Tryeza shkencore me temë: ”Depërtimi dhe përshtatja e huazimeve angleze në gjuhën shqipe” ka mbledhur në Prishtinë 17 gjuhëtarë nga Kosova dhe Shqipëria.
Organizatori i Tryezës është Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë së Kosovës, në bashkëpunim me atë shqiptar. Në këtë tryezë vihet theksi tek kontaktet e niveleve të ndryshme të gjuhës shqipe me varietete po ashtu të ndryshme të gjuhës angleze, që duket se janë të hershme. Rrugët e atyre kontakteve kanë qenë të ndryshme, në radhë të parë të natyrës kulturore, po edhe të drejtpërdrejta me rritjen e diasporës shqiptare fillimisht në SHBA (qysh nga fillimi i shek. XX) dhe pastaj në Britani e më vonë edhe në Australi e Zelandë të Re.
Ndryshimet që ndodhën në dy dekadat e fundit në botë në përgjithësi dhe në botën shqiptare, proceset e globalizimit, përgjithësimi i komunikimeve elektronike, demokratizimi i shoqërisë shqiptare dhe proceset e integrimit të saj në rrjedhat demokratike europiane, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, prania protektorale e mekanizmave të Kombeve të Bashkuara dhe ndërkombëtare në përgjithësi në Kosovë pas luftës së vitit 1999, hapja, normalizimi dhe intensifikimi i komunikimeve të botës shqiptare në Ballkan me diasporën, rritja e veprimtarive kulturore, proceset e integrimeve ekonomike, kanë krijuar një hapësirë shumë të gjerë të qarkullimit të dendur të fjalëve, të shprehjeve dhe të mënyrave të të folurit të gjuhës angleze dhe me to edhe të tjera ndërkombëtare në gjuhën shqipe në një shkallë që nuk e ka njohur më parë.
Francezët, spanjollët, gjermanët e të tjerë, që kishin qenë në raporte intensive me botën britanike e tejoqeanike, e kishin hetuar këtë prani dhe trysni mbi gjuhët e tyre më herët. Për të shënuar proceset e tilla ishin krijuar madje edhe shprehje të veçanta. Përdorimet e anglishtes në Kosovë dhe Shqipëri në dy dekadat e fundit kanë qenë shumë të dendura: në sajë të statusit të mekanizmave ndërkombëtarë politikë, ekonomikë e ushtarakë të pranishëm në rrjedhat e zhvillimit të dy vendeve në rajon.
Po kështu këto huazime vihen re edhe në statusin e gjuhës, sidomos në gjuhën formale zyrtare në Kosovë në periudhën e UNMIK-ut, por dhe të gjuhës zyrtare në vijim, të gjuhës së dokumentacionit që në shumë situata bëhet burimor në versionin anglisht, në përdorimet e shqipes në hapësirat administrative, politike, e me komunikimet elektronike edhe gjerësisht kulturore, prania dhe ndikimet e anglishtes në gjuhën shqipe janë bërë të kudondodhshme.
Mungesa e mekanizmave të organizuar dhe efikasë për kontrollimin e tyre në raport me rrjedhat zhvillimore të shqipes në gjerësinë aktuale të përdorimit ndërkombëtar dhe të përballjes me këto realitete jo vetëm në Kosovë, ka bërë që këto ndikime shpesh të duken dhe të dalin përtej rrjedhave normale të ndikimit për pasojë kontaktesh. Në shumë aspekte këto rrjedha po reflektohen drejtpërsëdrejti në zhvillimet e shqipes standarde dhe tjetër në të gjitha përdorimet e saj, me pasoja tashmë të hetueshme. Të gjitha këto po diskutohen mes gjuhëtarëve mbarëshqiptarë për të gjetur rrugën e përshtatjes së këtyre huazimeve që tashmë kanë zënë vend në gjuhën shqipe.