnë dëshirën, vullnetin, lumturinë që gjen tek vallëzon.


"Kërcimi është një mundësi e shkëlqyer për t'u shprehur, një lloj lirie. Nëpërmjet tij mund të kuptosh që gjithçka është e mundur. Një lloj mundësie për të kapërcyer pengesat", shprehet ajo.


Tingëllon e vërtetë tek e dëgjon nga goja e vajzës që lëviz me karrigen me rrota, kur sjell ndërmend vështirësitë që i duhet të përballet, punën që duhet të bëjë për të arritur. "Mendoj se kam shumë fat që jam në gjendje të kërcej", thotë Jones dhe sytë i qeshin edhe pse rendit edhe shumë gjëra të tjera që nuk arrin t'i bëjë. Dhe përsëri ndihet e lumtur.


Gjatë 2 orëve, në Akademinë e Arteve, balerinët ishin të aftë të përçonin ndjesinë e makthit, forcën dhe energjinë që ka njeriu brenda vetes, kënaqësinë, varësinë ndaj të keqes, maninë, romancën, hakmarrjen e dashurisë, e të gjitha këto ishin kaq të qarta falë interpretimit rigoroz të tyre. "Koreografitë kanë për bazë lëvizjen.


Kanë të bëjë më shumë me ndjesitë, me emocionet, gjuhën e trupit", përfundon Laura Jones. Shfaqje të tilla të baletit modern janë të rralla në Shqipëri, aq sa mbahen mend saktësisht datat e tyre.


Dhe kjo për arsye financimi, që është i paktë kundrejt kompanive që operojnë më vete, jashtë trungut institucional. Këtë shqetësim e përcjell në këtë intervistë të shkurtër, koreografi Gjergj Prevazi, drejtuesi i "Albanian Dance Theatre".


Z. Prevazi përse janë të rralla shfaqje të tilla baleti?


Ky projekt i "Albanian Theatre Dance" që unë drejtoj, ka startuar 10 vite më parë. Është financuar kryesisht nga dy fondacionet, "Prohelvetia" dhe "Soros", që e rrudhën financimin e tyre. Sot Sorosi nuk financon më dhe Prohelvetia jep shumë pak financim dhe nuk mund të bësh produksione.


Ne jemi përpjekur deri në 4 vitet e shkuara për të gjetur mbështetje nga Bashkia dhe Ministria e Kulturës. Mendoj se ka një problem të madh për financimin e kompanive të pavarura.


Nuk ka një ligj akoma në Shqipëri. Ne vazhdojmë traditën e 20-viteve më parë. Institucione që financohen direkt nga shteti janë vetëm Teatri i Operës dhe Baletit dhe kompanitë shtetërore që trashëgohen. Në 20 vitet e tranzicionit nuk është krijuar asnjë kompani e re në Shqipëri.

Do të jetë shumë mirë nëse Ministria e Kulturës krijon një fond të veçantë për kompanitë të cilat kanë iniciativa vetjake.


Të krijohen kompani kërcimi të lira dhe të pavarura. Kjo liri ka të bëjë me përzgjedhjen e balerinëve, koreografëve që e ndërtojnë këtë kompani, drejtorëve artistikë, kompozitorëve, por nuk do të thotë që ata janë të lirë në kuptimin e gjetjes së fondeve. Fondet do të vijnë nga ky vend, nga ky shtet, në një formë, ose në një formë tjetër.


Në Shqipëri nuk ekziston akoma një fond apo një fondacion, i cili të financojë në mënyrë të drejtpërdrejtë produktet artistike të këtij vendi. Ne jemi shumë vonë. Vazhdojmë të kemi një sistem të centralizuar në fushën e kulturës, kur fondet kryesore i jepen institucioneve qendrore, të cilët trashëgohen nga e kaluara.


Në Shqipëri, në mënyrë të veçantë në Tiranë duhet të krijohen dy-tri kompani të cilat financohen nga shteti, ose të krijohet një fond që të shkojnë për projektet specifike të këtyre kompanive. Jo vetëm të prodhimit të një shfaqjeje, por edhe të distribuimit të saj, pjesëmarrjes në Festivale Ndërkombëtare dhe tureve nëpër Shqipëri, gjë e cila mungon.


Ju jeni për njohjen dhe rregullimin ligjor të aktivitetit të kompanive private?


Sigurisht që duhet një ndërhyrje në ligj për krijimin e kompanive. Duhet të parashikohet si mund të krijohet një kompani, sidomos për artistët e rinj që mbarojnë shkollën në Akademinë e Arteve. Ata nuk kanë vend tjetër pune përveç Teatrit të Operës dhe Baletit. Institucionet shtetërore duhet të jenë më të hapur ndaj artit bashkëkohor.


Shumë rrallë dhe aspak, ne shohim në repertorin e Teatrit të Operës dhe Baletit, apo në institucione të tjera të këtij niveli, vepra të cilat trajtojnë fenomenet e ditës. Shfaqja e mbrëmshme merret në mënyrë eksplicite me jetën e njerëzve.


Mendoj se ne jemi boll të ngopur me vepra të ashtuquajtura të mëdha, mentaliteti i një kohe të shkuar, ose mentaliteti i vendeve që vërtet kanë qenë perandori, që trashëgojnë një kulturë, apo një traditë, të produksioneve të stërmëdha.


Ne jemi një vend i vogël. Mendoj se nuk duhet të kemi pikësynim vetëm për veprat e mëdha dhe kryeveprat botërore. Pikësynimi duhet të jetë jeta e përditshme, arti bashkëkohor, që në mënyrë të drejtpërdrejtë transmeton problematikën e ditës, mesazhet për jetën e sotme shqiptare, kritikën në mënyrë artistike të disa fenomeneve.


Gjithë ky debat që është hapur kësaj jave për problemet e njerëzve me aftësi të kufizuara dhe shoqëria jonë që nuk ka sensibilitet për këtë. Ju garantoj që nëpërmjet artit të traditës nuk trajtohet dot kjo problematikë. Atëherë si do ta gjej hapësirën kjo kategori njerëzish?


Çfarë rezultati u arrit nga studentët në fund të këtij workshop-i?


Workshop-i për teknikat e Artit Bashkëkohor që u zhvillua dy ditë në Akademinë e Arteve është po kaq i rëndësishëm për t'i hapur mendjen, trupin dhe shpirtin këtyre studentëve.


Dimensionet e Artit Bashkëkohor janë të pafundme. Sot nuk mund të imagjinohet danci brenda disa shtampave të caktuara, ligjeve strikte, por është shumë herë më e hapur. Gjuha e trupit, komunikimi joverbal është një komunikim universal dhe si i tillë ai është i pafund.


Gjithashtu edhe në koncertin e mbrëmshëm salla ishte plot. Kjo tregon që publiku ka nevojë për këtë lloj aktivitetesh, shikon problemet e veta aty. Besoj që edhe studentët gjithashtu, janë entuziastë për bashkëpunimin.

Jorida Pasku : Shekulli Online

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama