Këto janë dëshmi të marrëdhënieve ekonomike dhe të zhvillimit të qytetit gjatë periudhës helenistike. Në zbulimet e fundit radhiten edhe objekte të periudhës romake dhe antikitetit të vonë. Ekspedita zhvillohet nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë, në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Berlin. Vëmendja e të dyja palëve përqendrohet në projektin "Lissosi, si një polis helenistik në pellgun e Mesdheut", që mendohet të zhvillohet më tej.
Z. Hoxha, sa kohë zgjati ekspedita e këtij viti në qytetin e Lezhës?
Këtë vit u bënë gërmime nga data 14 korrik deri më 23 gusht. Është ekspedita e pestë që zhvillohet në qytetin antik dhe mesjetar të Lezhës, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Berlinit. Tradita arkeologjike në këtë qytet është më e hershme. Deri në vitet '80-të, gërmimet janë zhvilluar nga kolegët e vjetër të Institutit të Arkeologjisë. Në vitin 2001 ka pasur një fushatë vjetore të përhershme nga ana e Institutit tonë Arkeologjik dhe nga 2005 e deri më sot bashkëpunojmë me gjermanët.
Ku është gërmuar këtë muaj?
Tematika e këtij projekti është "Lissosi, si një polis helenistik në pellgun e Mesdheut". Gërmimet arkeologjike janë të përqendruara rreth kësaj teme interesante, që studiohet në kuadër mesdhetar. Megjithatë, dalin gjurmë dhe dëshmi arkeologjike nga periudha të tjera, periudha helenistike, antike e vonë dhe më pak nga ajo romake.
Duke pasur si qëllim kryesor ndjekjen e rrjetit urbanistik të qytetit në periudhën helenistike, e kemi përqendruar punën në shumë sektorë të shpërndarë në sipërfaqen e qytetit antik. Këtë vit gërmimet janë bërë në muret rrethuese të qytetit, te Porta e Lumit Drin, pranë Memorialit të Skënderbeut, te porta jug-perëndimore e qytetit dhe në një sektor tjetër, që ne e quajmë "ekstra-muros", jashtë mureve të qytetit. Është e rëndësishme të dimë sesi është zhvilluar rrjeti i urbanistikës së qytetit, në intervale kohore të ndryshme, por dhe brenda një intervali, në hapësirën brenda dhe jashtë mureve të qytetit.
Me çfarë rezultatesh jeni ballafaquar?
Një nga faktet më domethënëse të gërmimeve të sivjetme janë 150 copë monedha të periudhës helenistike të vonë, të periudhës romake dhe të periudhës antike të vonë. Është numri më i madh i monedhave të gjetura nga të gjitha fushatat që kemi pasur deri më sot. Ato na ndihmojnë për të datuar njësitë stratigrafike që ne kemi gërmuar gjatë këtij viti.
Numri më i madh i monedhave vjen nga periudha e mbretit Gent, e njohur si një periudhë me prerje monetare të shumta, në kuadër të asaj reforme që ai bëri për qarkullimin monetar në periudhën helenistike të vonë, në parapërgatitje për luftën kundër Romës. Monedhat janë gjetur në të gjithë sektorët e gërmimit. Për këtë jemi të kënaqur, sepse na jepet mundësia të gjykojmë në mënyrë precize për çdo sektor gërmimi.
Leximi i tyre nuk është bërë akoma. Ato datojnë në kohë të ndryshme, duke filluar nga periudha e shek III të II para Krishtit dhe deri në shek VI pas Krishtit. Është një periudhë kohore rreth 9 shekullore. Numri më i madh i tyre i takon dy periudhave, shek II para Krishtit dhe shek IV-VI, pas Krishtit. U përqendruam te monedhat, pasi ato ofrojnë mundësi datimi të saktë, por mendoj se zbulimet më të veçanta të kësaj ekspedite janë sasia e madhe e enëve të transportit, amforave.
Në të gjithë sipërfaqen e gërmuar janë gjetur mijëra fragmente amforash, në mënyrë të veçantë nga periudha helenistike e vonë. Ato dëshmojnë që qyteti i Lezhës ka qenë një port i rëndësishëm lumor. Anijet që vinin deri afër mureve rrethuese të qytetit kanë shkarkuar këto amfora me produkte të ndryshme, kryesisht vaji i ullirit dhe disa salca speciale të peshkut, drithëra.
Ato kanë ardhur nga rajone të ndryshme, nga zona e Mesdheut, në mënyrë të veçantë nga Italia e Jugut, nga Afrika e Veriut, nga ishujt e Egjeut dhe tregojnë për marrëdhënie tregtare dhe në mënyrë të veçantë edhe për një hov ekonomik. Në amfora ka me qindra mbishkrime, që japin informacion herë për produktin që ka mbajtur, për pronarin e saj, për firmën që e ka prodhuar.
A janë gjetur gjurmë të tjera të jetës së përditshme?
Ka objekte metalike të ndryshme, ka objekte prej kocke, forma të ndryshme terrakotash, fragmente të rralla arkitektonike, gjurmë të ndryshme banesash. Nga qeramika helenistike ka një komplet enësh qeramike të shek II-I para Krishtit. Janë enë të tavolinës me vernik të kuq dhe të zi.
Janë enë luksi, sepse janë të zbukuruara me figura të ndryshme, me aplikime në reliev. Nga këto shquhet në mënyrë të veçantë një enë e periudhës Augustiane, një skifos, me tetë figura në reliev që paraqet një grotesk të kohës. Është një nga enët më interesante të gjetura deri më tani. Në sektorët pranë Portit Lumor të Qytetit dhe në një sektor pranë memorialit të Skënderbeut është gjetur një shtresë me materiale që i takojnë antikitetit të vonë, (shek IV-VI) dhe bëhet fjalë kryesisht për enë të prodhimeve të importit që vijnë nga Afrika e Veriut, nga Mesdheu Lindor dhe më pak nga zona e Egjeut. Po në këtë shtresë ka mjaft objekte të tjera të paidentifikuara, që mund të jenë vendase, ose nga rrethinat e afërta të botës ilire, nga Shkodra, Durrësi.
Nga analizat që kemi bërë, rezulton se në qytetin e Lezhës ka pasur edhe punishte për përpunimin e produkteve të ndryshme metalike. Kjo konstatohet nga disa mbeturina skorjesh që janë gjetur brenda mureve të qytetit.
Për ta përmbledhur, cili është informacioni kryesor që jep ky korpus objektesh të zbuluara?
Materiali arkeologjik në tërësi ofron të dhëna në lidhje me pozicionin e qytetit, marrëdhëniet ekonomike që ai ka pasur dhe nga këto ne zbulojmë edhe stadet e zhvillimit të tij.
Qëllimi kryesor i projektit tonë është zbulimi i rrjetit urbanistik, i arkitekturës, i elementeve të ndryshme ndërtimore që ka pasur qyteti, për ta integruar edhe në klimën mesdhetare të qyteteve të tjera bashkëkohëse të Mesdheut. Lezha është një qytet i inkuadruar mjaft mirë në zhvillimet e kohës në botën e Mesdheut. Mund të krahasohet me qytete të botës greke-romake dhe influencat më të mëdha vijnë nga Italia e Jugut.
Sigurisht në periudhën më të vonshme, merr tendenca të tjera zhvillimi dhe kjo duket qartë nëpërmjet elementëve ndërtimorë të banesave të gjetura. Bëhet fjalë për një banesë me mozaikë jashtë mureve të qytetit, e zbuluar në fushatat paraardhëse.
Ajo i takon periudhës helenistike të vonë, romake të hershme. Në mozaikun që kemi gjetur në dyshemenë e saj ka një mbishkrim ku përcaktohen tre emra të rëndësishëm që flasin për pronarin e banesës, për ndërtuesin dhe për njeriun që u përkujdes për këtë godinë publike të qytetit. Këtë vit mbishkrimet u zbuluan plotësisht dhe banesa është pjesë e një ansambli, i cili integrohet në pjesën e jashtme të qytetit. Ansambli është në zbulim e sipër.
Sa për qind e sipërfaqes është gërmuar në ekspeditat që ju keni ndjekur vitet e fundit? Qyteti i Lezhës vetëm brenda mureve rrethuese përfshin mbi 20 hektarë, kurse sipërfaqja që ne kemi gërmuar këto pesë vjet, mund të jetë vetëm disa qindra metra katrorë. Edhe jashtë mureve rrethuese, po i njëjti raport.