Gjuha totalitare ushqen mendesi totalitare

Gjuha totalitare ushqen mendësi totalitare
Deri më tash, analizat me natyrë semantike të Ardian Vehbiut kanë shqyrtuar kryesisht stadet aktuale të repertorit gjuhësor, duke nxjerrë shpesh në pah simptomat e lëngatës nga të cilat vuan përdorimi gjuhor sot, sikundër mangësia fjalore, pasaktësia kuptimore apo huazimet e panevojshme.

Mund të thuhet me siguri se Vehbiu mbetet një cilësues aktiv e objektiv i këtyre simptomave. Mjafton të këqyret rubrika tejet e pasur e publicistikës gjuhësore të tij në shtypin e përditshëm, apo përmbledhja e zhdërvjellët "Fraktalet e shqipes" (Excipere, Çabej 2007) për të kuptuar shumësinë dhe kompleksitetin e patologjive ligjërimore të ballafaquara aty.

Natyrisht, përsa kohë ato thjesht evidentohen, kemi të bëjmë vetëm me proces receptimi, i cili, për të qenë i vijuar e funksional, do duhet ndjekur nga një stad i mëtejshëm: perceptimi.

Ky perceptim nis duke interpretuar shkaqet prej nga simptomat burojnë; ndaj pra, për mendimin tonë, duke ndjekur rendin e arsyeshëm, "Shqipja Totalitare - tipare të ligjërimit publik në Shqipërinë e viteve 1945-1990" e Vehbiut paraqitet si një punim mëse i pritshëm në studimet mbi shqipen. Këtu, autori bën një kapërcim të bindshëm, duke kaluar nga vrojtimet semantike, në një tjetër nivel, që i takon një tjetër disipline: filozofisë së ligjërimit.

Për nga këndvështrimi global, fatmirësisht Vehbiu në këtë itinerar nuk shënon "risìnë e zakonshme", por ndjek shtegun profesional që përvijoi gjithkush u mor së pari me semantikë, mjaft të sillen ndërmend figura si Ogden, Richards, Miller, Croce, Pagliaro, De Mauro, Auroux, Calvet, e teevona, edhe Maniglier.

Ndërsa për nga këndvështrimi lokal, ku vepra mbetet brenda sinorëve të mendimit shqip, puna qëndron krejt ndryshe; me këtë libër Vehbiu e pajis gjuhësinë shqiptare me të parën monografi në fushë të filozofisë së ligjërimit.

Duke dalë nga skemat e ngurta të debatit gjuhësor "gegnisht apo toskërisht, standard apo jashtëstandard, huazim apo burimor", këtu merret në shqyrtim gjithë ajo karabiná gjuhësore që u ngrit në Shqipëri fill pas luftës, dhe vështrohen në të elementet e manipulimit linguistik që u krijuan e u përsosën për t'i shërbyer ekskluzivisht regjimit politik.

Për këtë ndërtohen paralelizma të goditura kritike me parashikimet orwelliane të "1984" apo me alterimet gjuhësore që u kryen në Gjermaninë naziste e në Bashkimin Sovjetik.

Ravgimet filozofike në "Shqipen Totalitare", mbi të dhëna e fakte nga korpusi ynë gjuhësor, nuk mëtojnë të japin pika përmbylljeje siç ndodh rëndom, por të krijojnë pikënisje për rrugën që shpie drejt dëgjimit të "fjalës", madje edhe të "mos-fjalës", aty ku fjala zëvendësohet nga heshtja.

Kësaj ideje i shërben edhe paragrafi i mbramë i monografisë, në të cilin autori shkruan: Shqipja totalitare, si ndërmarrje masive e ndërhyrjes së pushtetit politik në komunikim, ishte e drejtuar para së gjithash kundër HESHTJES. Heshtjes si e vetmja shprehje reale e rezistencës dhe distancimit të publikut nga pushtetarët.

Duke iu referuar po të njëjtës periudhë, totalitarizmit në Shqipëri, poeti Primo Shllaku, pat zgjedhë ta çelë me këto fjalë vëllimin e tij poetik "Lule nate" (2008): Na mbërrijtëm deri te kufijtë e ekzistencës, te koma sociale, te HESHTJA, dhe atje ndërtuem çerdhen tonë të fundit.

Nuk është gand, pra, që një gjuhëtar dhe një poet përkojnë në mesazhin filozofik, duke e konsideruar heshtjen si strehëz që individi shqipfolës zgjodhi për t'iu ruajtur molepsjes totalitare.

E kështu njeriu, kjo qenie vullnetplotë, zgjodhi vetë të flasë ose të heshtë. Të flasë jo vetëm kur ka diçka për të komunikuar, por edhe kur ka besim në aftësitë e veta komunikuese; në të kundërt, të heshtë, i shtrënguar nga njëri prej dy motiveve të mësipërme, ose nga të dyja njëherit. I mposhtur nga mosbesimi se nuk do të kuptohet, apo do të "keqkuptohet", ai zgjedh të flasë pak ose aspak; pra të heshtë.

Në të tillë marrëdhënie tëhuajzimi u gjend dora-dorës edhe individi shqipfolës ndaj atij newspeak-u që Vehbiu e shenjon si Shqipja Totalitare, duke shtuar se "të bëheshe qytetar i shtetit totalitar donte të thoshte edhe të fitoje aftësinë për t'u shprehur e përgjithësisht për të komunikuar në publik në pajtim me rregullat e kodit të ligjërimit totalitar; çka ishte veçanërisht e rëndësishme për të gjithë ata që synonin një farë karriere çfarëdo.

Të përdorje rrjedhshëm shqipen totalitare ishte kështu kyç për suksesin shoqëror dhe profesional.". E për ta shkoqitur këtë proces tëhuajëzues, autori e ndan analizën e vet në dy makro-etapa: 1945-1980 dhe 1980-1990, duke e përcaktuar të parën si "fazë të ndërhyrjes në gjuhë", ndërsa të dytën, më fort si "fazë të ndërhyrjes në ligjërim".

Sa i takon fazës së parë, dihet tashmë se hapi fillestar që ndërmori regjimi diktatorial, i vetëquajtur "demokraci popullore" (vërej këtu manipulimin semantik të këtij togfjalëshi), qe thyerja e plotë me të kaluarën, duke ia nisur së pari me ndërrimin e bazës historike të gjuhës.

E kaluara duhej manipuluar ngaqë, sikundër thotë Orwell, kush sundon të shkuarën, sundon të ardhmen; kush sundon të sotmen, sundon të shkuarën. Kësisoj duke thyer vjimësinë gjuhësore dhe kulturore me të djeshmen, e shkuara bëhej menjëherë mjaft e largët për kujtesën kolektive, e për pasojë rezultonte më i suksesshëm manipulimi.

Prapësimi i "gegnishtes së përafruar" nga funksioni i gjuhës zyrtare e më pas ndalimi me dekret i lëvrimit të çdo forme të saj, deri edhe të çdo fjale, shënon në fakt lindjen e Shqipes Totalitare.

Një subversion i tillë u shoqërua nga pushteti edhe me të tjera maipulime gjuhësore të tërthorta, apo sikundër shkruan Vehbiu se: përdorimi mimetik i dialektit u shfrytëzua për të ravijëzuar armiq ose anti-heronj të ndryshëm si personazhe "negative" në situata politikisht të ngarkuara - me klishe të tilla si prifti katolik manipulues ose diversanti i parruar nga malësitë e Veriut.

Një pjesë e publikut do ta përshoqëronte diksionin geg me role sociale të vjetëruara, reaksionare ose thjesht armiqësore. Kësisoj komunistët e lidhën fatin e formave gjuhësore me fatin e lëvruesve të tyre.

Veç kësaj, politika gjuhësore që krijoi dhe diktoi Shqipen Totalitare, i mveshi asaj një funksion unifikues dhe përjashtues njëherit; unifikues sepse mëtoi një gjuhë të gjithunjishme, dhe përjashtues (paradoksalisht) pasi shqipja që ndërtoi regjimi shmangu me dhunë gegnishten që gjer atëherë ish gjuhë zyrtare e administratës shtetërore shqiptare.

Ky vullnet për afirmim përmes përjashtimit - që toskëzoi çdo formë ku mundi e fshiu forma të tëra ku nuk mundi - është dëftues i qartë se beteja politike në Shqipëri e konsideroi trajtën gjuhësore si armë për amëshimin e regjimit. Ndaj është mëse e vërtetë dhe e saktë lidhja direkte që vendos Ardian Vehbiu mes monolitizmit gramatikor dhe totalitarizmit, kur shkruan se: "gjithçka ishte e përcaktuar paraprakisht, në kudhrën e farkëtarëve të fjalës, të cilët e hidhnin produktin e tyre në treg së bashku me udhëzimet e përdorimit. Pikërisht këtu do ta gjeja lidhjen domethënëse midis gramatikalizimit të shqipes standard dhe koncepteve të reja që kërkonin veshje të reja gjuhësore.

Në këtë vështrim, gramatikalizimi i leksikut të shqipes standard është edhe shprehje e raporteve të shqipes së njësuar me ligjërimin totalitar; ose me nevojën e regjimit për ta përdorur shqipen e njësuar si instrument për disiplinimin e mendimit.".
Natyrisht alterimi gjuhësor nuk pat pasojë vetëm mbi shenjuesin, mblojën e fjalëve; Vehbiu vëren më tej se pushteti i epërm politik sulmoi po aq fort edhe thelbin e tyre, kuptimësitë e fjalëve.

Duke e ndarë ligjërimin në sferën e shenjuesve konkretë dhe të atyre abstraktë, veçojmë së pari se sfera e ligjërimit abstrakt bëhej "pronë" gjuhësore e regjimit apo siç shkruan studiuesi ynë: kuptimësia e atyre fjalëve ishte rigorozisht e përcaktuar, madje e mbrojtur nga shteti; që këtej, polisemia, ose vetia e fjalëve për të pasur disa kuptime paralele, do të konsiderohej vetvetiu si formë e revizionizmit modern.

Monosemia e termave kyç të ligjërimit politik totalitar ishte kërkesë dhe garanci e palëkundshmërisë në vijë. Kështu, përmes manipulimit semantik ndërhyrja totalitare kërkoi të sundojë mbi shpirtrat e njerëzve.

Përmes këtij aksioni u atrofizua spektri kuptimor i mjaft fjalëve si demokraci, liri, besim, shpirt, revolucion, fatos, pionier, partishmëri (madje për këtë fjalë në libër nënvizohet se ajo sillej në shqipen si kalk i fjalës përkatëse të rusishtes 'partiinost'; në përdorimin e saj nuk kishte vend për dykuptimësi, metafora, referime në përdorime të mëparshme të traditës, aluzione ndaj tekstesh poetësh ose mjeshtrash të gjuhës) etj.

Ky tjetërsim u krye nisur nga ideja se folësit e analizojnë përvojën e tyre nëpërmjet fjalëve, dhe se çdo ndryshim semantik do të çojë edhe në një modifikim të vetë perceptimit të tyre mbi botën.

Kështu Newspeak-u orwellian me: joycamp = fusha e lumturisë, me të cilën emërtoheshin burgjet, apo minipax = ministria e paqes, me të cilën emërtohej ministria e luftës, ngjan si manual për Shqipen Totaliare ku diktatura e proletariatit është demokraci e vërtetë.

E po ashtu kjo shprishje semantike, e diktuar nga pakica drejtuese mbi shumicën përdoruese, të kujton dialogun e famshëm që Lewis Carroll vë në gojë të Humpty-Dumpty tek "Liza në botën e çudirave" teksa thotë:

- Kur unë përdor një fjalë, ajo fjalë ka atë kuptim që më pëlqen mua, as më shumë e as më pak!
- Puna është se ju nuk mund t'u jepni fjalëve kuptime të ndryshme nga çfarë kanë - ngulmoi Liza.
- Puna është se këtu urdhëroj unë! - ia preu shkurt Humpty-Dumpty.

Sot, gjuhësia shqiptare ndodhet para një udhëkryqi të vështirë, pasi nga njëra anë nuk mund të vijojë rrugëtimin e saj si trashëgimí e pastër genetike e Shqipes Totalitare, e nga ana tjetër nuk mund të mëtohet për një kthim në stadin paratotalitar, pra për një rivendosje të gjendjes gjuhësore të periudhës së monarkisë; e po ashtu nuk mund të pritet që këto korrigjime të kryhen vetiu prej prirjeve a proceseve të brendshme vetërregulluese, (ngaqë siç u pa në këto 20 vjet, veprimi i forcave të vetvetishme vërtet e përtërin vijimisht gjuhën, por edhe rrezikon ta kthejë atë në një gjendje sauvage).

Ndaj kjo kohë po shtron para hartuesve të politikave gjuhësore nevojën e ndërhyrjeve delikate, sa pragmatike aq edhe shkencore, në mënyrë që të çlirohet shqipja nga kallëpet e parafabrikuara të cilat formësojnë përditë me miliona akte komunikimi. Ky është kumti i këtij libri.



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama