Gjykata e Apelit Vrasja e kengetares nga pakujdesia

Gjykata e Apelit: Vrasja e kengetares, nga pakujdesia

Gjykata e Apelit Tiranë vendosi lënien në fuqi të akuzës “vrasje nga pakujdesia” ndaj biznesmenit kosovar Azis Kelmendi, i akuzuar për ngjarjen ku humbi jetën këngëtarja Elsina Hidersha, e njohur si Emmy. Ndryshe nga pretendimi i Prokurorisë së Apelit, që e kualifikoi veprën penale si “vrasje me dashje”, gjykata vlerësoi të drejtë vendimin e 22 gushtit 2011 të Shkallës së Parë ndaj Kelmendit, duke e cilësuar ngjarjen “vrasje nga pakujdesia”.

 

Në vendimin e djeshëm Apeli ndryshoi nga qëndrimi i parë për pjesën e lirimit me kusht të biznesmenit, duke vendosur moszbatimin e tij. Në kushtet kur biznesmeni Kelmendi është i lirë, në zbatim të këtij vendimi, ai duhet të kthehet në qeli për pjesën e pavuajtur të dënimit, 10 muaj e shtatë ditë. Gjykata vendosi “lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Tiranës të datës 22.08.2012 për të pandehurin Azis Kelmendi me ndryshim: Mosaplikimin e nenit 59 të Kodit Penal për pezullimin e ekzekutimit të dënimit për pjesën e pavuajtur të dënimit dhe revokimin e vendimit për heqjen e masës së sigurimi ndaj tij”, thuhet në vendimin e djeshëm në Apel.

 

Verdikti i Apelit i dha formë të prerë fajësisë së Kelmendit për “vrasjen nga pakujdesia” të këngëtares Hidersha, ngjarje e shënuar më 28 shkurt 2011 pranë bar “Venue” në Tiranë. Pas një debati, këngëtarja u kap me duar në xhamin gjysmë të hapur të automjetit ku gjendej Kelmendi. Sipas Prokurorisë, ai lëvizi automjetin me shpejtësi e më pas frenoi fort, çka bëri që këngëtarja të përplasej fort me asfaltin. Në vitin 2011 Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor Kelmendin për “vrasje nga pakujdesia”. Ai u dënua me një vit e 4 muaj burg. Gjykata pezulloi ekzekutimin e vendimit të dënimit të tij me burg, duke e liruar me kusht për një periudhë 2-vjeçare. Në vijim Apeli vendosi rigjykimin e dosjes. Pas rekursit të këtij vendimi, Gjykata e Lartë e ktheu dosjen për rigjykim në Apel.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama