Gjuha revolta dhe kuptimi i jetes

Gjuha, revolta dhe kuptimi i jetes
Në një botim të viteve dymijë “Trashëgimia në rrezik”, titull që sot ka gjetur përdorim të shpeshtë në fushata sensibilizuese, ka dhe një foto, të njërit prej autorëve, Fatos Lubonja. Te ajo foto bardhë e zi ai ndodhet para një peme monumentale, si para një tempulli, veçse me zgavrën e trungut të djegur përdorur si oxhak, një hap tej “Syrit të Kaltër”.

E gjejmë me kuptim për ta nisur bisedën nga kjo foto, kur Lubonja po linte grupin modest të protestuesve në mbrojtje të trashëgimisë, dje, pranë Parkut të Tiranës, përgjatë Rrugës së Elbasanit, në atë segment, ku po përparon zgjerimi i rrugës dhe prerja në të dy krahët e pemëve.

Analizat e Lubonjës në muajt e fundit përveçse më të shpeshta, kanë shtuar dozën e revoltës qytetare, e kritikës ndaj sistemit politik dhe pretendimin ndaj të ngjashmëve të tij për ta reshtur këtë pasivitet. Kemi parasysh shkrimet për zgjedhjen e presidentit, për humbjen e dialogut politik, për universitetet private, për mosshpërblimin e ish-të përndjekurve politik dhe përdorimin e tyre si mall elektoral. Më të shumtat godasin primitivizmin politik si përgjegjës të drejtpërdrejtë të humbjes së sigurisë dhe shpresës te njerëzit.

Diku ai kujton Montanelin që në fund të viteve ’70 u bënte thirrje italianëve para votimeve: “Mbyllni hundët dhe votoni demokristianët”, ndërsa konstaton se shqiptarët e tij “i kanë hundët të zëna tashmë; ato qimet e hundëve që ndiejnë qelbjen rëndë të politikës janë të tejmbushura dhe s’japin më asnjë shenjë”.

Diku tjetër as e ndjen të përmbahet e t’i përqasë seritë e telenovelave politike me “ndarjet e nevojtoreve allaturka të shkollave në kohën e komunizmit, ku nuk ishte problem era, por vendi se ku duhet të kryeje nevojën, pasi ishin të mbushura tumllas me mullarë m…trash dhe duhet të hapje njërën derë pas tjetrës për të gjetur atë se ku mund të vije këmbët, të paktën”.

Thirrja e përsëritur e Fatos Lubonjës është: Kush kërkon një Shqipëri ndryshe, që s’mbytet në pellg, qoftë edhe një President ndryshe, duhet të lëvizë, e jo ta presë ndryshimin nga ambasadorët e botës.

Më 24-26 qershor, Lubonja është ftuar të mbajë një bisedë me artistë të rinj të Stamboll mbi temën “Fjalët dhe shpresa”. Ishte kërkesë e dy studiueseve që u frymëzuan nga eseja e tij “Kuraja dhe tmerri i vdekjes” e vitit 2002. Përsëri fjala dhe përsëri shpresa që buron saj, edhe kur është e rreptë në pesimizmin e saj.

Rezistenca juaj në mbrojtje të trashëgimisë ka një fillim. Nga një botim i hershëm ku trajtoni gjendjen e trashëgimisë pas ‘90-s, është për t’u kujtuar një foto bardhë e zi, në “Syrin e Kaltër” të Sarandës. Ai lis i djegur ka mbetur një konstante e shkatërrimit, dje në jug sot në Parkun e Tiranës.

Unë e shikoj si shprehje të së njëjtës sëmundje që shfaqet gjithandej. “Syrin e Kaltër” e kam trajtuar si një tempull, si një gjë të shenjtë. Gëteja thotë se e shenjta është ajo që bashkon shumë shpirtra. S’mund të jetë vetëm feja që bashkon shumë shpirtra. Edhe një monument kulturor, edhe një monument i natyrës bashkon shumë shpirtra, si “Syri i Kaltër”.

Shoqëria shqiptare sot është e paaftë për të ruajtur të shenjtat për t’u bashkuar, për të mbrojtur atë që quhet publike. Egoizmi, babëzia individuale që është stadi më primitiv i njeriut, nuk ka arritur dot të ndërtojë publiken, komunitetin, të shenjtat të cilat na bashkojnë, e që janë pjesë e historisë, që krijojnë lidhjen midis të shkuarës dhe të ardhmes, midis individit dhe shoqërisë. Kjo mungon. Dhe atëherë shikojmë individë që vërsulën të rrëmbejnë çdo gjë publike për ta mbajtur rreth vetes. Unë e quaj këtë që është sot ekstremin tjetër të asaj që ishte komunizmi.

Pse sillni paralele me komunizmin?

Nuk mendoj që komunizmi ishte e kundërta e kësaj që është sot. Por sepse komunizmi deresponsabilizojë njeriun, i mori ai përsipër të gjitha, nuk u bë i aftë njeriu të ndërtojë komunitetin e vet, të ndërtojë të shenjtën e vet, t’i ruajë gjërat vetë. Ishte shteti që ia ruante, shteti ia pastronte rrugën, i bënte shteti të gjitha ato gjëra që duhej t’i bënte ndjenja e komunitetit.

Në këtë kuptim jemi në anën tjetër të medaljes. Kur iku shteti, kjo shoqëri shpërtheu në individualizëm ekstrem. Vjedhjet në Butrint, Apolloni, apo kur shkatërron një monument kulture dhe bën gjëra të tilla siç është dhe rasti në fjalë në Rrugën e Elbasanit, më kanë revoltuar edhe për faktin që shoqëria shqiptare nuk ka reaguar fare. Është prerë pema 250-vjeçare e Et’hem Beut që ishte përballë Galerisë Kombëtare. Ka disa variante: duhet të ketë qenë i sëmurë ose që pengon festën e Ambasadës Amerikane dhe komuniteti nuk di gjë. Ishte banori më i vjetër i gjallë i këtij qyteti. E presin, nuk japin asnjë shpjegim, nuk thonë asgjë, nuk mban zi asnjeri.

Nuk ekziston asnjë lloj transparence nga vendimmarrësit për atë që po ndodh në Rrugën e Elbasanit. Vendimet merren në fshehtësi, aksionet bëhen fakt. 

Në qoftë se flasim për ndjeshmëri qytetare, është njëlloj sikur njeriu shikon veten në pasqyrë. Kur reagimi është kaq shpërfillës, sigurisht njerëzit edhe demoralizohen. Mendimi im është ky: individualizimi ekstrem, përfitimi ekstrem tek ne ka shkuar te skaji ekstrem, ka shkuar te shteti i kapur. Shteti i kapur nga interesa individësh - këtu vërtet s’ka transparencë, këtu vërtet tregohet fytyra më arrogante e shtetit, - edhe sikur ligjërisht të vepronte, ne shpeshherë e kemi parë se edhe ligjet bëhen të diktuara nga këto interesa. Kemi të bëjmë me një shtet të kapur. Lloji i ekonomisë po përcakton edhe vlerat, superstrukturën. Kur ke ndërtuar një ekonomi kriminale, një ekonomi bandash, një ekonomi të bazuar mbi trafiqe, mbi pastrim parash të pista, padyshim që kjo do të përcaktojë dhe sistemin e vlerave, shtetin dhe gjithçka. Pastaj vlerat që kanë idetë, vlera që ka shoqëria civile për të ndryshuar strukturën bëhet gjithnjë e më e vogël përpara fuqisë dhe arrogancës së pjesës së parë.

Revolta në shkrimet tuaja po gradohet në maksimum. Analizat janë sa konkrete aq edhe me metafora, për shembull, nga bota e zoologjisë. Kemi parasysh shkrimet e muajve të fundit për zgjedhjen e presidentit, për humbjen e dialogut politik, për universitetet private, për mosshpërblimin e ish-të përndjekurve politik.

Ndoshta ashpërsimi i gjuhës shpreh një urrejtje në rritje. Dhe urrejtja është shenjë dobësie, në kuptimin e pafuqisë. Njeriu kur ka fuqi bëhet dhe më bujar. Kur individi ndihet i vetmuar, i pafuqishëm, atëherë fillon edhe provon urrejtje. Kam qenë në burg një kohë të gjatë, ti e di, dhe kjo ka qenë një periudhe e urrejtjes ndaj Enver Hoxhës, pikërisht për shkak të pafuqisë.
 
Ashpërsimi i gjuhës është tregues i masës së problemit. Tregon edhe ndikimin që ka te njeriu Lubonja kjo klimë që trajtoni në kolonat e shtypit?

Sigurisht është dhe regjistri shpirtëror i njeriut që kalon nëpër këtë urrejtje, pafuqi dhe pesimizëm në rritje. Pier Paolo Pazolini ishte një nga pesimistët e mëdhenj, sepse ishte një nga kritikët më të mëdhenj të kapitalizmit, të shkatërrimit të vlerave kulturore të Italisë për të cilat ai ndihej i pafuqishëm për t’i ndaluar. Kur ka folur për monumentet e kulturës që po shkatërroheshin nga ky agresivitet, diku ka thënë: Kemi vetëm një shpresë: varfëria. Sepse duke qenë të varfër, nuk do t’i prishim, nuk do t’i shkatërrojmë. Jam kaq pesimist nga optimizmi i madh.

Sepse ishte shpresa e madhe për një Itali që po dilte nga lufta. Kurse ne dilnim nga burgjet dhe prisnim një Shqipëri të mirë, të bukur. Sot e shikojmë veten në duar banditësh. Është e rëndë. Ajo gjuha për të cilën fole ti është shprehje e një gjendjeje shpirtërore.

Në nivelin politik gjendja në Shqipëri po bëhet e paparashikueshme. Njerëzit duken spektatorë të ca llogaritjeve matematike që bëhen live në ekranet e televizionit. U pa me zgjedhjen e presidentit: me zë pretendohej një emër për bashkim, ndërsa kalkulohej interesi partiak, duke krijuar një situatë absurde dhe të lodhshme për mendjen e qytetarëve. Me këto manovra askush nuk do të thoshte me siguri si do të mbërrijnë shqiptarët në zgjedhjet e 2013-s. Në një analizë ju përmendni gazetarin Indro Montaneli që i ftonte italianët të mbyllnin hundët që të votonin demokristianët.

Ka dy aspekte kjo pyetje. Kritika ime në përgjithësi në këto vite ka qenë kundër sistemit. Ndryshimi i vërtetë i Shqipërisë nuk vjen nga ndryshimi i njerëzve por nga ndryshimi i sistemit. Sali Berisha mori pushtetin sepse premtoi që do të ndërronte sistemin e baronëve të drogës. Pikëpyetja e madhe ishte: ky do ta kalërojë sistemin apo do ta ndërrojë? Prova ishte që e kalëroi dhe e çoi në degradim duke u bërë kërcënim dhe për lirinë.

Shoqëria shqiptare sot ka dy probleme të mëdha. Së pari në drejtimin social-ekonomik. Shoqëria vuan prej këtij sistemi të kapur nga interesat e oligarkisë. Në qoftë se rrogat e një arsimtari, e një mjeku janë të tilla që ata nuk mund të kenë një minimum për të mbijetuar, këta mund të bëhen rrezik social. Imagjinoni një sistem ku është rrezik social mjeku, arsimtari.

Problemi i dytë është ai i demokracisë. Kur përfitimin dhe interesat do t’i ruash me çdo kusht, bëhesh politikisht i rrezikshëm edhe për lirinë. Vjen një moment kur nuk e lëshon më as pushtetin dhe do të eliminosh edhe opozitën. Ky është një sistem që ka filluar të ndërtohet mirë në kohën e Nanos e të socialistëve në pushtet, që u kalërua pastaj nga Berisha. Prirja e këtij sistemi ka qenë putinizmi. Me putinizëm kuptoj lënien e opozitës si një dekor, që nuk vjen dot kurrë në pushtet sepse i ka kapur të gjitha instrumentet e pushtetit banda kryesore dhe këtu jemi pak a shumë te kjo situatë. Edhe zgjedhja e presidentit tregoi që kjo është filozofia. Dhe shqiptarët me këtë situatë do të shkojnë në zgjedhje. I vetmi fat i shqiptarëve është që të shohin se sa i paaftë është ky sistem saqë do të vijë dështimi. Ashtu siç ranë piramidat dhe u shkatërrua vendi. Sepse ishte paaftësi e madhe që të lejoje piramidat dhe vendi të shkatërrohej. Babëzia e kësaj klase në pushtet është e tillë që krijon pasiguri, krijon pasiguri sepse është e paaftë. Kështu ne rrëzohemi. Dhe rrëzimi është shumë i rrezikshëm, sepse nuk shikoj shanse të mëdha. Do ketë trazira sociale. Ajo që thatë për kombinimet në tryezë të grupimeve që ndajnë pushtetin, është ana tjetër dramatike e situatës që i bën njerëzit të pashpresë.

Ky lloj sistemi nuk lë mundësi që të korrigjohet tjetri që ka gabuar. Po themi: Ilir Meta ka qenë në pushtet dhe për të po flitet aq shumë që duhet të shkojë te socialistët. Për dikë që ka qenë në pushtet, ai që duhet të korrigjohet, ai që duhet të ndëshkohet, duke u kthyer  përsëri në pushtet, me forcën tjetër opozitare, nuk bëhet dot ndryshimi dhe ndëshkimi. Në këto lloj tryezash që kemi ne, ndëshkimi bëhet i pamundur. Njerëzit e ndjejnë, e kanë provuar që ndëshkimi për klasën politike nuk ka ardhur dhe kjo çon në pasivitet. Unë mendoj që arroganca duhet ta marrë një ndëshkim.

Gjejmë rastin t’ju përshëndesim për ekspozitën “Objekte nga Spaçi”. Meqë folët për humbjen e shpresës dhe pasigurinë te njerëzit, si e pritën vizitorët, bashkëvuajtësit në veçanti, këtë komunikim të thellë dhe shpirtëror me të kaluarën e burgut komunist?

Ekspozita qëndroi pak ditë e hapur. Mua më duket se veprat e artit e të letërsisë kanë pak influencë në këtë shoqëri. Është për t’u studiuar ky fenomen, pse ndodh kjo. Në tërësinë e vet, kjo shoqëri është bërë shoqëri e manipulimit mediatik të njerëzve, e sipërfaqes. Ajo që pikërisht nuk më pëlqen është fakti që gjithçka ekziston në qoftë se ti del në media, në qoftë se ti del në gazetë, në qoftë se ti del në televizion. “Objekte nga Spaçi” ishte simulim i një muzeumi që vlerën e kishte ta vizitoje atje, ta shikoje aje, ta jetoje, ta prekje mundësisht materialin nga afër, dhe jo te zhurma e buja televizive që bëhet. Është një fenomen shumë dramatik në shoqërinë shqiptare që gjithçka përcillet nëpërmjet mediave. Në qoftë se nuk është në media nuk ekziston. Kjo heq elementin e socializimit të njeriut, çka është shumë i rëndësishëm. Ndryshe është të shkosh e ta shikosh një film në kinema sesa në TV në shtëpi; ndryshe kur e takon autorin e një ekspozite dhe ndryshe kur e shikon në televizion. Megjithatë janë pak njerëz që i kam si pika referimi dhe vlerësimi i tyre më intereson.

Ekspozita na çonte te dilema: që ju si një ateist po shfaqeshit me një shtresë të fortë të nëndheshme religjioni, por jo i natyrës teiste. Cila është kjo gjë që ekziston tek njeriu me forcën e ngjashme të një religjioni?

Ajo që thashë në fillim: përpjekja për t’i dhënë kuptim jetës. Një nga teoritë interesante është që kuptimin e jetës ne na e jep vdekja, që ne duhet t’i jemi mirënjohës vdekjes sepse vetëm vdekja na motivon që të bëjmë diçka, që të mos ikim kot, që t’i japim vetes përjetësinë. Këtë thotë në një intervistë të fundit për vdekjen Zygmunt Bauman, që njerëzimi i ka dhënë një përgjigje kuptimit të jetës nëpërmjet ndërgjegjësimit për vdekjen. Kur njeriu nuk e ka këtë lloj besimi që shpirti i tij të mbijetojë, atëherë ka gjetur përgjigje të tjera.

Lidhur me këtë, doja të kujtoja edhe diçka tjetër nga Gëteja kur thotë: “Unë kam pasur një jetë të lumtur por nuk mbaj mend asnjë javë lumturi.” Lumturia është gjithë puna, përpjekja, ndërsa jeta vetë ka qenë përpjekje e përditshme. Mendoj që, pjesërisht, gjithë ajo krijimtari, gjithë ajo që bëj dhe unë, është në funksion të kësaj ideje, të lësh një kujtim, një trashëgimi. Njeriu i jep kuptimin jetës nëpërmjet shoqërisë, i lë shoqërisë një gjurmë. Shpeshherë jam edhe më realist, që në fund fare nuk është as kjo, as kuptimi i jetës nëpërmjet vdekjes, por thjesht që ta gëzosh jetën. Nganjëherë e mendoj dhe më thjesht fare: gjëja më e mirë që më bën ta jetoj jetën, më mirë se çdo gjë tjetër, është kjo lloj krijimtarie, kjo që ma mbush ditën, ma bën të bukur, ma bën marrëdhënien me njerëzit më të mirë. Kjo më duket nganjëherë më e rëndësishme. Pra, kam dyshimin tim nëse është vdekja kaq e rëndësishme apo instinkti i jetës dhe dëshira për jetën. Ashtu si bleta që krijon hojet e veta sipas një konstruksioni të vetin, ashtu dhe njeriu do të ndërtojë. Sigurisht, jo të gjithë duan të bëjnë gjëra të mëdha. Dikush do të ndërtojë një karrige, të kujdeset për një pemë, dikush rrit fëmijët.

Sidoqoftë, nuk mund ta heqësh dimensionin e vdekjes.

Kujtoj që në jetën time, në rini, kam patur krizën që unë do të iki nga kjo botë dhe sa e rëndësishme ka qenë për t’i dhënë një kuptim jetës. Por kur fillon e punon, arrin të kuptosh se nuk ka rëndësi u bëre apo jo i famshëm. Rëndësi ka ta ndjesh dhe ta jetosh jetën.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama