Në sa mënyra mund të thuhet “shtëpi”, “gjumë”, apo të përshkruhet vera ose dëbora? Sot në Tokë fliten pothuajse shtatë mijë gjuhë, gjysma e të cilave rrezikojnë të zhduken deri në fund të shekullit. Problemi është se me to do të “varrosej” përgjithmonë edhe një pasuri shumë e çmuar, që është në gjendje të hapë dyert e botëve të largëta, me traditat dhe kulturat e tyre. Për të shmangur zhdukjen e gjuhëve, në ndihmë na vjen teknologjia dixhitale, me “fjalorët që flasin” për të “ringjallur” fjalët në zhdukje, të cilat fliten vetëm nga komunitete të vogla. Tetë fjalorë të rinj “zanorë” u prezantuan në mbledhjen e përvitshme të “American association for the advancement of sciences” (Shoqatës amerikane për zhvillimin e shkencës), në ngjarjen më të rëndësishme shkencore që këtë vit u mbajt në Vankuver, Kanada. Kjo mbledhje e vuri theksin te përdorimi i fjalorëve dixhitalë për të shpëtuar gjuhët që rrezikojnë të zhduken. Në fakt, disa prej materialeve të mbledhura përfaqësojnë dëshmitë e para, të shkruara dhe të folura të një gjuhe.
Për realizimin e këtij qëllimi janë angazhuar David Harrison dhe Gregory Anderson, gjuhëtarë të projektit “Enduring Voices 1”, financuar nga “National Geographic”. Dy studiuesit kanë shkuar deri në qoshet më të izoluara të Tokës, duke vizituar vendet më në rrezik, në kërkim të “kujdestarëve” të fundit të gjuhëve pothuajse të zhdukura. Për të mbushur fjalorët ata kanë regjistruar, fotografuar dhe mbledhur shumë dokumente. Këmbëngulja e tyre ka bërë edhe diferencën: në vitin 2010 studiuesit pohuan se kishin regjistruar dokumentet e para të Koro-s, një gjuhë në rrezik, e folur vetëm nga disa qindra persona në Indinë Verilindore.
Sot, Koro-s i janë bashkangjitur mbi tetë gjuhë të shpëtuara nga harresa: tetë fjalorë me të cilët mund të konsultohesh online për një total prej 32 mijë fjalësh, mbi 24 mijë regjistrime zanore të gjuhës mëmë, ku shqiptohen fjalë dhe fraza, përveç shfaqjes së fotografive dhe objekteve kulturore. “Në fund të fundit, kjo është një nga pikëpamjet pozitive të globalizimit. Komunitetet gjuhësore në rrezik po përdorin teknologjinë dixhitale për të ndihmuar mbijetesën e gjuhëve, dhe vetëm kështu zëri i tyre do të mund të dëgjohet nëpër botë”, - shpjegon Harrison, profesor i gjuhësisë në kolegjin “Swarthmore”. Kjo nismë është marrë edhe për të parandaluar që në një të ardhme të afërt, të vetmet kultura të mbetura të mos jenë ato të gjuhëve mbizotëruese.
I pari nga tetë fjalorët e prodhuar nga projekti i “National Geographic” dhe “Living Tongues Institute for Endangered Languages”, me mbështetjen e instituteve të tjera dhe komuniteteve të ndryshme, dokumenton gjuhën amtare amerikane Siletz Dee-ni (2), të folur në Oregon. Më pas vjen Matukar Panau (3), gjuha e folur në Papua, Guinenë e Re, vetëm nga 600 persona, të cilët jetojnë në dy fshatra: para tre vjetësh u mblodhën dëshmitë e para dhe që atëherë komuniteti kërkoi që gjuha e tyre të hidhej në internet, pa e ditur se çfarë ishte ky i fundit.
Përveç Matukar-it, një fjalor tjetër zanor “flet” Chamacoco-n (4), gjuha e një shkretëtire të largët të Paraguait, e cila zotërohet vetëm nga 1200 persona. Për të hartuar këtë fjalor janë kopjuar 912 fjalë dhe shumë regjistrime zanore. Një “volum” tjetër i kushtohet Remo-s (5), gjuhës indiane mbi të cilën dimë shumë pak gjëra. Është pothuajse e panjohur për ne. Edhe Sora (6), gjuha tribale indiane rrezikon të zhduket. Për ta shpëtuar, kjo gjuhë është bërë pjesë e projektit me 453 fjalë dhe po kaq regjistrime zanore, por mbledhja e materialeve sa vjen e bëhet më e vështirë. Për Ho-në (7), një gjuhë tjetër indiane tribale, momentalisht janë në dispozicion rreth 3 mijë fjalë dhe regjistrime zanore, ndërkohë që fjalori i Tuvan-it (8), i folur në Siberi dhe Mongoli, numëron mbi 7400 fjalë dhe 3000 regjistrime zanore. Fjalori i tetë i kushtohet gjuhëve kelte. Gjithsesi, ky projekt nuk përfundon këtu. Do të publikohen edhe fjalorë të tjerë, që janë ende duke u hartuar.
“Kur vdes një gjuhë, nuk janë vetëm fjalët dhe gramatika që humbasin, por një mori historish që lidhin të gjithë njerëzit të cilët përdorin dhe kanë përdorur në të kaluarën atë gjuhë”, - thoshte dikur gjuhëtari Anthony Aristar. Ky është një proces që ka pësuar një përshpejtim dramatik gjatë viteve të fundit: është llogaritur se çdo 15 ditë “vdes” një gjuhë, fenomen ky shumë herë më i shpeshtë në krahasim me atë të shpendëve, gjitarëve dhe bimëve.